OpEd

Beogradi në ngërç politik për shkak të Jerusalemit

Kritika më e ndjeshme kundër kryetarit Vuçiq, që e shpreh këtë ngërç diplomatik të Beogradit, vjen tani nga ish-ministri i Jashtëm dhe ish-kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq. Ai në një intervistë për “Insider Arabia”, që e botoi e përditshmja e Beogradit “Danas” (14.11.2020), thotë se tani Serbia gjendet në “pozitë të palakmueshme” që e dobëson qëndrimin e saj ndaj Republikës së Kosovës për shkak të zotimit për transferimin e ambasadës serbe në Jerusalem

Pas nënshkrimit të “marrëveshjes historike” midis Kosovës e Serbisë në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, më 4 shtator në Lindjen e Mesme u përhap me të madhe një video në mjetet sociale, ku del kryetari serb, Aleksandar Vuçiq, duke u ndalur në një dokument e duke fshirë djersët e duke shfletuar disa herë letrat pranë tij para së ta nënshkruante atë dokument në fund. Disa media proserbe në rajon lansuan se kryetari Vuqiç u befasua kur e pa atje zotimin për transformimin e ambasadës serbe prej Tel-Avivit në Jerusalem, pra e nënshkroi atë nën presion të “momentit historik”.

Megjithatë, kryetari Vuçiq kishte deklaruar pas kthimit në Beograd, ku u prit me shumë vërejtje të opozitës, se ai e kishte lexuar çdo fjalë në ato zotime “500 herë” një ditë më parë, mbeti si enigmë ajo video që shprehte qartë shqetësimin e tij para se ta nënshkruante dokumentin në fjalë.

Mirëpo, u pa qartë pas kthimit në Beograd se kryetari Vuçiq tani priste më shumë prej presidentit amerikan, Trump, në lidhje me Kosovën. Kështu, nuk ishte e rastit se dy kryetarë serbë, Aleksandar Vuçiq dhe Milorad Dodik, shkelën heshtjen e shtetarëve evropianë gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, duke apeluar serbo-amerikanët të votojnë për Trumpin e jo për Bidenin, i cili dihet se ç’qëndrime ka në lidhjen me Republikën e Kosovës.

Kuptohet, apelet e Vuçiqit dhe të Dodikut nuk ndikuan shumë, sepse më në fund qytetarët amerikanë vendosën më shumë vota për Bidenin, pra për kandidatin e Partisë Demokratike që dihet se ç’agjenda ka për Ballkanin e Lindjen e Mesme etj.

Mirëpo, në saje të kritikave të opozitarëve në vend dhe partnerëve në botë, tani Beogradi duket në ngërç diplomatik, përkatësisht në një pozitë të lakmueshme që e dobëson qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës si pasojë e zotimit për transformimin e ambasadës serbe në Jerusalem, sa që tani duket se ky zotim nuk do të zbatohet në mandatin e presidentit Biden.

Kritika më e ndjeshme kundër kryetarit Vuçiq, që e shpreh këtë ngërç diplomatik të Beogradit, vjen tani nga ish-ministri i Jashtëm dhe ish- kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq. Ai në një intervistë për “Insider Arabia”, që e botoi e përditshmja e Beogradit “Danas” (14.11.2020), thotë se tani Serbia gjendet në “pozitë të palakmueshme” që e dobëson qëndrimin e saj ndaj Republikës së Kosovës për shkak të zotimit për transferimin e ambasadës serbe në Jerusalem.

Sipas fjalëve të Jeremiqit, ky zotim është në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Sigurimit 478 të datës 20.08.1980 në lidhje me Jerusalemin, duke pranuar se “kjo është hera e parë që diplomacia jugosllave e serbe voton në mënyrë flagrante kundër një vendimi të obligueshëm për të gjithat shtetet anëtare të organizatës ndërkombëtare”. Problemi është, sipas Jeremiqit, se “kjo shkelje e qartë” e vendimit 478 e hedh poshtë tani bazën e diplomacisë serbe kundër Republikës së Kosovës, e cila “kërkon prej bashkësisë ndërkombëtare ta respektojë e ta përkrahë vendimin e Këshillit të Sigurimit 1244”.

Në këtë kontekst vlen të përkujtohet për gjeneratën e re se vendimi i Këshillit të Sigurimit 478 të datës 20.08.1980 hedh poshtë aneksimin e Jerusalemit lindor nga Izraeli, dhe kërkon nga shtetet anëtare t’i pranojnë e t’i tërheqin misionet e tyre diplomatike nga Jerusalemi. Siç dihet, Izraeli e okupoi Jerusalemin e vjetër më 1967 dhe Qeveria izraelite e shpalli menjëherë “bashkimin e Jerusalemit”, i cili u quajt “kryeqytet i bashkuar dhe i përjetshëm” i Izraelit. Mirëpo, këto mbeten “vendime qeveritare”, kurse Parlamenti i Izraelit e nxori më 30.07.1980 Ligjin për Jerusalemin, me të cilin ky status i ri i Jerusalemit (kryeqytet i bashkuar dhe i përjetshëm i Izraelit) mori vlerë kushtetuese. Mu për këtë, Këshilli i Sigurimit u mblodh atëherë dhe e aprovoi me 14 vota (me abstenim të SHBA-së) vendimin 478.

Ky ngërç politik i Beogradit ndihet tani edhe në Kosovë, e cila sivjet festoi me të madhe 10-vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, i cili u bë bazë e diplomacisë kosovare për promovimin e pavarësisë në botë dhe fushatën e saj për njohjen e Republikës së Kosovës në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Tani kjo bazë e diplomacisë kosovare, e cila siguroi aq njohje, është në provë sfiduese me zotimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem, i cili është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, përkatësisht me vendimin e Këshillit të Sigurimit 478.

(Autori është historian kosovar, profesor shumëvjeçar (1989-2018) i historisë së Lindjes së Mesme në Jordani, tani kryeredaktor i revistës “Studime Orientale”, në Prishtinë).