OpEd

Ballkanizimi i Procesit të Berlinit

Më 10 nëntor, Sofja do të jetë nikoqire e samitit të gjashtë të “Procesit të Berlinit”; të parit të bashkëkryesuar nga një shtet anëtar i BE-së (Bullgaria) dhe një kandidati ballkanik (Maqedonia e Veriut). Synimi i kancelares Merkel, që nga viti 2014, kur në 100-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore e kishte iniciuar këtë nismë, ishte që ballkanasit të mësonin nga pësimet e luftës për ta parandaluar përsëritjen e saj. Pra, që përmes bashkëpunimit t’i tejkalonin armiqësitë historike. Mirëpo, samiti duket se është nën hijen e kontesteve të shekullit të kaluar. Jo vetëm midis vetë shteteve ballkanike (Kosovë-Serbi), por edhe midis atyre dhe shteteve anëtare të BE-së (Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe Greqi-Shqipëri). Nga Ballkani ende nuk janë shpërndarë retë e luftës. Kur u mendua se rajoni u demilitarizua, një rimilitarizim po ngre kokë. Lufta dhe paqja mbeten ende aktuale në Ballkan, me ligje të luftës, me paqe të papërfunduar e me paqe të padrejta.

1.

Para një çerekshekulli ishte arritur paqja e padrejtë për Bosnje e Hercegovinën. Po aty ku ishte ndezur shkëndija e Luftës së Parë Botërore - me aktin terrorist të vrasjes së një sovrani evropian. Paqe të drejtë nuk mund të kishte, me një entitet të krijuar mbi gjenocidin e Srebrenicës, ndërkohë që Tribunali i Hagës, tash e shtatë vjet, ende nuk morri aktgjykimin e plotfuqishëm dënues kundër ekzekutuesit të tij - Mlladiq! Për urdhërdhënësit e tij në Beograd, të djeshëm/të sotëm, as që bëhet fjalë.

2.

Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeti paqja e papërfunduar. Ajo nuk mund të përmbyllet me amnistimin e kriminelëve serbë të gjenocidit të kryer në Prekaz, Reçak apo Mehë. Jo me urimet e ndërkombëtarëve për postin e ri të fshehësit të varrezave masive të shqiptarëve të vrarë. Sidomos jo me nxjerrjen e UÇK-së para bankës së të akuzuarve të gjyqësisë ndërkombëtare, me ndërrimin e roleve të viktimës dhe agresorit. Të parët po ftohen në Hagë, kurse të fundit po riqeverisin Serbinë. Të parët në vitin 1999 ia dorëzuan armët NATO-s, e këta të fundit sot po armatosen me armët ruse. Kosovës nuk i lejohej ta ketë ushtrinë e vet mbrojtëse, kurse Serbia madje po hap edhe zyrën e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, pas hapjes paraprake të bazës ruse. Pse ky rimilitarizim i Serbisë? Për çfarë lufte për përgatitet Serbia, ky shtet që po negocion anëtarësimin në BE-në? Ky na qenka kontributi “paqësor” i Serbisë për Procesin e Berlinit, si timonier i “Mini-shengenit Ballkanik”?

3.

Në “luftë” janë edhe dy anëtarët e NATO-s - Shqipëria dhe Greqia - shkaku i mos shfuqizimit nga Athina të “Ligjit të Luftës” së vitit 1940! Lufta formale 80-vjeçare greko-shqiptare shlyhet me shfuqizimin e këtij ligji, e jo me kërkesa të reja territoriale në dëm të Shqipërisë, si ato për zgjerimin për 12 milje në detin Jon. Po në të njëjtin det ku para tetë dekadash ishin dëbuar çamët, por drejtësia ndërkombëtare vazhdon të heshtë. Tash, ujërat territoriale shqiptare po kërcënohen nga vetoja greke në BE. Dy fqinjët e parë evropianë mbetën në anët e kundërta të idesë evropiane.

4.

As vetë bashkëkryesuesit e këtij samiti - Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut - nuk duket se i kanë mbyllur hesapet e Luftës së Dytë Botërore. Ato do ta kryesojnë samitin që synon Ballkanin paqësor e bashkëpunues, ndonëse edhe vetë mbeten me konteste të pambyllura. Sofja kërkon vetëmohimin e maqedonasve, duke i mohuar - para 1945 - kombin dhe gjuhën, që natyrshëm kundërshtohet nga Shkupi si sulm identitar. Edhe këtu vetoja bullgare mund të shtyjë negociatat anëtarësuese me BE-në.

Ky pra është Ballkani para raundit të gjashtë të Procesit të Berlinit. Kaptinat e pambyllura të luftës e mbajnë peng paqësimin e plotë të rajonit. Me ligje lufte, me paqe të papërfunduar, me paqe të padrejtë, e me kontestime identitare, Ballkani do mbetet ende larg Berlinit.

Në vend të evropianizimit të Ballkanit, ka më shumë gjasa të ndodhë ballkanizimi i Evropës.