OpEd

Bosnja - një shtet i poshtëruar nga provokatorët serbë, nga Rusia dhe nga kryetari kroat

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov takon kryeprovokatorin e serbëve të Bosnjës Millorad Dodik. Takimi zhvillohet jashtë Sarajevës. Pa simbole të shtetit të Bosnjës. Kryetari i Kroacisë Zoran Millanoviq jep një deklaratë cinike kundër Bosnjës, duke sugjeruar që myslimanët së pari duhet të pastrohen me sapun. Dhe ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin kërkon pak a shumë hapur shaktërrimin e Bosnjës. Të martën dy anëtarët e presidencës së Bosnjës, boshnjaku Shefik Xhaferoviq dhe kroati Zhelko Komshiq, u përpoqën t'ia ruajnë pak dinjitetin Bosnjës: refuzuan takimin me Sergej Lavrovin.

1.
Në 25 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Daytonit, e cila solli paqen e brishtë në Bosnjë-Hercegovinë, i zgjedhuri president i SHBA-ve, Joe Biden, lëshoi një deklaratë në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës. Ai tha se qëllimi i qeverisë së tij do të jetë ndërtimi i një shteti funksional në Bosnjë, i cili do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Një mesazh tjetër erdhi nga Moska. Formalisht Rusia përkrahu Marrëveshjen e Daytonit, por mesazhet që dha ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov gjatë vizitës në Bosnjës të hënën dhe të martën qenë të kundërta me ato të Joe Bidenit. Lavrov së pari takoi liderin e serbëve të Bosnjës dhe anëtarin e presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, i njohur për provokimet e tij nacionaliste. Takimi u zhvillua në Sarajevën lindore, një lagje që i përket Republikës serbe të Bosnjës. Lavrov përkrahu kërkesën e palës serbe për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë. Kjo zyrë është instanca e fundit që kujdeset për interpretimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Daytonit. Shtetet perëndimore janë kundër mbylljes së zyrës nga frika se pastaj tendencat e palës serbe për shkatërrimin e Bosnjës do të marrin hov të ri. Në takimin mes Dodikut dhe Lavrovit mungonin simbolet shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës. Pas dy politikanëve qëndronin gatitu policë të Republikës Serbe, me uniforma të kaltra ceremoniale, pothuaj të ngjashme me ato të njësive përkatëse në Beograd dhe flamuj të entitetit serb të Bosnjës. Dodik deklaroi se Lavrov «sot ka ardhur për vizitë në Republikën Serbe, nesër do të vizitojë Bosnjën». Kjo ishte deklarata e tij e radhës me të cilën tenton të poshtërojë dhe mohojë ekzistencën e shtetit të Bosnjës.

2.
Të martën ndodhi skandali, i cili nuk ishte i papritur. Anëtarët e presidencës së Bosnjës, boshnjaku Shefik Xhaferoviq dhe kroati Zhelko Komshiq, refuzuan takimin me Sergej Lavrovin. Me këtë akt ata protestuan kundër mesazheve të rrezikshme të diplomatit rus kundër Bosnjës. Xhaferoviq tha se me refuzimin e takimit synohet të ruhet krenaria e Bosnjës dhe t'i dërgohet mesazh tërë botës. Komshiq deklaroi se Lavrov ka treguar mungesë respekti ndaj Bosnjës. I vetmi që e priti Lavrovin ishte Dodiku. Xhaferoviq akuzoi edhe ambasadorin e Rusisë në Sarajevë për sjellje jodiplomatike. Sipas Xhaferoviqit, mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë (OHR) e kërkojnë ata që duan shkëputje dhe ndarje etnike. «Zoti Lavrov e di këtë, e nëse thotë se e përkrahë Marrëveshjen e Daytonit, atëherë duhet të respektojë edhe OHR-në. Bosnja nuk mund të funksionojë normalisht me Kushtetutën aktuale dhe pa Përfaqësuesin e Lartë. Të respektosh Marrëveshjen e Daytonit domethënë të respektosh ligjet dhe vendimet që ka marrë Bosnja, mes tyre edhe integrimet euroatlantike. Dje kjo në një mënyrë u kontestua në konferencën për shtyp (të Lavrovit me Dodikun)», shtoi Xhaferoviq. Synimi i Rusisë është i qartë: të sabotojë çdo përparim të Bosnjës në drejtim të integrimeve euroatlantike, e sidomos afrimin me NATO-n. Në vitet e fundit Moska nuk arriti të pengojë hyrjen e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO. Nervoziteti i Rusisë dhe i politikanëve serbë në Ballkan është shtuar pas fitores së Joe Bidenit në SHBA. Para zgjedhjeve në SHBA Dodik ka deklaruar se e përkrahë Donald Trumpin, ndërsa Bidenin e ka ofenduar duke e quajtur «srbomrzac» (urrejtës të serbëve). Në të vërtetë Biden - për dallim nga Trumpi - është njohës i mirë i problemeve në Ballkan, si senator në vitet 90-të ai ka vizituar Bosnjën dhe në një analizë të saktë pati paralajmëruar se nëse nuk ndërhyn bashkësia ndërkombëtare, Bosnjën e pret një masakër e madhe. Më 1995 ndodhi në Srebrenicë ajo që paralajmëroi Biden. Për të treguar besnikëri ndaj Moskës Dodik këto ditë tha se do ta marrë vaksinën ruse kundër koronavirusit, sepse «po thuhet se ato (vakisant) perëndimore ndikojnë në sterilitet». Gjatë takimit me Lavrov Dodik i dhuroi kryediplomatit rus një ikonë «300 vjet të vjetër» të gjetur në Luhansk të Ukrainës. Mbetet enigmë se si ka arritur Dodik ta gjejë këtë ikonë. Apo ndoshta ia kanë sjellë dhuratë xhihadistët ortodoksë serbë, të cilët kanë luftuar në anën e terroristëve prorusë në Ukrainën lindore?

3.
Para vizitës së Lavrovit për vizitë te serbët e Bosnjës erdhi Aleksandar Vulini, ministri i punëve të Brendshme të Serbisë dhe megafoni i kryetarit serb Aleksandar Vuçiq. Gjatë qëndrimit në Banjallukë, «kryeqytetin» e serbëve të Bosnjës, Vulin tha: «Vështirë është të shpjegohet se përse është shkatërruar Jugosllavia, e nuk është shkatërruar Bosnjë-Hercegovina, e edhe më vështirë është që (shqiptarëve) u lejohet të përpiqen të kenë shtetin e tyre në Kosovë e Metohi, ndërsa serbët në Bosnjë s'munden... Gjithçka që u lejohet (shqiptarëve), duhet t'u lejohet edhe serbëve». Një thirrje direkte për shkatërrimin e Bosnjës. Vulin paralajmëroi se nga viti 2021 do të vendosen lidhje të përbashkëta mes njësive të policisë së Serbisë dhe Republikës serbe të Bosnjës.

4.
Sikur të mos mjaftonin sulmet e koordinuara nga politikanët serbë nga të dy anët e lumit Drina dhe nga ministri rus Sergej Lavrov, me daklarata skandaloze kundër Bosnjës u shqua edhe kryetari i Kroacisë, Zoran Millanoviq. Ai prej një socialdemokrati që bëhej sikur përqafon vlerat europiane është shndërruar në një provokator dhe imitues të politikave antiboshnjake të Franjo Tugjmanit, i cili gjatë luftës ishte në kontakt të vazhdueshëm me Sllobodan Millosheviqin. Tugjman po ashtu gjatë një darke me Millosheviqin dhe diplomatë perëndimorë kishte vizatuar në një salvetë planin për ndarjen e Bosnjës. Në një intervistë Zoran Millanoviq u ankua për pozitën gjoja të vështirë të kroatëve në Bosnjë dhe shtoi se shteti qytetar në Bosnjë është «ëndërr shumë e largët dhe një gjë e bukur», por «së pari duhet sapuni, pastaj perfumi». Kjo deklaratë ngjalli një ortek protestash në Bosnjë. Millanoviq u akuzua se po i ofendon myslimanët (boshnjakët) duke aluduar se ata janë të papastër. Filozofi i njohur kroat Zharko Puhovski tha se Millanoviqi po dëshiron të bëhet djali i paligjshëm politik i Franjo Tugjmanit. Ka disa vite që elitat politike në pushtet në Kroaci nxisin tensione në Bosnjë për shkak se nuk pajtohen që në presidencën e Bosnjës kroatët e atjeshëm i përfaqëson Zhelko Komshiqi. Komshiq është kroat i Sarajevës, ka luftuar në radhët e Armatës së Bosnjës kundër agresorëve serbë dhe angazhohet për një shtet të qytetarëve të barabartë, përtej vijave ndarëse etnike. Në zgjedhjet e fundit për anëtarët e presidencës shumë myslimanë (boshnjakë) kanë votuar për Komshiqin dhe kështu e kanë pamundësuar zgjedhjen e Dragan Çoviqit, liderit të kroatëve të Bosnjës. Viteve të fundit vërehet një bashkëveprim i politkanëve kroatë nga Bosnja dhe nga Kroacia me liderët serbë në rajon në sabotimin e Bosnjës. Liderët e Zagrebit po ashtu nuk shfaqin dëshirë për të mbështetur integrimin e Bosnjës në NATO. Ndaj sulmeve të fundit nga Zagrebi, Komshiq reagoi ashpër: «Të gjithë ata që e njohin, e dinë se (kryetari kroat) Millanoviq është përherë i gatshëm të merret me punët e të tjerëve, të fryhet me egocentrizmin e tij, por është njëfarë risie që ai përqafon fashizmin mbinjerëzor. Për fat të keq është kryetar i një shteti fqinj». Akuzat e përditshme dhe kacafytjet verbale tregojnë se Bosnja në 25-vjetorin e nënshrkimit të Marrëveshjes për Paqe mbetet një shtet në këmbë prej qelqi.