OpEd

Kush do ta pasojë Merkelin?

Kështu, kontesti i bukurisë i CDU-së nuk ngjason kurrkund me zgjedhjet presidenciale paraprake të Partisë Demokratike sivjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku senatorët Bernie Sanders nga Vermonti dhe Elizabeth Warren nga Massachusetts bënë garë të fortë me diskurs majtist. E Gjermania nuk e ka asnjë Donald Trump në skenën e saj. Politika e vendit është “vazhdimësi e über alles”. Kancelari i ardhshëm gjerman është e sigurt të parashikohet, do të jetë Merkeli pa Angelan

Hamburg – Unioni Kristiandemokrat (CDU) i kancelares gjermane, Angela Merkel, e ka qeverisur Republikën Federale 71-vjeçare pesëdhjetë vjet. Kur të largohet nga politika vitin e ardhshëm, pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh në krye të Kancelarisë, është e sigurt se një tjetër kristiandemokrat do ta pasojë. Kush do të jetë?

Brenda pak javësh, CDU-ja do të mbajë konventën e 33-të partiake, dhe do ta zgjedhë liderin e ri. Dhe me siguri se aty do të nxirret me shumë gjasë edhe emri i atij apo asaj që do të jetë kandidat i CDU-së për kancelar kur të largohet Merkeli, dhe pakkush dyshon se CDU-ja do të dalë në krye në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shtatorit, rrjedhimisht duke marrë primatin për formimin e qeverisë së re.

Tre emra që ia kanë mësyrë postit më të lartë partiak nuk janë emra të njohur jashtë vendit. I pari (nëse u referohemi sipas rendit alfabetik) është Armin Laschet, presidenti-ministër i Vestfalisë së Rajnës Veriore dhe motor i kahershëm i partisë, karizma e të cilit nuk përkon me kompetencën e tij.

Tjetri është Friedrich Merz, i cili i priu grupit parlamentar të CDU-së në Bundestag dy dekada më parë, derisa u nxor nga loja nga Merkeli në kohën kur po përvilej për të garuar për kreun partiak. Pasi kaloi në sektorin privat dhe fitoi goxha para, po synon të kthehet përsëri.

Kandidati i tretë është Norbert Röttgen, shef i Komitetit të Politikës së Jashtme të Bundestagut. Ka shërbyer shkurt si ministër Mjedisi nën drejtimin e Merkelit derisa e shkarkoi ministrin, atëherë me pamje djaloshare.

Laschet është më i preferuari i pathënë bujshëm i Merkelit, nëse jo për diçka tjetër, edhe për shkak të hesapeve që të tjerët duhet t’i ndajnë me “Nënën”, shtegu i së cilës drejt ardhjes në majë të pushtetit lidhet me rivalë që nuk ishin fort të fuqishëm. Sherri i COVID-19 ende nuk e dimë se kur dhe si do të mbahet konventa e CDU-së për zgjedhjen e liderit të saj. Por pavarësisht se a do të mbahet fizikisht, apo virtualisht, partia do të vendosë gjatë këtij muaji për datën e konventës në mesjanar.

Nuk ka ndonjë garues me epërsi të theksuar. Merz kishte 27 për qind të përkrahjes në anketimet e fundit, por trendi i tij ishte në rënie. Röttgen kishte 16 për qind dhe po përjeton një ngritje të lehtë. Laschet është ndërmjet të dyve, dhe gëzon 21 për qind të mbështetjes. Dhe fakti se asnjëri nuk ka ndonjë epërsi kritike, vetëm sa ka shtuar paqartësitë.

Një pyetje që ngrihet natyrshëm është se çfarë kauzash mbrojnë kandidatët. Dhe kësaj pyetjeje nuk është e lehtë t’i jepet përgjigje në këtë sistem politik centrist të mërzitshëm – mbase është fatbardhësi që është kështu. E majta dhe e djathta ekstreme gjermane mund të marrin bashkërisht 20 për qind në anketime. Shumica e votuesve preferojnë partitë e mëdha (mbi të gjitha, CDU-në), që operojnë si supermarketet, duke ofruar nga pak për këdo, pa ndonjë befasi a kaos.

Gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit njëzet – nga Kaizeri (mbreti) Wilhelmi i Dytë deri te Führer – Gjermania ishte vendi “më interesant” në botë. Në aspektin e brendshëm ishte një vullkan politik, dhe kërcënim vdekjeprurës për fqinjët. Sot, si rezultat i dy luftërave botërore shkatërrimtare, është agresive krahasueshëm me përtaci, me politikën e saj që luhatet ndërmjet stabilitetit dhe maturisë.

Kështu, kontesti i bukurisë i CDU-së nuk ngjason kurrkund me zgjedhjet presidenciale paraprake të Partisë Demokratike sivjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku senatorët Bernie Sanders nga Vermonti dhe Elizabeth Warren nga Massachusetts bënë garë të fortë me diskurs majtist. E Gjermania nuk e ka asnjë Donald Trump në skenën e saj. Politika e vendit është “vazhdimësi e über alles“.

Dhe kështu, Lasche po garon me përvojën e tij si president-ministër i shtetit më të populluar prej gjashtëmbëdhjetë syresh të Gjermanisë – një përparësi që nuk e kanë Merz dhe Röttgen. Slogani i tij pathënë në thelb përbën “edhe katër vjet merkelizëm”; pa ndonjë ndryshim të theksuar në politikën e jashtme dhe të brendshme.

Njëherësh, Merzi, i cili nisi fushatën e tij duke ndjekur diskursin e CDU-së (më shumë atlanticizëm dhe më shumë ekonomi të tregut të lirë), ka baraspeshuar maturueshëm kadencat e tij. Ai gjithashtu “nuk dëshiron devijime”, por beson se Gjermania “është ngadalësuar tepër”. Kështu që, duhet të mendojmë për dy anët.

Röttgen, më i riu prej treve, duket më i vendosuri. Duke i mëshuar fort në kredencialet e tij si ekspert i politikës së jashtme, dëshiron të ketë qëndrim më të sertë ndaj Rusisë dhe Kinës krahasuar me dy rivalët. Por kini kujdes: nën lidershipin e tij nuk do të ketë “as vazhdimësi të krejtësishme, e as këputje” me epokën e Merkelit.

Andaj, stabiliteti do të vazhdojë të jetë emri i lojës gjermane. Nuk ka ndonjë të ngjashëm me Marine le Penin e Francës apo me Matteo Salvinin e Italisë, e as ndonjë majtist radikal si Jeremy Corbyn i Britanisë, ish-lider i Partisë Laburiste. Përderisa Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar në thelb kanë qeveri me dy parti, Gjermania, si shumica e Evropës kontinentale, qeveriset nëpërmjet koalicioneve shumëpartiake, që nuk luhaten radikalisht para e prapa në secilën palë zgjedhje.

Në secilin rast, kushdo që fiton garën e CDU-së në janar dhe bëhet kancelar në shtator, do të qeverisë në koalicione me dy ose me tri parti. Për shkak të pandemisë, që ka favorizuar ata që janë në pushtet, CDU-në dhe partinë bavareze simotër, Unioni Kristiansocial(CSU), me gjasë do të sigurojë rreth 35 për qind të votave. Me qasjen paksa majtiste, të Gjelbrit do të fitojnë 20 për qind, duke i kthyer në partnerë të natyrshëm koalicioni për CDU/CSU-në.

Ky aranzhim i pushtetit të baraspeshuar premton vazhdimësi, që nuk është edhe aq mahnitës. Ne në media shumë shpejt mund ta kthejmë kokën pas nga Trumpi, i cili pavarësisht ceneve të shumta, ishte lideri më argëtues i shekullit 21. Por në këto kohë të trazuara – me COVID-19 që ende nuk është hequr dhe me ekonominë ende në tkurrje – centrizmi i ngadaltë nuk është rezultati më i keq për ankorimin e pushtetit të Evropës.

Pos tre kandidatëve të deklaruar të CDU-së, janë edhe dy të tjerë, të cilët në vend se të ndjekin rrugën konvencionale – së pari shef, pastaj kandidat për kancelar – po luajnë lojën e pritjes. Mbase partia do të mërzitet me treshen Laschet, Merz dhe Röttgen, dhe do të dëshironin dikë që është përditë në vëmendje të publikut. Njëri është ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, politikan punëtor, i cili, falë COVID-it, është përditë në lajme. Tjetri është lideri i CSU-së, Markus Söder, burrë me ambicie të mëdha që palodhshëm merret me intervista dhe me emisione debatuese. Por asnjëri prej pesë kandidatëve nuk do të inxhinieronte një revoltë kundër “Nënës” dhe trashëgimisë së saj. Kancelari i ardhshëm gjerman është e sigurt të parashikohet, do të jetë Merkeli pa Angelan.

(Autori, anëtar në Institutin Hoover të Universitetit të Stanfordit, shërben në Këshillin editorial të së përjavshmes gjermane “Die Zeit”. Opinioni është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).