OpEd

Ummaja islame, Amfilohije dhe mbrojtja e shtetit prej religjionit

E drejta për të qenë njëkohësisht evropian, shqiptar dhe mysliman

1.

Një shqiptar vrau parmbrëmë në Vjenë katër veta, në një sulm “terrori islamik”.

Fjalia mund të thjeshtësohet edhe më: një shqiptar, mysliman, vrau katër veta dhe plagosi shumë të tjerë. Dhe e këtillë shërben për thjeshtësim të mëtejmë me të cilin vrasja e së hënës në Vjenë shërben për dy pyetje kolektive/vetakuzuese që gufuan në rrjetet sociale ndër shqiptarët: si është e mundur që një shqiptar të bëjë diçka të këtillë në kryeqytetin e përkrahësve më të mëdhenj evropianë për themelimin e shtetit shqiptar dhe çka nuk është në rregull me islamin, që një i ri të ndërmarrë këto veprime në emër të tij?

Lehtësia me të cilën mund të bëhen këto thjeshtësime është gjithashtu lehtësia me të cilën i tërë diskursi publik mund të futet në kurthin e paragjykimeve dhe ofendimeve, në kurthin islamik. Në të shqiptarët do të ishin më të mirë po të mos ishin myslimanë, e islami do të ishte më i mirë po të mos ishte islam. Kështu, në historinë e njerëzimit çdo krim që është bërë – madje edhe ato kundër njerëzimit - do të lidhnin kriminelin me kombin, e kombin me religjionin, dhe në fund do ta fajësonin religjionin.

Terrori në Vjenë mund të shpjegohet me një fjali më të ndërlikuar, ashtu siç është e ndërlikuar edhe jeta. Vrasësi i Vjenës ka qenë arrestuar si vullnetar i ISIS-it. Si shtetas austriak dhe i Maqedonisë Veriore ka vuajtur dënimin në Austri, dhe për shkak të moshës së re është liruar para skadimit të dënimit. ISIS ishte dhe është organizatë, e cila i mohon dy gjëra: përkatësinë kombëtare dhe lirinë e shkollave të ndryshme të interpretimeve të islamit. Në vështrimin e ISIS-it ekziston “ummaja islamike”, pra një popull mysliman, dhe ekziston vetëm një interpretim i islamit, atë çfarë e bëjnë ideologët/teologët e ISIS-it. Vrasësi në Vjenë kështu është një ushtar i “ummasë”, i cili zbaton ideologjinë/teologjinë e ISIS-it.

ky shpjegim pak më i ndërlikuar, vrasësi i Vjenës si ushtar i ISIS-it ka hequr dorë nga identiteti i tij kombëtar shqiptar dhe nga e drejta që myslimani ta mbajë besimin siç e mbajnë tradicionalisht shqiptarët, madje shumica e kombeve në botë.

Pra, jo, as shqiptarët e as islami nuk kanë përgjegjësi për vrasjen në Vjenë. Por, po, edhe shqiptarët e edhe islami janë në shënjestër të ISIS-it, së bashku me tërë botën tjetër që nuk pajtohet me ideologjinë/teologjinë e ISIS-it.

2.

Çdo thjeshtësim është i mangët dhe çdo thjeshtësim identitar prek në pika neuralgjike. E pashë sërish javën e kaluar kur reagova ndaj një thjeshtësimi të presidentit amerikan, Trump, i cili disa herë radhazi Kosovën e ka quajtur vend islamik apo shtet mysliman, gjë që e përsëriti edhe kryeministri izraelit, Netanyahu. Me këtë deklarim të presidentit amerikan ishte i entuziazmuar teologu dhe hoxha Shefqet Krasniqi, që e shihte përmbushje të mënyrës së tij të vështrimit të marrëdhënies mes shtetit, kombit dhe religjioneve. Reagova në rrjete sociale duke kërkuar më shumë seriozitet. Presidenti Trump ka njohuri shumë të kufizuara për Kosovën dhe për gjëra të tjera, siç qe rasti me idenë që të injektohet dezinfektuesi i pllakave të banjës në trupin e njeriut për ta shëruar koronavirusin. Prandaj sugjerova që hoxha të tregojë më shumë seriozitet me shëndetin dhe Kosovën: “Kosova nuk i përket asnjë religjioni: u përket qytetarëve të saj, të cilët mund të zgjedhin lirisht besimet e tyre, përfshirë edhe ato fetare”.

Komentet e përkrahësve të hoxhës, nëse spastrohen prej fyerjeve personale, janë se në Kosovë jeton një shumicë myslimanësh. Në fakt, ky është argumenti thjeshtësues, siç ishte ai i mësipërmi, i lidhur me vrasjen në Vjenë. Kosova, nga aspekti i vet identitar, është bërë shtet si aspiratë e shumicës së qytetarëve të vet, të cilët janë shqiptarë. Kosova nuk ka lindur si shtet i aspiratave të besimtarëve të saj, myslimanë apo të tjerë. Dhe, si shtet laik, jo vetëm që nuk pranon një religjion “shtetformues”, por ka obligim që të garantojë të drejtën e besimit të çdo besimi fetar.

Kur presidenti Trump apo hoxhë Shefqet Krasniqi thonë se Kosova është shtet mysliman, bëjnë gabim të mosnjohjes themelore të njërës prej vetive më të spikatura të shqiptarëve, laicitetin e tyre. Shqiptarët kanë vënë identitetin e vet kombëtar para atij fetar dhe kanë integruar brenda kombit e pastaj edhe shteteve të veta (me përjashtim të përkohshëm të periudhës së Enver Hoxhës) të drejtën që çdokush të ushtrojë besimin e vet brenda ombrellës së madhe laike kombëtare e shtetërore. Kjo ka bërë që islami ndër shqiptarë të jetë natyrshëm evropian para se një përpjekje e këtillë të ndërmerrej në vendet e tjera të kontinentit.

Në shtetet e shqiptarëve, e drejta për besim te myslimanët nuk fitohet me përqindje: këtë do ta kishin qytetarët e saj qofshin 1 për qind apo 99 për qind të popullatës. Të drejtën e besimit e ka individi, qytetari.

Pra, jo, Kosova nuk është shtet mysliman që ka njohur Izraelin, siç kumtuan Trumpi dhe Netanyahu. Kosova është edhe një shtet evropian që e ka njohur Izraelin; edhe një shtet evropian ku çdo besimtar (apo jobesimtar) jeton në paqe me besimin (apo agonsticizmin e ateizmin) e vet.

3.

Por Kosova, si shtet laik, ka edhe një obligim mbrojtjeje. Nuk obligohet vetëm ta mbrojë religjionin nga shteti, por duhet ta mbrojë edhe shtetin nga religjioni. Andaj edhe nuk mund të jetë shtet mysliman as islamik apo çfarëdo denominimi tjetër religjioz.

Ky është një mësim që ndër shqiptarët vjen natyrshëm dhe është lehtë i kuptueshëm. Për kombet e tjera është pjesë e një përpjekjeje inxhinieringu social. Pas themelimit të Republikës së Turqisë, prijësi i saj e vendosi shtetin mbi religjionin, ngriti identitetin kombëtar mbi atë fetar, vendosi Kushtetutë e ligje në vend të Kalifatit, qendrës interpretuese të islamit në botë. Një projekt i këtillë - i mbrojtjes së shtetit nga religjioni - jo rrallë u ekzekutua me masa drastike, deri te nxjerrja e ushtrisë në rrugë çdoherë që u besua se vendi po rrëshqiste drejt “islamizmit”. Prijësi i sotëm i Turqisë e ka vënë në një sprovë të re identitare atë në të cilën besimi mund të shndërrohet në tiparin e parë identifikues të qytetarit të Turqisë, gjegjësisht të shtetit, një shteti të madh të Lindjes së Mesme.

Dhe, në momentin kur përmendet Lindja e Mesme lehtësisht mund të rrëshqitet në paragjykime. Pra, është i mundur islamizimi i Turqisë, siç u bë i mundur islamizimi i Iranit më herët. Por, një këso lëvizjeje identitare ishte më e dukshme se kudo në botë javën e kaluar - jo në Lindje të Mesme, por në Evropë, në Mal të Zi - kur vdiq mitropoliti i Kishës ortodokse serbe, Amfilohije Radoviq. Turma e mbledhur për ta përshëndetur - përfshirë edhe puthjen e kufomës, e cila gjeti vdekjen nga koronavirusi - i ngjasonte më së shumti përcjelljes së fundit të imam Homeinit, e mbase edhe ia kaloi asaj, ngase ajatollahu i ndjerë nuk u puth në rrugëtimin e fundit. Dhe nuk kishte vdekur nga murtaja e sotme.

4.

Amfilohije Radoviq, ndoshta më shumë se çdo shembull i deritanishëm i përpjekjes së dominimit të identitetit fetar mbi identitetet e tjera (shtetërore, kombëtare), tregon forcën e shkatërrimit dhe rrezikun me të cilin ballafaqohen shoqëritë bashkëkohore, posaçërisht ato me brishtësi identitare e shtetërore, siç janë disa prej shteteve të ish-Jugosllavisë.

Mitropoliti i kishte prirë suksesshëm një lëvizjeje ideologjike/teologjike të ngjizjes së supremacisë serbo-ortodokse në hapësirat ku jetonte popullata serbe apo, si Mal të Zi, atë që ai konsideronte serbe. Prej bekimit të luftëtarëve serbë që shkonin në fronte kroate, atyre që bombardonin Sarajevën dhe së fundmi deri te nisja e protestave religjioze kundër ligjit të Malit të Zi me të cilin shteti mbrohej prej religjionit, mitropoliti arriti që në masë të madhe të shkrijë kufijtë natyrorë mes individit, kombit, religjionit e shtetit. (Sot, Mali i Zi jeton i ndarë dysh politikisht mes lëvizjes së prirë nga mitropoliti dhe forcave politike të një shteti laik). Në versionin e tij, aty ku jetojnë serbët (apo ata që ai konsideron të jenë serbë) do të qeverisë presidenti serb, çizmja serbe, kryqi i Kishës ortodokse serbe. Dhe miqësia e përhershme me Rusinë.

Në leximin e botës së Amfilohijes ekzistonte diçka si “ummaja” ortodokse. Në të ishte obligimi i shenjtë që besimi i Amfilohijes, interpretimi i tij dhe i bashkëmendimtarëve të tij të vendosen si mendim e besim serb e të “ummasë ortodokse”. Ai besim mund të vendosej me predikime të zjarrta apo duke vrarë civilë kalimthi nëpër rrugë, sikur bëri vrasësi i Vjenës të hënën. Apo, nja 25 vjet më herët, duke mbledhur e ekzekutuar mbi tetë mijë banorë të Srebrenicës brenda disa ditëve, sepse kishin qëlluar të besimit tjetër prej “ummasë” ortodokse. Sepse kishin qëlluar myslimanë.