OpEd

Rekomandimet e mia për presidentin Biden rreth Ballkanit

Faleminderit kryetarit, jo vetëm për këtë mundësi për të dëshmuar sërish, por edhe për përkushtimin e juaj dekadësh për Evropën si të tërë dhe të lirë. Por, puna nuk ka përfunduar. Problemet mes Serbisë dhe Kosovës mbesin, ashtu si edhe brenda Bosnjë-Hercegovinës, ku Serbia është faktor.

Parakusht esencial për zgjidhjen e problemeve të mbetura në Ballkan është përkushtimi amerikan në rajon, në bashkëveprim me aleatët evropianë. Gara e fundit mes SHBA-së dhe BE-së, që ka dëshmuar se puna nuk mund të kryhet pa bashkëpunim, e ka penguar përparimin. Si pjesë e rikonfirmimit të tij global të vlerave demokratike, presidenti Biden duhet të konsultohet me evropianët dhe ta proklamojë një vizion të përbashkët për rajonin e Ballkanit.

Kompletimi i shtetësisë së Kosovës

Kosova e pavarur ende po e kompleton shtetësinë e saj. Forcat e saj të sigurisë po përparojnë drejt NATO-s. Institucionet e tjera sovrane, po ashtu, po fitojnë aftësi, por u mungon njohja e përgjithshme.

Dialogu Prishtinë-Beograd nën udhëheqjen e BE-së mund të ndihmojë, por duhet angazhim më i madh i SHBA-së. Amerikanët duhet të përqendrohen në zbatim dhe reciprocitet.

Dialogut i duhet një mekanizëm monitorues, përfshirë edhe për marrëveshjet e mëparshme, si dhe angazhime të tjera, përfshirë heqjen e vizave për Kosovën nga BE-ja. Reciprociteti duhet të përfshijë zgjerimin e mandatit të Dhomave të Specializuara për krimet e kryera në Serbi, përfshirë edhe vrasjen e pasluftës të tre amerikanëve.

Synimi kryesor i SHBA-së për dialogun duhet të jetë njohje e ndërsjellë dhe shkëmbimi i ambasadorëve. Presidenti Biden dhe kancelarja Angela Merkel duhet të bëjnë këtë synim të qartë dhe t’i shtyjnë anëtarët e BE-së që nuk e njohin Kosovën të deklarojnë se do ta njohin Kosovën jo më vonë se Serbia. Anëtarësimi në OKB i Kosovës do të kërkojë që amerikanët ta bindin Rusinë dhe Kinën për të mos ushtruar të drejtën e vetos.

Bosnja e pas-Daytonit

Sovraniteti i Bosnjës dhe integriteti territorial i saj është po aq i ngarkuar sa ai i Kosovës. Marrëveshja e Daytonit, e arritur 25 vjet më parë, përfshin ndarjen territoriale dhe ndarjen e pushtetit në baza etnike, duke i dhënë fund një lufte të tmerrshme. Kjo formulë nuk ka më kuptim për komunitetin ndërkombëtar, që paguan faturat e Bosnjës, apo për qytetarët e saj, të cilët vuajnë nga qeverisja jofunksionale.

Daytoni sot u shërben interesave të baronëve grabitës etnikë.

SHBA-ja duhet t’u bëjë presion evropianëve për t’i sanksionuar ata që e mbështesin pavarësinë e Republikës Serbe të Bosnjës, dhe për të forcuar dhe ripozicionuar trupat e tyre, të mbështetur dukshëm nga SHBA-ja, për në qytetin verilindor të Brçkos, për të ndaluar shkëputjen.
SHBA-ja duhet ta bllokojë Rusinë nga armatosja e policisë së entitetit, si dhe ndërhyrjet politike të Kroacisë dhe Serbisë.

Evropa dhe SHBA-ja duan një Bosnjë të pas-Daytonit, që mund të kualifikohet për anëtarësim në BE. Ajo Bosnjë nuk do të mbështetet në ndarje të pushtetit në baza etnike, por në zgjedhjen e përfaqësuesve nga shumica e qytetarëve. Kantonet dhe entitetet, si dhe vetot etnike e kufizimet, duhet të zbehen. Amerikanët dhe evropianët duhet të mirëpresin perspektivën e një kushtetute të re qytetare.

Asnjëri jashtë Bosnjë-Hercegovinës nuk mund ta reformojë Kushtetutën e saj. Duhet një lëvizje popullore. SHBA-ja, së bashku me evropianët, duhet të mbrojnë atë lëvizje popullore nga shtypja, ndërsa t’i ndalin financimet e entiteteve dhe të ridrejtojnë ato te qeveria qendrore dhe komunat.

Ridrejtimi i Serbisë

Çdo gjë që kam rekomanduar, do të ishte më e lehtë, po të ndihmonte Serbia. Presidenti Trump e lejoi presidentin Vuçiq që të rrisë kontrollin e gjykatave serbe dhe mediave, që shpesh kënaqen me gjuhën e urrejtjes dhe promovojnë ambiciet pan-serbe për destabilizime në Bosnjë, Kosovë dhe Mal të Zi. Administrata Trump duhet të jetë më e ashpër ndaj Beogradit, së bashku me Evropën. Nëse Vuçiqi vazhdon të preferojë autokracinë dhe rreshtimin me Rusinë dhe Kinën, evropianët dhe amerikanët duhet të presin ditën kur Serbia do të angazhohet për demokraci të vërtetë në vend dhe për marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj. Qytetarët e Serbisë, më të shqetësuar për vende të punës sesa për Kosovën apo Bosnjën, duhet të ndihmojnë. Ndërkohë, ndoshta do të duam të mendojmë për një marrëveshje të përkohshme, me kusht që ajo t’ia sigurojë Kosovës një ulëse në OKB. Arritja e një marrëveshjeje të mirë kërkon gatishmërinë për ta refuzuar një të keqe.

Konkluzionet

Presidenti Biden do të ketë probleme më të mëdha sesa Ballkani. Por, pak rajone premtojnë arritje më të mira. Duke bashkëpunuar me evropianët, SHBA-ja mund t’i shpëtojë sovranitetin dhe integritetin territorial të dy aleatëve të mundshëm – Kosovës dhe Bosnjës – dhe ta ndihmojë Serbinë të largohet nga trashëgimia e saj e autokracisë dhe luftës. Presidenti Biden duhet t’i mbështesë ata që janë të përgatitur për ta bërë Evropën të plotë dhe të lirë, dhe t’u kundërvihet atyre që e bllokojnë këtë përparim.

(Fjalimi i plotë i profesorit të Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer, ekspertit amerikan për çështjet e Ballkanit në Komitetin për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit në SHBA).