OpEd

Në kaos, për të dalë nga kaosi

Për të satën herë me radhë zgjedhjet po na e tregojnë një problem elementar: se nuk e dimë se as sa jemi. Se nuk e dimë se sa njerëz i kemi jashtë. Dhe, përfundimisht, nuk e dimë se sa njerëz kanë dyshtetësinë që ua mundëson votimin në Kosovë. Ky kaos i konvenon dikujt. Se po të mos ishte ashtu, nuk e kishim diskutuar të njëjtën gjë para secilës palë të zgjedhjeve që mbajmë

Në ditën kur zyrtarisht nisi fushata zgjedhore, në Kosovë u kthye Ekspedita dyanëtarëshe e alpinistëve të KAP-it, që ngriti flamujt shtetëror e kombëtar në majën më të lartë të botës, Mount Everest. Pas shtegtimit 66-ditësh, me buxhetin minimal që nuk u dha hapësirë për asgjë më tepër sesa pajisjet elementare për ta pushtuar Everestin, u kthyen krenarë me arritjen që nuk është vetëm e tyre, por edhe e alpinistëve shqiptarë, e mbi të gjitha e Kosovës.

Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula e futën Kosovën në listën e shteteve që e kanë mbërritur kulmin e botës, dhe me këtë veprim hapën rrugën që edhe Kosova, me kapacitetin e pashfrytëzuar natyror e turistik që e ka, të bëhet cak i vizitorëve të huaj dhe i të gjithë adhuruesve të natyrës. Një ju lumtë e madhe për një sukses kaq të madh.

Dhe kishe nisi fushata

Sukses të këtillë do të donin të arrinin edhe politikanët tanë, që nga e marta nisën zyrtarisht të na e kërkojnë votën. Duke e shfrytëzuar zbrazëtinë e madhe që e ka lënë një ligj i pareformuar zgjedhor, që nisi të amendamentohej më 2011 dhe nuk mbërriti askund për shkak të mungesës së vullnetit politik, fushatën e nisën shumë, shumë më herët.

Madje u treguan aq agresivë, saqë kërkonin që të shfaqeshin nëpër ekranet televizive edhe në kundërshtim me dispozitat e akteve nënligjore të KPM-së, që e ndalojnë propagandën politike të paguar para se të nisë zyrtarisht fushata. Disa nga mediumet elektronike nuk çanë shumë kokë për ligjin dhe i mbajtën debatet ashtu siç ua mori mendja; transmetuan spote politike dhe emisione speciale komerciale – dhe kaluan pa therrë në këmbë. Së paku nuk është dëgjuar nëse do t’u jetë shqiptuar ndonjë gjobë nga KPM-ja për shkak të këtyre veprimeve. Fundja, nuk do të ishte hera e parë në Kosovë që shkelja e ligjit do të kalonte pa ndëshkim. Kjo na është bërë “markë tregtare”.

Që të mos vijmë në këso situatash absurde dhe qëllimisht të pakontrollueshme, sugjeroj që për zgjedhjet e ardhshme komunale, KQZ-ja të miratojë një akt nënligjor me të cilin do të vendosë që fushata të nisë që nga dita kur shpallen zgjedhjet. Edhe ashtu po na e çajnë kokën tre-katër muaj para ditës së zgjedhjeve – bile le ta bëjnë në formë të organizuar dhe me njëfarë rendi.

KQZ-ja dhe votuesit

E meqë jemi te rendi, u bë rend i gjatë i atyre që me ditë të tëra u përpoqën që të regjistroheshin si votues nga jashtë, e besa edhe të tillë që përpiqeshin të kuptonin nëse ishin në listat e votuesve dhe ku i kishin vendvotimet. Mbase do të ketë qenë interesimi i madh ai që e bllokonte faqen e KQZ-së, porse bile nja dy ditë ka qenë e pamundur të merrje informatën e duhur prej aty.

Nejse, afati për regjistrim të votuesve nga jashtë ishte i shkurtër, dhe sipas kumtesës së KQZ-së, në këtë kategori u paraqitën diku rreth 20 mijë veta. KQZ-ja ua miratoi kërkesat gati 15 mijë votuesve, duke i refuzuar nja 5 mijë “për shkak se nuk i kanë dëshmuar kriteret e zotësisë juridike”. KQZ-ja nuk e shpjegoi se çfarë saktësisht do të thotë ky përkufizim. Ajo që u bë e qartë është se 5 mijë veta nga jashtë, që janë paraqitur për votim, nuk do të votojnë.

Nga ana tjetër KQZ-ja ka nisur vonë, shumë vonë me fushatën e vetëdijesimit të votuesve dhe sërish ia ka deleguar një pjesë të përgjegjësive të veta OSBE-së për katër komunat në veri. Pavarësisht faktit se OSBE-ja thotë se do të ketë angazhim minimal, e kemi parë nga herët e shkuara se kjo organizatë i ka kryer të gjitha punët për KQZ-në. E kjo e fundit u zu sërish në befasi, ani që ne e kemi rregull të pashkruar të mbajmë zgjedhje çdo tre vjet, ndërsa KQZ-ja mbetet institucion i përhershëm.

Por problemi më i madh qëndron te numri i votuesve. Shifrat zyrtare na tregojnë se Kosova ka më shumë votues seç ka popullsi, dhe kjo sërish e vërteton atë që e kemi thënë qysh më 2011-n: se regjistrimi i popullsisë ka qenë keq i organizuar dhe se rezultatet që i ka nxjerrë janë të pasakta.

Natyrisht, për këtë punë nuk duhet fajësuar KQZ-në, sepse s’është punë e saj. Ka qenë punë e Ministrisë së Administratës Publike dhe e Punëve të Brendshme, e besa edhe e Ministrisë së Jashtme, që të dihet se çfarë popullate ka Kosova brenda dhe jashtë shtetit.

Nëse mbështetemi në regjistrimin e popullsisë së 1981-s, herën e fundit kur jemi regjistruar si duhet, dhe nëse llogarisim se çdo vit Kosova mesatarisht rritet për nga 33 mijë banorë, atëherë Kosova, sot, do të duhej të numëronte 2,7 milionë banorë. Po qe se supozojmë, mbështetur në një statistikë të deklaruar nga Agjencia Statistikore e Kosovës, se jashtë shtetit ka rreth 700 mijë kosovarë, atëherë del se në Kosovë ka rreth 2 milionë banorë rezidentë. Sërish, po qe se vlerësimi mesatar është i duhuri, atëherë del se në Kosovë ka rreth 600 mijë qytetarë nën moshën 18 vjeç, që nuk mund të votojnë. Që do të thotë se të drejtë vote në Kosovë do të kishin 1,4 milionë banorë. Nëse këtyre u shtohet bile gjysma e diasporës së deklaruar, numri mbërrin në 1,75 milionë banorë: sërish më pak sesa është numri i votuesve të regjistruar sipas regjistrit civil (1.885.000 votues).

Pra, zgjedhjet, për të satën herë me radhë po na tregojnë një problem elementar: se nuk e dimë se as sa jemi. Se nuk e dimë as sa veta në të vërtetë janë gjallë dhe të aftë për të votuar. Se nuk e dimë se sa njerëz i kemi jashtë. Dhe, përfundimisht, nuk e dimë se sa njerëz kanë dyshtetësinë që ua mundëson votimin në Kosovë.

Ky kaos i konvenon dikujt. Se po të mos ishte ashtu, nuk e kishim diskutuar të njëjtën gjë para secilës palë të zgjedhjeve që mbajmë. E ky kaos duhet të zgjidhet – dhe do të ishte mirë që kushdo që i fiton zgjedhjet t’i nisë përgatitjet për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë me kohë dhe me njerëz seriozë që e kuptojnë peshën e mbledhjes së këtyre shënimeve. Sepse me gjithë tre vjetët përpara, nuk ka kohë boll.

Ndërkohë...

Tre vjet (varësisht se kush i fiton zgjedhjet) do të rrijë në kolltukun e shefit të QKUK-së daja Curr. I vlerësuar pozitivisht për performancën trevjeçare, ku pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar për të mirë në qendrën më të madhe klinike publike të Kosovës, Gjocaj u emërua drejtor edhe për një mandat dhe pa konkurs.

Duke qenë shëndetësia njëri nga sektorët më katastrofal që ka Kosova, ku Ministria e Shëndetësisë di të blejë barna me çmim 100 për qind më të lartë se dikur, nuk kemi çka të themi më shumë se këtu nevojitet të ndodhë një revolucion, se ndryshe gjërat nuk do të lëvizin para.

Nga ana tjetër, në javën që shkoi doli në pah edhe një shënim që tregon se sa lehtë është të vidhet paraja publike në Kosovë. Mbi një mijë rekomandime që kanë rrjedhur nga raportet e auditimit, realizuar nga Zyra e Auditori të Përgjithshëm, janë shpërfillur nga institucionet vetëm vitin e shkuar. Natyrisht, në mungesë sanksionesh, kush mërzitet për rekomandime të kujtdo qoftë.

Arsimi, nga ana tjetër, vazhdon të jetë temë përherë interesante për vizita politike. Në mes të fushatës, personi i cili nuk ka fare kompetenca në arsim, kryetari i shtetit, shkon e takohet me arsimtarët dhe shtron darka, natyrisht me paratë tona. Se çfarë flet me ta, një zot e di. Porse, meqë hija e partisë nuk i është hequr, konkludohet se me gjasë do t’u premtojë, siç ka zakon, gjëra që nuk realizohen, porse sjellin vota. Dihet për kënd.

Institucionet të gjitha i kemi në fushatë. Deri në ditën e zgjedhjes kanë me na lodhë rrena e pallavra. Do të na neveritin me shoqëritë e reja dhe “dashurinë” që kultivojnë për njëri-tjetrin, për interesin e një posti. Do të vazhdojnë të na çudisin me inkonsistencën e tyre dhe me aftësinë si prej magjie për të ndërruar tabor, e fjalë, e sjellje.

E mira e gjithë kësaj është se kjo fushatë përfundon javën që vjen dhe nuk do të detyrohemi t’i durojmë gjatë përsëritjet e përrallave të tyre.

* * *

Këto zgjedhje do të jenë më ndryshe vetëm për shkak të faktit se tash kemi edhe koalicione parazgjedhore dhe disa njerëz të rinj që mund të sjellin ndryshime pozitive brendapartiake, për pasojë edhe në nivel shteti. Porse edhe këto do të zhvillohen me një ligj të keq zgjedhor që pati kaluar pa u lexuar menjëherë pas Pavarësisë. Do të zhvillohen me premtimin e prokurorëve se do të ndiqen ata që do të zihen duke bërë keqpërdorime gjatë votimit, në kushtet kur nuk do të ketë ndonjë kontroll kur të numërohen votat. Në të kaluarën ka pasur vendime me të cilat janë anuluar komplet votat nëpër vendvotime të caktuara – dhe nuk ka garanci që kjo nuk do të mundë të përsëritet.

Dhe, në fund, kur nuk do t’u realizohen planet e kalkulantëve politikë që luftojnë për tituj e për poste më parë sesa për shtetin, do t’ia nisë telenovela që do të na e ngufasë jetën edhe ndonjë javë. E gjitha, ka gjasa shumë të mëdha që të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, e cila herën e kaluar e pati shkretuar plotësisht. Aq, sa e ka lënë të paqartë se çka ndodh nëse mandatari i propozuar i njërës parti/koalicion nuk ia del ta formojë Qeverinë as pas tentativës së dytë. Mbase ky do të jetë rasti që edhe Kushtetuesja të përmirësohet, meqë aty më nuk është Baba. E mbase edhe ky do të jetë rasti i nisjes së një reforme të mirëfilltë zgjedhore që do ta mbrojë votën e sovranit.

E sovranit nuk i mbetet më shumë sesa të dalë e të votojë.

Nëse për asgjë, atëherë për të mos i votuar të korruptuarit. Çka është shumë, shumë është.

flaka@koha.net