OpEd

Papërgjegjësi!

Në këto rrethana ardhja e mërgimtarëve në Kosovë nuk tregon për një nivel të duhur të përgjegjësisë – as ndaj familjes, as ndaj vetes. Ata që mendojnë se nëse kthehen të infektuar në Zvicër, do të gëzojnë trajtim të shkëlqyer mjekësor, duhet ta dinë: nuk ka garanci për këtë. Mbi 90 për qind e shtretërve për trajtim intensiv në Zvicër janë të zënë, ndërsa rregullat e triazhit sapo janë ndryshuar. Çfarë domethënë kjo?

Kush s’ka pasur një zor të madh, sivjet, në këtë dimër të pandemisë së rrezikshme, nuk është dashur të shkojë/të vijë në Kosovë. As nga Zvicra, as nga Gjermania, as nga Austria, ku jeton pjesa më e madhe e mërgatës kosovare. Por - me sa duket - përgjegjësia e një pjese të njerëzve është po aq e madhe sa përgjegjësia e virusit në shpërndarje: zero! Pasojat do të shihen së shpejti në Kosovë. Te shifrat e infektimit.

Nëse gjatë dhjetorit në Kosovë hyjnë 30 mijë vetura me targa zvicerane, gjermane dhe austriake, secila familje apo secili grup udhëtarësh gjatë rrugës harxhon së paku 500 euro. Domethënë gjithsej: 15 milionë euro vetëm shpenzime të rrugës. Edhe nja 15 milionë euro gjatë kthimit. Këto para sivjet mund të ishin shpenzuar më mirë.

E kuptoj dëshirën e secilit për të vizituar familjen në Kosovë, por sivjet do të duhej pasur pak më shumë përgjegjësi. Sepse jo vetëm Kosova ka probleme të mëdha me trajtimin e të prekurve nga virusi. Në Zvicër gjendja po eskalon prej javësh për shkak të papërgjegjësisë së politikanëve, të kantoneve dhe të qytetarëve arrogantë. Mbi 90 për qind e shtretërve për trajtim intensiv në Zvicër janë të zënë. Çdo ditë regjistrohen mesatarisht 4200 infektime. 6333 njerëz tashmë kanë vdekur nga virusi. Akademia Zvicerane e Shkencave Mjekësore sapo i ka ndryshuar rregullat e doracakut për triazhë: nëse nuk ka mjaft resurse mjekësore për të gjithë pacientët, mjekët vendosin se kush trajtohet dhe kush jo. Shpjeguar brutalisht: mund të ndodhë që rastet e rënda që vlerësohen se nuk kanë shans të mbijetojnë, të mos trajtohen fare intensivisht. Por edhe personat që mbahen gjallë me aparate dhe nuk përmirësohen brenda 10 ditësh, janë në rrezik: mjekët marrin vendim për ndërprerjen e trajtimit dhe vetëm prekin një pullë të kuqe...

Të gjitha këto duhet t’i mendojnë ata mërgimtarë që sivjet ia mësyjnë Kosovës dhe ose e sjellin ose e marrin virusin me vete dhe naivisht shpresojnë se kur të kthehen në Zvicër do të gëzojnë trajtim maksimal mjekësor. Nuk ka kurrfarë garancie për këtë. Qe edhe një e dhënë tronditëse për të gjithë ata që nuk kuptojnë: së fundi në Zvicër në çdo 18 minuta dikush ka vdekur nga Covid-19.

Në Zvicër ka filluar vaksinimi kundër Covid-19. Me pak durim shumë njerëz do të ishin vaksinuar deri në pranverë apo në fillim të verës. Pra, deri në verë secili do të duhej të kishte pak durim. Atëherë edhe pushimet me familje do të kishin kuptim. Sepse tani dëshira për takim mund të shndërrohet shpejt në mallkim dhe takim lamtumirës.

Sa i përket Zvicrës: mjafton të lexohen pak komentet bukur idiotike të disa politikanëve lidhur me pandeminë. Ruth Hummel nga Partia Demokristiane (CVP): «Jo çdo vdekje është katastrofë». Bruno Damann nga Partia Demokristiane (CVP): «Shoqëria jonë ka harruar të mësohet me vdekjen». «Kemi më shumë të vdekur sepse po testojmë më shumë», tha Andrea Gmür nga Partia Demokristiane (CVP). «Përkundër respektit ndaj çdo rasti të vdekjes: unë do të isha i lumtur po të arrija moshën mesatare të atyre që vdesin nga korona», deklaroi Andrea Caroni nga partia liberale FDP. Ndërsa gazeta «Neue Zürcher Zeitung», e cila prej një mediumi serioz është shndërruar në një propagandiste të «jokorrektësisë politike» i ra shkurt muhabetit: secili është përgjegjës për luftimin e koronës, shteti s’duhet të përzihet shumë, sepse korona nuk luftohet me «epideminë e socializmit». Kështu u hodhën poshtë vërejtjet që partitë e majta në Zvicër bënin qe disa muaj se gjendja mund të eskalojë. Dhe tani edhe mediat po raportojnë për numrin e të vdekurve. Deri para disa javësh për të vdekurit as që flitej. Vdekjet u tabuizuan. Sepse simulohej normaliteti. Tash kjo po i hakmerret Zvicrës.