OpEd

Përsëri Qeverinë do ta vendosë pazari e jo votat e qytetarëve

Këto zgjedhje janë më interesante sesa ato të mëparshmet, sepse kanë lënë mundësi të shumta interpretimesh. Fituesi mund të jetë humbës e humbësi fitues. Humbësi më i madh është LDK-ja, e cila është dënuar nga votuesit për koalicionin me PDK-në, ndërsa fituesja më e madhe është Vetëvendosja, e cila mund të dalë partia më e madhe në vend. PDK-ja mund të duket si humbëse edhe pse fitoi me një koalicion prej dhjetëra partish, por ajo ka një përvojë të jashtëzakonshme që të sigurojë të mbetet në pushtet. Këto zgjedhje dëshmuan një realitet të hidhur, atë se Kosova është e ndarë praktikisht, sepse në një pjesë të territorit të saj, në veri, u festua me zyrtarë nga Serbia dhe me thirrje “Kjo është Serbi”. Pra, pos rritjes së madhe të Vetëvendosjes, pak gjë ka ndryshuar në Kosovë me këto zgjedhje

Augustin Palokaj

Përderisa në Prishtinë në dy sheshe, dy taborë të ndryshëm festojnë, secila duke pretenduar të ketë qenë fituese e zgjedhjeve, në Evropë pakkujt tash i interesojnë zgjedhjet e Kosovës. Sytë e Evropës ishin të kthyer përsëri nga Franca, ku u zhvilluan zgjedhjet për asamblenë nacionale, të cilat i fitoi lista e presidentit Emanuel Macron. Zgjedhjet në Francë janë të rëndësishme për të ardhmen e Evropës, ndërsa zgjedhjet në Kosovë mund të jenë eventualisht të rëndësishme për fatin e disa largpërçuesve në veri të Kosovës, për raportet me Beogradin dhe për disa nisma rajonale. Natyrisht se Evropa ka interes që në Kosovë të ketë stabilitet, edhe politikë, edhe në aspektin e sigurisë, por as Evropa, sikur edhe as qytetarët e Kosovës, nuk e dinë se kujt mund t’i besojnë më kur janë bërë aq shumë akrobacione në qëndrimet e liderëve politikë.

Nëse duhet nxjerrë një porosi nga rezultati i zgjedhjeve, mund të thuhet se qytetarët kanë nisur të kreditojnë besnikërinë dhe të largohen nga ata që flasin gjithçka kundër partive të tjera për të hyrë me të njëjtat pa problem në koalicione, në mbrëmje apo në mëngjes.

Këto zgjedhje janë më interesante sesa ato të mëparshmet, sepse kanë lënë mundësi të shumta interpretimesh. Fituesi mund të jetë humbës e humbësi fitues. Humbësi më i madh është LDK-ja, e cila është dënuar nga votuesit për koalicionin me PDK-në, ndërsa fituesja më e madhe është Vetëvendosja, e cila mund të dalë partia më e madhe në vend. PDK-ja mund të duket si humbëse edhe pse fitoi me një koalicion prej dhjetëra partish, por ajo ka një përvojë të jashtëzakonshme që të sigurojë të mbetet në pushtet. Këto zgjedhje dëshmuan një realitet të hidhur, atë se Kosova është e ndarë praktikisht, sepse në një pjesë të territorit të saj, në veri, u festua me zyrtarë nga Serbia dhe me thirrje “Kjo është Serbi”. Pra, pos rritjes së madhe të Vetëvendosjes, pak gjë ka ndryshuar në Kosovë me këto zgjedhje.

Tash fituesi relativ i zgjedhjeve do të nisë i pari pazarin. Mund të gjejë mjaft potencial në taborin e LDK-së dhe të AKR-së, të cilat kanë qenë në të kaluarën në koalicion me PDK-në, nuk kanë ndonjë kredibilitet më dhe tash kanë mbetur edhe pa shumë vota dhe janë një forcë e brishtë. Humbëse e madhe është LDK-ja, dhe ajo duket se e ka paguar çmimin e mbetjes së Isa Mustafës si shef i partisë. Ai si simbol i lidhjes së koalicionit me PDK-në ishte një barrë e madhe e LDK-së dhe e bëri këtë parti krejtësisht të pabesueshme kur fliste për atë që e quante “Koalicion të territ” duke menduar në koalicionin parazgjedhor PDK-AAK-Nisma dhe kush e di se sa parti të tjera. Edhe PDK-ja duhet të mendojë mirë për rezultatin. Kadri Veselit duket se i ka ndodhur fenomeni i kryeministres britanike Theresa May. Ajo i kishte shpallur zgjedhjet e bindur se nga to do ta rrisë edhe më shumë shumicën parlamentare që edhe ashtu e kishte. Edhe PDK-ja duket se e ka pasur këtë fat, edhe pse do të jetë e vështirë tash të dihet se sa vota në këtë koalicion gjigant (jo për nga votat, por për nga numri i partnerëve në të) ka sjellë cila parti. Nëse AAK-ja do të thotë se ka sjellë së paku 10 për qind e Nisma 5, atëherë le t’i llogarisë PDK-ja se sa janë të saj. Por, më e vërtetë duket të jetë se edhe AAK-ja ka humbur një pjesë të votave për lidhje të koalicionit me PDK-në duke i shkelur kështu “vijat e kuqe” e kjo mund t’i ketë ndodhur edhe PDK-së.

të ketë kohë dhe shumë analiza të këtyre zgjedhjeve, por partitë nuk do të kenë shumë kohë për një gjë të tillë, sepse që mbrëmë kanë nisur pazaret. Disa politikanë në Kosovë janë në shitje para zgjedhjeve e disa pas tyre. Befasi e vërtetë do të ishte nëse asnjë deputet i LDK-së dhe AKR-së nuk pranon të shkojë në koalicion me PAN-in. Por, për këtë ka pak gjasa duke e ditur se kush ka hyrë në Kuvend nga këto parti dhe sa herë kanë mbijetuar shkeljen e çdo fjale të madhe që kanë dhënë gjatë fushatës. Pas zgjedhjeve në Kosovë më nuk vlen ajo që është thënë para tyre.

Sa u përket pritjeve të Bashkimit Evropian, ato nuk kanë ndryshuar nga zgjedhjet e kaluara dhe ato pritje kanë të bëjnë kryesisht me prioritetet e BE-së. Pra, për BE-në është me rëndësi që të vazhdohet dialogu me Serbinë, që të ketë përkushtim për bashkëpunim me Gjykatën Speciale në Hagë, që edhe pse është formalisht “dhomë e specializuar” e Gjykatës së Kosovës ka për detyrë të gjykojë rastet e dyshuara për krime që dyshohet t’i kenë bërë disa ish-liderë të UÇK-së, e që është formuar me mbështetjen e fuqishme të liderëve të Kosovës që ishin në pushtet në strukturën e kaluar me arsyetimin se “Kosova nuk ka çfarë të fshehë” dhe se”ky është obligim ndërkombëtar”. Po ashtu BE-ja do ta vërë para një sfide Qeverinë e Kosovës, kushdo që ta formojë atë, për të mbështetur idenë për krijimin e një zone të përbashkët doganore në Ballkan, ide të cilën Kosova e ka hedhur poshtë, por në BE besojnë se kosovarët do të ndryshojnë mendjen “ku t’ua japim sqarimet”. Po ashtu, që të mos ketë ndryshime ndaj pranisë së EULEX-it në Kosovë. Do të kërkohet nga Qeveria e ardhshme që të zbatojë ato obligime që në dialog me Serbinë i ka marrë presidenti i tashëm Hashim Thaçi, në cilësinë e kryeministrit në atë kohë.

Sa i përket zhvillimit të demokracisë në Kosovë, ky nuk ka qenë e as nuk do të jetë prioritet i bashkësisë ndërkombëtare, e cila gjithmonë ka preferuar një stabilitet të brishtë politik më shumë sesa ruajtjen e standardeve demokratike.

Edhe pse në BE ditëve të fundit disa zyrtarë të saj kanë thënë se “presin që Kosova kësaj radhe ta formojë sa më shpejt Qeverinë, dhe të mos pritet sikur herën e fundit”, kësaj radhe pritet që përfshirja e tyre në proceset e krijimit të qeverisë të jetë më e vogël. Kjo edhe për shkak se BE-ja, duke mbështetur një qëndrim të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, edhe pse tregoi respekt për këtë institucion, bëri të kundërtën e asaj që e bëri më vonë në Maqedoni. Përderisa në rastin e Maqedonisë insistoi që ata të cilët e kanë shumicën në Kuvend duhet të kenë rastin për të krijuar qeverinë, në rastin e Kosovës ishte e kundërta dhe kështu u krijua precedenca e Gjykatës Kushtetuese, e cila thotë se vetëm fituesi, qoftë edhe relative, mund të ketë mandatin për të krijuar qeverinë. Kjo edhe shtyri AAK-në dhe Nismën të bëjnë koalicionin parazgjedhor me PDK-në.

Ka pasur zëra në BE, të cilët kanë thënë se “duhet të krijohet një qeveri, e cila është e pranueshme si interlokutor i bashkësisë ndërkombëtare”, por kosovarët nuk duhet të fokusohen shumë në pohime të tilla në kushtet kur në Serbi pa farë problemi në pushtet janë ish-bashkëpunëtorët e Slobodan Milosheviqit, e ata jo vetëm se janë të pranueshëm për BE-në, por shihet edhe si “shumë konstruktive” madje edhe “faktorë të paqes dhe stabilitetit”. BE-ja nuk ka reaguar as ndaj ndërhyrjes së Serbisë në zgjedhjet e Kosovës dhe kërcënimet që kanë ardhur për qytetarët e Kosovës, me përkatësi etnike serbe, për të votuar përfaqësuesit e Beogradit në institucione të Kosovës. Kështu edhe pas këtyre zgjedhjeve do të mund të vazhdojë fenomeni që në Kosovë në qeveri të jenë njerëzit të cilët nuk e njohin shtetin në qeverinë e së cilës marrin pjesë, ndërsa kur thonë “qeveria jonë” mendojnë në atë të shtetit fqinj, pra të Serbisë.

Edhe BE-ja duhet ta trajtojë Kosovën si të tjerët dhe të pranojë ata të cilët janë të zgjedhur të popullit të Kosovës.

Sa u përket pritjeve që qytetarët e Kosovës kanë për heqjen e vizave për të udhëtuar në shtetet e Evropës Perëndimore, aty nuk ka ndryshuar asgjë dhe premtimet që janë dhënë gjatë fushatës nuk kanë qenë asgjë pos një dëshire apo premtimi parazgjedhor, sikur edhe shumë herë më parë. BE-ja nuk ka ndryshuar qëndrimin se për këtë pret që ende të përmbushen dy kushte, ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe dëshmitë konkrete për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që duhet të bëhet përmes vendimeve të gjykatave e jo vetëm me ngritjen e aktakuzave.

Me fillim të ri apo me të vjetrën Kosovën e presin sfidat e njëjta që i kishte edhe para këtyre zgjedhjeve.