OpEd

Na riktheni yjet tona

Tërheqja nga The Dreamers, Salloni i 58-të i Bienales së Beogradit

Letër e hapur

Në vitin 2019 u ftova nga Ilaria Marotta dhe Andrea Baccin të marrë pjesë në Sallonin e 58-të të Bienales së Beogradit me titullin The Dreamers, ngjarje e organizuar dhe e drejtuar nga Qendra Kulturore e Beogradit (KCB), që do të hapet në tetor të vitit 2020.

Më gëzonte mundësia për të bashkëpunuar me KCB-në, dhe për të shkuar në Beograd për herë të parë si artist kosovar. Do ta ekspozoja videon që nxorëm nga Shkrepëtima, një performancë teatrale e vënë në skenë në Runik (fshati ku jam rritur në Kosovë, e ku gjithashtu ndodhet një ndër vendbanimet më të vjetra neolitike në rajon) midis rrënojave të Shtëpisë së Kulturës së Runikut — një simbol i identitetit lokal shumetnik që është mbyllur, është zbrazur dhe është braktisur që kur situata politike me Serbinë u përkeqësua gjatë viteve të '90-ta.

Për realizimin e Shkrepëtimës, ne mblodhëm një komunitet prej më se 80 personash dhe së bashku e pastruam hapësirën për ta kthyer jetën dhe zërin kulturor në Runik. Shkrepëtima u kushtohet ëndrrave të qytetarëve të Runikut dhe dukej se përputhej me qëllimin e Bienales, The Dreamers (Ëndërrimtarët).

Siç dihet, Serbia ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Pasi fillimisht kishte mohuar shprehjen kulturore të Kosovës dhe e kishte ngulfatur arsimin, gjatë viteve 1998-99 Serbia ndërmori një invazion të armatosur në Kosovë dhe e shtypi dhunshëm komunitetin e shqiptarëve të Kosovës, të cilit unë i përkas. Kjo shtypje është quajtur gjenocid dhe ka nxitur vendet e tjera të marrin anë; kjo ndodh edhe sot, kur Shpallja e njëanshme e Pavarësisë së Kosovës (2008) pjesërisht inkurajohet e pjesërisht neglizhohet. Gjatë gjithë këtyre viteve, Serbia zyrtarisht ka konsideruar represionin e Kosovës sikur trillim. Sikur të mos kishte ndodhur kurrë.

Por represioni ka ndodhur. Në vitet 1998-99 unë isha një ndër shumë njerëzit që u detyruan të jetonin si refugjatë në kampe për me se dy vjet pasi ishin shkrumbuar shtëpitë tona.

Ndihem me fat që kam shpëtuar gjallë. Pasaporta ime dhe ato të familjes sime u shkatërruan para syve tanë dhe përfundimisht na u mohua jo vetëm liria e lëvizjes, por edhe identiteti ynë. Pra, kur mora ftesën për të marrë pjesë në Bienalen e Beogradit përjetova një konflikt të brendshëm, por gjithashtu e pashë si mundësi për ta ndërtuar një urë, për ta çelur një dialog dhe për të eksploruar shtigje të reja të pajtimit përmes artit. Desha ta tejkaloja dikotominë e “neve” dhe të “atyre”, të “së mirës” dhe të “së keqes”, desha që më në fund ta çelja një hapësirë të përbashkët diskutimi në vend se të isha dëshmitar i thellimit të mëtutjeshëm të një ndarjeje që kishte përftuar kaq shumë urrejtje.

Kisha pritjen optimiste që institucioni artistik është hapësirë që ka kapacitet të përfaqësojë një pluralitet identitetesh dhe madje të mbajë qëndrime përtej politikave zyrtare rreth shtetit tim të origjinës, thjesht duke e quajtur atë me emrin e vet: Kosovë. Koncepti i The Dreamers, si dhe qëllimi i kuratorëve për t’i kapërcyer ndarjet kombëtare me këtë projekt mbështetën shpresën time. Fatkeqësisht u ballafaqova me një realitet krejtësisht të ndryshëm.

Me këtë letër dua të lë gjurmë për gjërat që kam përjetuar gjatë muajve të kaluar, të cilat më shtynë drejt tërheqjes nga pjesëmarrja në qershor. Kjo është natyrisht ana ime e rrëfimit dhe e di që ka këndvështrime të tjera që duhet të kihen parasysh. Sa më përket mua, unë po e bëj publik vendimin tim përmes një letre të hapur sepse tërheqja e heshtur do t’ia shtonte një shtresë tjetër pafuqie mohimit që kam përjetuar gjatë këtij procesi, si dhe mohimit e shuarjes së kujtimeve e të përvojave që kanë ndodhur përgjatë historisë.

Kështu shpresoj të nxitet një diskutim për kufijtë e kapacitetit politik për të vepruar në institucionet artistike të financuara nga qeveritë dhe që gjenden në shtete që ende synojnë politika nacionaliste dhe shtypëse; për potencialin e vetë ëndërrimit përmes praktikave artistike kur hapësira ekspozuese bëhet kornizë që përvijon kufijtë e indentitetit të artistit dhe kështu të vetë ëndrrës; dhe në përgjithësi, për situatën e tanishme politike mes Serbisë dhe Kosovës.

Kjo histori fillon në gjysmën e dytë të majit pas publikimit të listës së artistëve.

Kur lista e artistëve e The Dreamers u bë publike, Ilaria Marotta vërejti se shtetësia ime, Kosova, ishte mënjanuar nga komunikimi publik i KCB-së. Në tekst, secili artist ishte radhitur bashkë me të dhënat për vitin e lindjes, vendin e lindjes, shtetin, si dhe vendin e tanishëm të banimit dhe veprimit. Në rastin tim, emri i shtetit ishte lënë bosh pas presjes, gjë që - duke pasur parasysh kontekstin e tanishëm gjeopolitik dhe atë historik - instinktivisht e interpretova si mënjanim të qëllimshëm të informatës. Ky mënjanim ishte vendosur të bëhej nga KCB-ja pavarësisht nga Ilaria dhe Andrea, pa njoftim paraprak, mbase me shpresën që askush nuk do ta vërente dhe nuk do të bëhej punë e madhe.

Artisti imagjinon se ftohet jo për shkak të kombësisë ose vendit të lindjes, por për idetë që dëshiron t’i përçojë. Kjo është arsyeja përse do të pajtohesha me këtë mënjanim vetëm në qoftë se të gjitha shtetet e artistëve do të mënjanoheshin prej fillimit, për shembull si porosi për t’i kapërcyer haptazi ndasitë e shteteve dhe kombeve dhe për ta adresuar relevancën e tyre të diskutueshme brenda një projekti artistik.

Përkundrazi, në këtë mënyrë, mënjanimi i Kosovës nga uebsajti i KCB-së mori kuptim shumë më të gjerë dhe mund të lexohej vetëm përmes thjerrave të një mohimi më të gjerë dhe sistematik të natyrës politike. Në botën time të ëndërrt, unë dëshiroj që njerëzit do të mund të lëviznin lirshëm dhe pa përjashtim përtej kufijve gjeografikë dhe barrierave kulturore, siç parafytyroj se bëjnë zogjtë.

Por jemi ende larg, shumë larg plotësimit të kësaj ëndrre dhe besoj që mënjanimet e tilla nuk duhet të kalojnë pa u vënë re. Ato kanë relevancën politike që shkon përtej përvojës sime personale e profesionale dhe shpërfaqin ndërhyrje programatike politike dhe ideologjike që bëhen prapa skenave të institucioneve të artit.

Kjo nuk është hera e parë që jam ftuar të ekspozoj në një shtet që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, por është hera e parë që detyrohem ta tërheq punën time.

Projekti im më i fundit në Palacio de Cristal, Museo Reina Sofía në Madrid të Spanjës po ashtu gjendet në një institucion të financuar nga shteti, në një vend që nuk njeh pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, në këtë rast paraqitet Kosova. Madje edhe në qytetin e Beogradit ka hapësira artistike që shkruajnë emrin e Kosovës kur një artist kosovar ftohet ta ekspozojë punën e vet.

Isha i vetëdijshëm që mënjanimi nuk i përgjigjej vullnetit të drejtpërdrejtë të kuratorëve. Po kështu kuptoj që KCB-ja mbase përbëhet prej njerëzish me opinione thellësisht të kundërta politike dhe që jo të gjithë prej tyre do të pajtoheshin me këtë politikë shtetërore.

Por kur, atëherë, kemi kapacitet për të vepruar? Dhe në qoftë se nuk kemi, cili është çmimi i kësaj mospasjeje? Cila ishte arsyeja e kësaj fshirjeje? E diskutova këtë me kuratorët për ta parë këtë mënjanim si mundësi për ta çelur një dialog konstruktiv rreth çështjes së njohjes gjeopolitike të shteteve që ende konsiderohen si hapësira të neglizhuara në shkallën globale.

Qëllimi i The Dreamers është në fakt “ta hulumtojë kompleksitetin e kohëve të sotme, duke e vënë në pyetje jo vetëm natyrën mashtruese të reales, por edhe hapësirën e zënë nga ëndrrat, të menduara si trupëzim metaforik i një hapësire të lirisë, e cila ka aftësinë ta sfidojë qartësinë e botës reale, të dijes së fituar dhe të vetë bindjeve tona”.

Sidoqoftë, pranimi i mënjanimit të Kosovës do të kishte qenë më fort nënshtrim i pafuqishëm sesa ndërtim shpresëplotë i një hapësire të lirisë. Pajtimi me këtë mënjanim (i cili po ashtu do të nënkuptonte miratim të trajtimit të pabarabartë) më duket si pranim i mungesës strukturore të opinionit të lirë politik ose kapacitetit për të vepruar në këtë institucion të artit, gjë që për mua është në kontrast të drejtpërdrejtë me qëllimin fillestar të ngjarjes.

Pas kërkesës sime për ta përfshirë Kosovën, KCB-ja së pari u përgjigj duke më siguruar se kishte qenë gabim shtypi, dhe e ndryshoi disa herë para se ta shtonte Kosovën me një yllth (*Kosovo).

Në uebsajtin e KCB-së, yllthi i *Kosovo duket se lidhej me fusnotën “Në vitin 2018, Bordi i Sallonit të 57-të të Tetorit mori vendimin për t’ia shtuar nëntitullin Bienalja e Beogradit emrit të Sallonit të Tetorit në të ardhmen”. Si shenjë që dukej se ishte pa ndonjë të keqe, ajo jep përshtypjen se vërtetë ka qenë gabim shtypi; se është futur gabimisht në tekst dhe është lidhur me diçka të pavend. Shumë lehtë kishte mundur të mbetej pa vënë re.

Por yllthi i *Kosovo është i ngarkuar me implikime të rënda politike që fshiheshin në uebsajt.

* është rezultat i një marrëveshjeje të vitit 2012 për ta lejuar Kosovën t’i përfaqësojë institucionet e veta pa autoritetin e Misionit të OKB-së (deri atëherë, Kosova shkruhej si Kosovo-UNMIK). Ky yllth lejon që përfaqësuesit e Kosovës të referencohen në takime dhe marrëveshje rajonale vetëm me fusnotën që thotë se “Ky emërtim nuk paragjykon qëndrimet mbi statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”. Ky yllth është deklarim i “asnjanësisë mbi statusin” dhe përsërit mospranimin e Serbisë për ta njohur Kosovën si vend të pavarur. Yllthi nuk korrigjon aspak një shekull të tërë të shtypjes dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë dhe është e dhimbshme që kjo shihet në kontesktin e një institucioni artistik që mund ta ketë një kuptim tjetër për këtë çështje.

Gjatë këtij procesi kam mësuar se qendra kulturore kishte negociuar me Ministrin e Punëve të Jashtme për përfshirjen e Kosovës dhe modifikimin e numrit të plotë të shteteve pjesëmarrëse. Koha mes këtyre modifikimeve më ka dhënë mundësinë të mendoj dhe të vështroj se sa të papërgatitur të gjithë ne jemi për t’u ballafaquar me çështje të tilla, por edhe për të reflektuar dhe për të mësuar se si të merrem me to.

Dua të besoj se arti ka potencial transformativ. Ky besim është gjithashtu një ndër arsyet përse ia kam kushtuar jetën artit. Por kjo përvojë ngre disa pyetje: cila është aftësia e njëmendtë e institucioneve të artit për të ëndërruar dhe cila është hapësira që janë të gatshëm t’ua ofrojnë artistëve për të ëndërruar? Dhe nëse artistëve u jepet një kornizë e caktuar për ëndrrat e tyre, një kornizë që përvijohet dhe mbikëqyret nga pushteti dhe politika mbizotëruese, atëherë sa larg mund të shkojmë?

Në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje asnjanëse dhe në pamundësi për ta shtuar Kosovën, KCB-ja modifikoi uebsajtin sërish duke i fshirë të gjitha shtetet e artistëve pjesëmarrës, dukë i lënë vetëm qytetet. Thanë se kaq mund të bënin.

Prapëseprapë, ndjeva se tërheqja e Shkrepëtimës ishte e nevjoshme dhe se një letër e hapur mund të ishte vegël më e mirë për diskutim në një kontekst ku vepra e artit i nënshtrohet rrezikut të keqpërçimit dhe keqinterpretimit, ose madje të instrumentalizohet politikisht përtej fuqisë dhe qëllimeve të kuratorëve të The Dreamers ose të drejtuesve të KCB-së.

Vetëm pas tërheqjes sime, KCB-ja dhe kuratorët e këtij edicioni të Bienales së Beogradit vendosën t’i fshijnë të gjithë emrat e qyteteve dhe shteteve të përfshira nga komunikimet publike, duke lënë vetëm të dhënat për vitin e lindjes. Kjo shenjë e lënë nga tërheqja ime ka krijuar një antecedent për edicionin e radhës dhe shpresoj që do të kumbojë përtej kontekstit rajonal të Serbisë dhe të Kosovës.

Kjo letër është rezultat i plot kuvendimeve, shkëmbimeve të ideve dhe diskutimeve me bashkëpunëtorë, me kolegë dhe me miq, të cilët i falënderoj shumë. I falënderohem veçanërisht David Horovitz-it, i cili do të marrë pjesë në Bienalen e Beogradit dhe ka sugjeruar ta ndryshojë veprën e tij “Na Riktheni Yjet Tona” pas tërheqjes sime. Përmes këtij akti shoh një shenjë të rëndësishme solidariteti dhe këndelljeje. Është ndër shenjat që më jepin shpresë, dhe që ndjellin ëndërrime.