OpEd

Fshati Smirë i Gjenevës zvicerane

Si e mbajnë mërgimtarët nga Gjeneva fshatin Smirë të Vitisë? Një histori mbi Kosovën, mërgatën, paratë, shtëpitë, mallin për atdhe dhe ditëlindjen e Ramadan Rrahmanit nga Gjeneva

Para disa vitesh pata shkuar në fshatin Smirë të Vitisë për të shkruar një reportazh për gazetën zvicerane «Tages Anzeiger». Smira është fshat i bukur. Shumica e shtëpive janë të mëdha, kryesisht të reja, kanë nga një kopsht ose oborr, ku bari duket se është përherë i kositur me saktësi milimetrike zvicerane. «Janë shtëpitë e mërgimtarëve», tregoi Tefik Salihu, gazetar lokal dhe kronisti më i mirë i kësaj ane. «Kur vijnë mërgimtarët, Smira ngjallet», tregoi Tefik Salihu.

Në Gjenevë të Zvicrës ekziston një Smirë tjetër. Dhe historia fillon kështu: diku në vitet 60-të dikush erdhi nga Smira dhe gjeti punë në Gjenevë. Pastaj ky dikush ia gjeti një vend pune vëllait, e vëllai e mori me vete kushëririn, sepse shefi zviceran kishte nevojë për fuqi punonjëse. «Ftuam fuqi punonjëse, por erdhën njerëz», ka shkruar shkrimtari zviceran Max Frisch në vitet 70-të, kur racistët zviceranë po zhvillonin një fushatë kundër të huajve, sidomos italianëve. Njeri pas njeriu, punëtor pas punëtori – në Gjenevë erdhi gjysma e Smirës. Tefik Salihu, i cili ka jetuar një kohë në Gjenevë dhe ka një sens për ironi të mençur, tha: «Qe besa, enti ynë social gjendet në Gjenevë».

Enti Social i fshatit Smirë në Gjenevë? Si funksionon kjo? Kështu: mërgimtarët nga Smira që jetojnë në Gjenevë kanë themeluar një shoqatë. Shoqata Smira. Nuk është një shoqatë vetëm për ruajtjen e kujtimeve. Është një shoqatë humanitare që mbështet me mjete financiare e material këdo që ka nevojë në Smirë. «Këshilli i fshatit Smirë mblidhet dhe diskuton se cilat familje kanë nevojë për ndihmë. Pastaj e dërgojmë kërkesën në Gjenevë. Filanit i është prishur çatia. Familja e filanit ka një të sëmurë në shtëpi. Dhe pastaj paratë vijnë nga Gjeneva», shpjegonte Tefik Salihu mënyrën e funksionimit të rrjetit social, i cili nuk i lë plot familje në Smirë të rrëshqasin në varfëri ekstreme.

Në webfaqen fshatismirë.com mund të gjenden informata të bollshme për rolin e diasporës. Për shembull: «Mërgimtari Ramadan Rrahmani, me qëndrim në Gjenevë, ditëlindjen e tij të 50-të ka dashur ta shënojë në mënyrë të veçantë. Ai simbolikisht, ka ndarë 50 pako ushqimore me produkte mishi nga ndërmarrja Eco produkt - 40 pako në Smirë dhe 10 në lokalitete tjera». Shembulli tjetër: «Metush Misini, me qëndrim në Gjenevë, e ka zëvendësuar sërish flamurin kombëtar në qendër të Smirës. Ai tha se këtë e bëri në shenjë respekti për festën e madhe të 28 Nëntorit. Metushi edhe vitin e kaluar kishte vendosur flamur të ri kombëtar në qendër të fshatit, në prag të përvjetorit të rënies së dëshmorëve të 5 prillit të vitit 1999».

Webfaqja fshatismirë.com është burim i rëndësishëm informacioni për ndodhitë në fshat. Njerëzit janë larguar nga zori, por ata duan të dinë çfarë po ngjet në fshatin e lindjes. Kush vdiq, kush u sëmur, kush lindi dhe kush shënoi suksese. Pas përhapjes së pandemisë së koronavirusit, Shoqata Smira në Gjenevë ka bërë apel që të dhurohen para në llogarinë bankare të shoqatës për të luftuar Covid-19 në Smirë. Përgjegjës për këtë aksion janë Ekrem Quni, Ramadan Rrahmani, Lah Jashari. Për të qenë sa më transparentë që të tre kanë publikuar numrat e tyre të telefonit në webfaqe. Çdokush që ka ndonjë pyetje, mund t’u drejtohet këtyre njerëzve me shpirt humanitar. Fshatra si Smira ka me qindra në Kosovë, në Maqedoninë shqiptare, në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi, kudo ku jetojnë shqiptarë në Ballkan. Falë ndihmave nga diaspora prej vitesh mbahet nën kontroll dhe nuk shpërthen bomba sociale.

Dërgesat financiare nga diaspora në zhargonin burokratik quhen «remitenca». Për ata që i marrin janë ndihma për mbijetesë. Dhe këtë e ilustron në mënyrë të bindshme një artikull i botuar në numrin e parë të vitit 2021 në gazetën gjermane «Die Zeit». Një ekip gazetarësh ka hulumtuar në disa vende dhe me të dhëna konkrete dëshmon se si remitencat janë thelbësore për mbijetesën e shumë familjeve anekënd botës. Remitencat, në fakt, janë rrjeti më i madh social i botës. Të marrim si shembull Libanin: një shtet me një klasë politike të korruptuar, një shtet para falimentimit, një shtet buzë luftës civile. 10 milionë libanezë jetojnë në diasporë, dyfish më shumë se në Liban. Shumë familje në këtë shtet vështirë do të mbijetonin pa ndihmat nga diaspora. Dhe mërgimtarët nuk sjellin vetëm para, por nganjëherë edhe insulinë për familjarët e sëmurë. Sepse në Liban (dhe jo vetëm në Liban) bën vaki që në institucionet shëndetësore të mungojë gjithçka.

Sipas Bankës Botërore në mbarë planetin jetojnë 270 milionë mërgimtarë transnacionalë, pra shtetas të një vendi që rrojnë e punojnë në vende të tjera. Shto këtyre edhe 800 milionë mërgimtarë të brendshëm, pra njerëz që jetojnë në rajone më të zhvilluara brenda shtetit të tyre. Vitin e kaluar mërgimtarët dërguan 550 miliardë dollarë anekënd botës. Tri herë më shumë se të gjitha ndihmat për zhvillim që vendet perëndimore japin për vendet e pazhvilluara, në zhvillim e sipër apo të varfra.

«Die Zeit» shkruan se rreth dy miliardë njerëz varen nga ndihmat e mërgimtarëve, ata janë: gjyshër, vëllezër, motra, bashkëshortë. Me paratë e dërguara nga mërgimtarët paguhen shkolla për fëmijë, fatura mjeku, ushqim, përkrahen biznese të vogla. Ky «globalizim nga poshtë» në dekadat e fundit u ka ndihmuar miliona njerëzve të çlirohen nga varfëria. Ndihmat e mërgimtarëve, sipas «Die Zeit», janë më efektive se ndihmat e shteteve perëndimore për vendet e varfra.

Me përhapjen e pandemisë është përhapur edhe frika se mund të reduktohen dërgesat financiare nga mërgata. Në disa vende kjo ka ndodhur, në disa të tjera jo. Vende si India, Nepali, El Salvadori, Haiti varen në masë të madhe nga diaspora. Vende si Kosova po se po. Në Kosovë dërgesat financiare nga mërgata me gjasë edhe sivjet mbesin të larta, por mosardhja masive e mijëra mërgimtarëve gjatë pushimeve verore dhe në vjeshtë ka ndikuar në qarkullimin e shumë bizneseve. Dhe rënia fillon nga dyqani i lagjes. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka regjistruar 50 mijë ligje dhe dispozita në 200 vende që kanë të bëjnë me mbylljen e kufijve, ngujimin e njerëzve dhe kufizime të tjera të mobilitetit për shkak të pandemisë. Më të goditurit janë mërgimtarët, shkruan «Die Zeit».

Por pa marrë parasysh si ecin trendet globale, mërgimtarët e Smirës duket se e sfidojnë çdo krizë dhe përherë mbajnë kuletën hapur për bashkëfshatarët e tyre. Dje, në prag të Viti të Ri, Këshilli i Fshatit Smirë njoftoi se ka «shpërndarë pako ushqimore festive për familjet në nevojë. Dhjetë pako janë nga mërgimtari Shkodran Beqiri, i cili edhe viteve tjera ka ndihmuar kështu për festa. Shtatë pako i ka dhuruar Shoqata humanitare ‹Vitia› nga Gjeneva dhe tri pako ushqimore janë nga një dhurues, i cili nuk ka preferuar t'i përmendet emri».