OpEd

Si ta humbasësh një shtet evropian

Në kohën kur Evropa liberale po shpreh brenga lidhur me Hungarinë dhe Poloninë, të cilat po i përdorin të drejtat e vetos për buxhetin e BE-së në mbrojtje të regjimeve të tyre joliberale, askush nuk duket se po e vëren që shtetet e tjera anëtare të BE-së, si Greqia, janë nisur prapa tyre. Gjatë vitit 2015, kisha komentuar se tanket më nuk janë të domosdoshme për ta rrëzuar demokracinë greke. Mjafton mbyllja e bankave

Athinë, 1 dhjetor – “Nuk është koha për pikëllim, jemi tepër të zemëruar”, më ka thënë pak kohë më parë shefi i njësisë së përkujdesjes intensive në spitalin e zonës sime të banimit në Selanik. Bashkë me stafin e tij të mjekëve dhe infermierëve të përkushtuar, ai nuk kishte fjetur tërë natën e kaluar, të cilën e përshkroi si “natën tonë të Shën Bartolomeut”.

E pyeta pse po shfrynte inat.

“E humba një 43-vjeçar, i cili mund të shpëtohej”, m’u përgjigj ai me zemërim, duke shtuar: “Por janë gënjeshtrat, gënjeshtrat e mallkuara, dhe propaganda ato që po më çmendin”.

Greqia kishte kaluar mirë në valën e parë të COVID-19, por e dyta e zuri Qeverinë skajshmërisht të papërgatitur. Njerëzit përbrenda spitaleve në veri të Greqisë, sikurse shefi i ICU-së me të cilin fola, tani e krahasojnë gjendjen në të cilën ndodhen me atë të Italisë veriore nga fillimi i pranverës. Por fare pak informata lidhur me tmerret aktuale depërtojnë deri tek publiku.

Një arsye për këtë është se menaxherët e spitaleve qeveritare i kërcënojnë pjesëtarët e stafit me reperkusione të ndyra po qe se flasin me mediat. Një tjetër arsye është edhe ajo se gjatë pandemisë, mediat janë bërë tërësisht të varura nga grantet madhore që Ministria e Informimit i ndan sipas tekave të vetë ministrit.

Javëve të fundit, policia ka nisur hetimet ndaj një personeli mjekësor që kishte paralajmëruar grevë të vogël, më shumë simbolike në shenjë proteste ndaj mungesës së stafit. Derisa po afron 17 nëntori, përvjetori i 47-të i një kryengritjeje antifashiste studentore – me fokus të veçantë tek protestuesit në Greqi, një vit më herët – policia ka zbatuar ndalesë mbarëkombëtare, katërditore për tubimet në hapësirat e jashtme, me më shumë se katër persona. Pandemia ishte justifikimi; shtypja e disidencës qe arsyeja.

MeRA25, partia që unë udhëheq, ka zhvilluar debat të gjatë të brendshëm se si t’i përgjigjet dekretit drakonik. Kemi shqyrtuar një përgjigje të moderuar. Do t’u bënim thirrje pjesëtarëve të publikut, partisë Sonë dhe krahut tonë rinor për të qëndruar mënjanë, duke i respektuar kufizimet kundër përhapjes së koronavirusit. Por për ta sfiduar shndërrimin e pandemisë në armë për ndalimin e të gjitha protestave, sidomos të stafit mjekësor, shtatë nga anëtarët tanë të Parlamentit do të parakalonin nëpër shtegun tradicional marshues, të pajisur me maska dhe duke e zbatuar masën e distancimit social. Meqë Kushtetuta e garanton lirinë e lëvizjes për parlamentarët, vendimi ynë ishte sa i përgjegjshëm po aq edhe i ligjshëm.

Gjatë marshimit tonë simbolik, me qindra policë dhe police të reja, duke i sfiduar të gjitha rregullat e distancimit social, u munduan që t’i pengonin shtatë deputetët tanë. Teksa po i afroheshim fundit të shtegut, u mbyllëm përbrenda një zinxhiri njerëzor të më shumë se njëqind policëve. Ndërkohë, kryeministri, presidenti dhe 20 persona të tjerë shëtisnin lirshëm poshtë rrugës, drejt Politeknikut të Athinës, për të vendosur kurora lulesh.

Shtatë orë më vonë, deputetët tanë ndodheshin ende të ngujuar brenda kafazit të një force madhore policore, edhe pasi që rruga u hap për qarkullim normal të trafikut dhe njerëzit nisën që t’i kryenin punët e tyre të zakonshme. Mesazhi ishte i qartë: Të drejtat kushtetuese të deputetëve opozitarë de facto ishin pezulluar.

Dëshmia se krejt kjo nuk ishte aksidentale doli në pah disa ditë më vonë. Më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Çrrënjosjes së Dhunës ndaj Grave, derisa deputetët po e shënonin sa për sy e faqe këtë ngjarje, jashtë Parlamentit policia i arrestoi nëntë pjesëtare të shquara të lëvizjes feministe, që i respektonin masat e distancimit social, pse guxuan të demonstronin në mbështetje të po së njëjtës kauzë. Ndërkohë, zyra e Prokurorit të Qarkut njoftoi se deputetet opozitare, në mesin e të cilëve edhe unë, ishin vënë nën hetime për shkeljen e kufizimeve të lëvizjes të cilat, sipas Kushtetutës, nuk aplikohen tek ne.

Tani, Qeveria e ka shfrytëzuar shumicën e saj parlamentare për t’i eliminuar të gjitha dyshimet e mbetura lidhur me synimet antidemokratike, duke votuar për t’ia hequr imunitetin parlamentar njërës prej deputeteve tona dhe për ta ballafaquar me procedurat e mundimshme gjyqësore rreth një gjëje që ajo ka thënë në Kuvend. Dhe fjalët e saj rastisi të jenë të sakta, pos që janë të mbrojtura: provokuesit policorë, të maskuar dhe të veshur si anarkistë, janë xhiruar teksa po përfshiheshin mes demonstruesve dhe nxitur herë pas here edhe dhunë. As gjatë viteve të trazuara të të ’60-ve, asnjërit deputet nuk i ishte hequr imuniteti ligjor për fjalët e thëna në podiumin e Parlamentit tonë.

Vetëm një vit më parë po e lexoja librin e Ece Temelkuranit “How to Lose a Country: The 7 Steps from Democracy to Dictatorship”, që është një pasqyrim zemërthyes i kapërcimit të Turqisë në diktaturë parlamentare. Asokohe as që mund ta merrja me mend se, një vit më vonë, libri i saj do të shërbente si një dokumentim i zhvillimeve në Greqi. Shenjat nisën të shfaqen shumë shpejt, pasi partia konservatore Demokracia e Re e mori drejtimin e Qeverisë, pak kohë para pandemisë.

Policia speciale bastisi kampuset universitare për të kënaqur partinë djathtiste qeverisëse. Pothuajse çdo kanal televiziv dhe radiostacion iu përul skllavërisht qëndrimit se Qeveria e re do “ta bënte Greqinë të madhe përsëri”. Refugjatëve të mjerë ministrat e Qeverisë do t’u referoheshin si “pushtues të paligjshëm”, duke marrë pjesë në urdhrin e paligjshëm dhe vrastar dhënë Gardës Bregdetare të Greqisë për t’i sprapsur në ujërat e stuhishëm lundrat e stërmbushura me burra, gra dhe fëmijë të dëshpëruar.

Ndërkohë, erërat e liga nisën të frynin në sistemin e drejtësisë. Në fillim të vitit 2020, skadoi mandati i presidentit. Qeveria, pasi kori sukses në amendamentimin e Kushtetutës ashtu që të mund ta zgjidhte një president të ri me shumicë të thjeshtë parlamentare, e zgjodhi kandidat të sajin ushtruesin e detyrës së kryetarit të Këshillit të Shtetit. Në fakt, mesazhi përçuar gjykatësve kryesorë, të cilët përballeshin me pensionim të detyrueshëm në moshën 67-vjeçare, ishte: Përmbajuni nga vendimi kundër Qeverisë dhe do t’ju pretë një punë e qetë.

Në kohën kur Evropa liberale po shpreh brenga lidhur me Hungarinë dhe Poloninë, të cilat po i përdorin të drejtat e vetos për buxhetin e BE-së në mbrojtje të regjimeve të tyre joliberale, askush nuk duket se po e vëren që shtetet e tjera anëtare të BE-së, si Greqia, janë nisur prapa tyre.

Gjatë vitit 2015, kisha komentuar se tanket më nuk janë të domosdoshme për ta rrëzuar demokracinë greke. Mjafton mbyllja e bankave.

Pesë vjet më vonë, diktatura transicionale e postmoderne parlamentare ka shkuar një hap tutje. Vetëm pak ditë më parë, në Ditën e Forcave të Armatosura, fotografia e një tanku shoqëruar nga aeroplanët luftarakë dhe raketat ishte reflektuar në fasadën e Parlamentit të Greqisë. Aty pranë, përballë Sheshit Sintagma, që është zonë tradicionale si e demonstratave pro demokracisë ashtu edhe e paradimit të tankeve që përherë e shënojnë suspendimin e demokracisë, ishte i shënuar dukshëm ky mbishkrim në mur.

(Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave në Greqi, është shef i partisë MeRA25 dhe profesor i Ekonomisë në Universitetin e Athinës. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).