OpEd

Vaksinat e COVID-19: Nuk ka vend për skepticizëm

E ndiej si obligim profesional të bëj apel te të gjithë ata që dyshojnë se shpejtësia me të cilën u zhvilluan vaksinat nënkupton se ato mund të mos jenë të sigurta. Integriteti i të dhënave shkencore do të vlerësohet nga organizata me nam botëror si FDA e ShBA-së, MHRA e Britanisë se Madhe dhe EMA e Bashkimit Evropian. Në historinë e tyre asnjë nga këto autoritete rregullative nuk kanë aprovuar vaksina apo barna, të cilat nuk janë konsideruar se i plotësojnë kushtet e sigurisë, efikasitetit dhe kualitetit – krejt kjo pikërisht për shkak se mirëqenia e pacientit është kyç

Drita në fund të tunelit ka filluar të shihet dhe tejkalimi i COVID-19 tash duket realiteti më i afërt. Megjithatë, do të ishte naive ta hidhnim tiganin në zjarr, ndërsa peshku ende noton në det – së paku edhe për disa muaj.

Nuk ka asnjë fije dyshimi se lajmet për rezultatet pozitive nga studimet klinike të vaksinave të Pfizer/Biontech dhe Moderna paraqesin triumf të pashembullt të shkencës. Jemi dëshmitarë të rrallë të asaj se si shkenca është shumë afër shpëtimit të njerëzimit nga sfida më e madhe e këtij shekulli. Këto dy lajme po ashtu japin sinjalin se edhe vaksinat e tjera, si ajo nga Oxford/AstraZeneca kanë gjasa të jenë të suksesshme për vetë faktin se synojnë të kapen në pjesët e njëjta të virusit sikur vaksina e Pfizer/Biontech dhe Moderna.

Thellësia e kakofonisë në rrjete sociale që brohorit për vaksinën lë pak vend për të zbërthyer imtësitë shkencore rreth këtyre zhvillimeve shpresëdhënëse. Në kushte normale këto imtësi janë kryesisht preokupim i komunitetit shkencor dhe do të ishin të mërzitshme për publikun e gjerë. Por sot kushtet nuk janë normale. Sot po luftojmë përhapjen e një virusi që tashmë ka prekur mbi 55 milionë njerëz dhe ka marrë mbi 1 milion jetë në mbarë botën. Dhe sot, derisa lajmet premtuese për vaksinat po udhëtojnë me shpejtësi të dritës, është shumë e rëndësishme që të lexojmë edhe atë që shkruhet përtej kryetitujve e të dëgjojmë interpretimet shkencore me qëllim të informimit të drejtë të publikut dhe menaxhimit të pritshmërive karshi vaksinës. Rruga prej eksperimenteve në laborator deri te vaksinimi i secilit prej nesh është e shtruar me pengesa dhe vështirësi që paraqesin sfida për disa arsye.

E para, Pfizer/Biontech dhe Moderna kanë paralajmëruar se rezultatet e tyre janë pozitive me mbi 90% efikasitet të vaksinës. Por të dhënat e studimeve klinike ende nuk janë publikuar. Si rezultat mbetet e panjohur se çka nënkuptojmë me efikasitet. A e parandalon vaksina infektimin me virus? Apo e lehtëson tejkalimin e COVID-19 pas infektimit? Në shembullin e dytë i infektuari nuk pëson rëndë nga COVID-19 e besa mund të jetë edhe asimptomatik - por vazhdon t’i infektojë njerëzit e pavaksinuar dhe zinxhiri i përhapjes mbetet i njëjtë.

E dyta, sa më shumë që po afrohemi te vaksina aq më të qarta po bëhen sfidat logjistike të shpërndarjes së saj globale. Kur një substancë aktive është jostabile në aspektin molekular, vegla e vetme që kemi në dispozicion për të parandaluar degradimin është mbajtja në temperatura të ulëta. E pikërisht këtu shpërfaqet sfida globale: sa më e ulët temperatura e ruajtjes së vaksinës, aq më shumë do të vështirësohet përpjekja për vaksinim masiv. Të vetëdijshëm për këtë sfidë, Moderna duket se ka bërë studime të reja që të kutpojë se sa stabile është vaksina në frigorifer. Si rezultat, ata tash parashohin se vaksina e tyre mund të ruhet për 7 ditë në frigorifer (2-8°C) e jo në -20°C si më parë. Këto temperatura frigoriferi vlejnë edhe për vaksinën Oxford/AstraZeneca, që pritet të publikojë rezultatet e saja gjatë javëve në vijim. Situata është më e ndërlikuar me vaksinën e Pfizer/Biontech, sepse ajo duhet ruajtur në -80°C dhe këto temperatura të ngrirjes ekstreme kërkojnë kushte speciale gjatë transportit në mbarë botën.

E treta, ekzistimi i mijëra vaksinave në një laborator nuk do të na e zgjidhë problemin me pandemi – sepse neve na duhen me miliarda doza në botë – sidomos nëse kemi nevojë për vaksinim dy herë brenda një muaji. Për mua si shkencëtar farmaceutik, aftësia dhe kapaciteti i prodhimit të miliarda dozave në mënyrë të riprodhueshme, kualitative dhe me sa më pak humbje materiali mbetet pengesa më e madhe. Për t’i bëre ballë kërkesës së jashtëzakonshme për furnizim do të nevojiten disa qendra të fuqishme prodhimi.

Dhe e katërta, sa më joefikas të jetë prodhimi dhe sa më i ndërlikuar transporti, aq më e lartë do të jetë kosto e vaksinës dhe mundësia për t’iu qasur kësaj vaksine. Momentalisht vaksina e Oxford/Astrazeneca që ende nuk i ka publikuar rezultatet përfundimtare planifikohet të shitet për rreth 3 euro dhe e ka sasinë më të lartë të dozave të porositura në nivel botëror me 2.4 milardë doza. Ndërkaq Pfizer/Biontech, që do të kushtojë rreth 35 euro, i ka diku rreth 530 milionë doza të porositura, ndërkaq Moderna, që do të kushtojë rreth 50 euro, ka diku rreth 50 milionë doza të porositura deri në fund të vitit.

Përderisa këto katër sfida kanë potencial të na e ngadalësojnë rimëkëmbjen nga pandemia, fakti që do të kemi disa vaksina në dispozicion paraqet lajmin më të mirë pas një përpjekjeje globale të respektimit të masave parandaluese – sidomos kur pritjet ishin se vaksina do të na vinte dikur 18 muaj pas fillimit të pandemisë.

E ndiej si obligim profesional të bëj apel te të gjithë ata që dyshojnë se shpejtësia me të cilën u zhvilluan vaksinat nënkupton se ato mund të mos jenë të sigurta. Integriteti i të dhënave shkencore do të vlerësohet nga organizata me nam botëror si FDA e ShBA-së, MHRA e Britanisë së Madhe dhe EMA e Bashkimit Evropian. Në historinë e tyre asnjë nga këto autoritete rregullative nuk kanë aprovuar vaksina apo barna, të cilat nuk janë konsideruar se i plotësojnë kushtet e sigurisë, efikasitetit dhe kualitetit – krejt kjo pikërisht për shkak se mirëqenia e pacientit është kyç.

Vonesa e publikimit të rezultateve të vaksinës së Oxford/AstraZeneca, që ishte e para në garë, është mu për faktin se kishin gati një muaj pauzë në studime klinike derisa e hulumtuan një efekt anësor tek vetëm një pacient nga mbi 30 mijë të tjerë që ishin pjesë e studimit. Në fund u dëshmua se efekti anësor nuk kishte lidhje me vaksinë dhe se ajo është e sigurt. Nëse vaksina që ishte e para në garë u ngadalësua në mënyrë që ta vërtetojnë sigurinë e saj pas efektit anësor tek vetëm një pacient, atëherë secili prej nesh duhet të kemi besim të plotë në integritetin e procesit të aprovimit të barnave. Është detyrë e secilit prej nesh që skeptikët e vaksinës t’i luftojmë me këto fakte që janë të rrënjosura në fuqinë e pakontestueshme të shkencës.

Hiç më larg se 12 muaj më parë, as që kishim dëgjuar për këtë virus që sot e ka paralizuar krejt botën dhe për të cilin disa në Kosovë me ngulm thonë se nuk ekziston. Në 12 muajt e ardhshëm përpjekjet për zhdukjen e virusit duhet të shkojnë krah për krah me uljen e skepticizmit ndaj integritetit të vaksinës dhe luftimin e pakompromis të dezinformatave.

(Dr. Kreshnik Hoxha është shkencëtar farmaceutik i angazhuar në zhvillimin e produkteve të reja mjekësore. Pikëpamjet e tij janë personale në bazë të përvojës profesionale dhe nuk përfaqësojnë ndonjë kompani farmaceutike)