Rreth kandidaturave dhe programeve

Agron Bajrami Agron Bajrami 04 qershor 2017 08:02

I. Për kandidaturat kryeministrore

E gjithë gara zgjedhore në këto ditët e para të saj, në masë të madhe, është reduktuar në tri kandidaturat për kryeministër.

Tre të nominuarit na shfaqen si figura qendrore, rreth të cilave partitë dhe koalicionet përpiqen të ndërtojnë perceptimin se është pikërisht kandidati i tyre i vetmi që mund të zbatojë të premtuarën.

Sigurisht, është gjithsesi mirë që votuesi ta dijë saktë se kush e merr përgjegjësinë për të zbatuar premtimet elektorale, të cilat në të kaluarën tonë vazhdimisht kanë qenë zotime boshe, të sajuara për të joshur votën, por jo edhe për t’u zbatuar në realitet.

Kësaj radhe situata del të jetë më e favorshme për votuesin, marrë parasysh qindra premtime të parealizuara nga zgjedhjet e kaluara dhe ato para tyre, e që duket se e kanë shtuar shumë mosbesimin e elektoratit kosovar ndaj politikanëve që premtojnë ta bëjnë Kosovën si Zvicra brenda natës.

Thënë shkurt, askush më nuk i beson premtimit për heqje vizash, as për 90 ditë, as për 900 ditë.

Dhe ky mosbesim i elektoratit ka gjasa të shtojë presionin ndaj kandidatëve për kryeministër që të argumentojnë më në detaje mënyrën si ata mendojnë të zbatojnë një reformë apo ndryshim politik, sepse më nuk mjafton vetëm të thuhet, shembull, “do ta bëjmë ushtrinë”. Votuesi do të dijë si do të bëhet kjo, posaçërisht marrë parasysh se tashmë kemi parë se vetëm vullneti për të marrë një vendim nuk mjafton që ai vendim të bëhet edhe realitet. Ushtria është vetëm një nga shumë shembujt e tillë.

Po ashtu, kur flasim për kandidaturat kryeministrore, votuesit nuk i mjafton prezantimi i programit qeverisës. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të shohin ballafaqim të programeve, debat mes kandidatëve për kryeministër, për të parë se cili program qeverisës është më rezistues ndaj kritikave oponente. Për këtë arsye, ata që refuzojnë ballafaqim, nën pretekste nga më të ndryshmet, vetëm sa dërgojnë mesazh dobësie dhe pasigurie tek qytetarët, gjë që vetëm mund ta rrisë mosbesimin, e assesi ta shtojë atë.

II. Për programet zgjedhore

Nga tri listat e mëdha që garojnë, këtë vit shohim një përpjekje edhe më të madhe se viteve të tjera për të ofruar programe të detajuara qeverisëse dhe zgjidhje më konkrete për problemet e mbledhura. Sa këto plane e programe qeverisëse janë reale, është një çështje që do diskutim të gjerë, sepse në ato që janë dëgjuar deri më tani ka shumëçka që qëndron, por edhe shumëçka që i takon domenit të fantastikës shkencore.

Por, kësaj radhe duket se qytetari është shumë më skeptik rreth ofertave, dhe do t’i analizojë ato më me rigorozitet, para se të vendosë se kujt do t’ia hedhë votën.

Natyrisht, një pjesë e votuesve janë klientë partiakë, dhe si të tillë ata votën tashmë e kanë vendosur se kujt do t’ia japin, pavarësisht programit zgjedhor dhe premtimeve elektorale. Por, e vërteta është se zgjedhjet në Kosovë i vendosin të pavendosurit. Deri më tani i kanë vendosur duke e fragmentuar votën në parti të shumta, apo duke abstenuar nga votimi. Por, këtë vit zgjedhja është me e thjeshtë se kurdoherë më parë, dhe gjithçka do të varet nga përqindja e atyre që do të votojnë.

Nëse partitë garuese dalin me programe më realiste, me objektiva më të arritshme, dhe me plane konkrete veprimi se si arrihet progresi, gjasat janë që votuesit e fjetur – ata që rëndom i shmangen daljes nga shtëpitë në ditën e votimit – do të zgjohen në numër më të madh, dhe një gjë e tillë mund të sjellë befasi të shumta në rezultatin zgjedhor.

III. Për listat zgjedhore

Natyrisht, këto janë zgjedhje parlamentare, dhe këtë gjë votuesit do të bënin mirë që të mos e harronin. Qëllimi i këtyre zgjedhjeve është që vota e lirë e qytetarit të prodhojë një institucion përfaqësues me 120 deputetë që kanë fituar mandate nga qytetarët për të marrë vendime në emrin e tyre.

Kështu, lehtë mund të ndodhë që, shembull, asnjëri prej tre kandidatëve për kryeministër të mos përfundojë në krye të qeverisë fare, dhe që dikush krejt tjetër ta marrë mandatin për të formuar qeverinë dhe votën e Kuvendit për të qeverisur vendin pas zgjedhjeve.

Andaj, votimi i 11 qershorit, në të vërtetë, nuk është për kryeministër e as për Qeveri, por është për përbërjen e Kuvendit. Dhe, në këtë pikë mund të ndodhë ndryshimi më i madh, sepse, pa marrë parasysh se cilën listë zgjedhore e preferojnë votuesit më tepër, varësisht se kush nga kandidatët individualë fiton mandatin e deputetit, do të kemi një Kuvend më të mirë apo më të keq, krahasuar me të kaluarin.

Prandaj, derisa fushatën e bën më interesante shfaqja e kandidatëve për kryeministër, përqendrimi i votuesit duhet të jetë se cilin nga kandidatët për deputetë do ta votojë. Në rastin më të mirë, kosovarët do të votojnë njerëz më me integritet, njerëz që janë në gjendje të dalin edhe kundër partisë së vet për çështje në të cilat besojnë, njerëz që do të refuzojnë të shndërrohen në shërbëtorë të Qeverisë, dhe do t’i shërbejnë qytetarit. Sigurisht, do të ishte mirë nëse votuesit masivisht i bashkohen fushatës #AsUne, për të mos votuar ata që dyshohen apo besohet se janë të korruptuar, apo që është e dëshmuar se e kanë keqpërdorur mandatin politik në të kaluarën.

E gjithë kjo, në praktikë, do të thotë që rruga më e sigurt për të imponuar ndryshim pozitiv përmes zgjedhjeve është të votohen sa më shumë ata që nuk kanë pasur përgjegjësi politike e qeverisëse në të kaluarën.

Një gjë e tillë është shumë lehtë e arritshme, sidomos marrë parasysh se një numër i madh i qytetarëve tashmë janë ngopur nga politikanët që për 15 vjetët e fundit e kanë dominuar skenën politike dhe institucionale, ndërsa një numër tjetër, jo i vogël – mbi 100.000 votues – do të votojë për herë të parë në këto zgjedhje, dhe pritjet janë se të rinjtë do t’ua hedhin më shumë votën të rinjve sesa “veteranëve” të politikës kosovare.

Nëse, pra, vota e 11 qershorit rezulton me ndryshime të mëdha në përbërjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kjo do të jetë gjysma e rrugës deri te ndryshimi i plotë që kërkohet – ai i mënyrës së qeverisjes.

IV. Për ditën e votimit dhe periudhën paszgjedhore

Historia e zgjedhjeve të kaluara në Kosovë është e tillë, e bën shumë reale mundësinë e manipulimeve masive zgjedhore. Partitë dhe politikanët e ndryshëm në të kaluarën janë treguar të paskrupullt në përdorimin e metodave nga më të ndryshmet për të shënuar fitore zgjedhore. Nuk kanë hezituar të kërcënonin e frikësonin votuesit, dhe të blinin e manipulonin, vidhnin e falsifikonin votat.

Si shembull, rëndom përmenden zgjedhjet e vitit 2010, kur në disa vendvotime vjedhja e votës ishte masive, dhe, me gjithë faktin se manipulimet u evidentuan, rezultati i atyre zgjedhjeve u pranua, ndërsa ata që përfituan më së shumti nga hajnia zgjedhore nuk u ndëshkuan për manipulimet që i bënë.

Këtë vit organizimi i rregullt i zgjedhjeve do të jetë me rëndësi esenciale për shtetin e Kosovës. Nëse situata në ditën zgjedhore do të jetë përsëritje e asaj që ndodhi në vitin 2010, kjo jo vetëm se do ta vërë në pikëpyetje kredibilitetin e vendit, por edhe mund ta fusë gjithë shoqërinë në një konflikt të thellë dhe të rëndë, që do t’i tejkalojë përmasat e asaj që kemi parë në periudhën pas zgjedhjeve të vitit 2010 (kur ndodhi ajo që tashmë ka zënë vend në historinë e Kosovës si “vjedhje industriale e votës”), apo pas zgjedhjeve të vitit 2014 (kur problem nuk ishte manipulimi në ditën e zgjedhjeve, por manipulimi dhe zvarritja institucionale pas hedhjes së votës).

Kjo, për shkak se tani gatishmëria e shoqërisë për të pranuar rezultatin e një manipulimi të mundshëm zgjedhor është shumë më e vogël sesa para shtatë vjetësh, që do të thotë se një proces i dëmtuar zgjedhor do të kundërshtohet ashpër nga shumë segmente të shoqërisë, ndërsa Kuvendi dhe Qeveria, të dala nga zgjedhje të tilla, zor se do të pranohen si legjitime.

Andaj, është me rëndësi qenësore që institucionet përgjegjëse me organizimin e zgjedhjeve dhe mbrojtjen e kredibilitetit të tyre të kryejnë punën e vet. Kjo përfshin edhe nevojën që procesi të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur – që për rezultate të mos pritet me ditë të tëra – dhe që incidentet zgjedhore të shmangen përmes masave të shpejta dhe agresive ndaj partive, jo vetëm ndaj individëve.

V. Shkurt për mediat

Është fatkeqësi e llojit të vet që sot në Kosovë mediat janë shumë më të politizuara dhe anuese se që ishin para dhjetë vjetësh apo më shumë. Numri i internet-portaleve, kanaleve televizive, e edhe gazetave, elektronike e të shtypura, që hapur marrin anën e partive dhe kandidatëve të caktuar politikë, nuk respektojnë fare kriterin e raportimit të paanshëm e të balancuar nga fushata zgjedhore dhe vullnetarisht shndërrohen në mjete të propagandës politike, është shumëfish më i madh krahasuar me numrin e atyre mediave dhe gazetarëve që ende përpiqen të kryejnë punën drejt dhe profesionalisht.

Hapësira e debatit publik dominohet nga opinionet dhe analizat laike e të painformuara, ndërsa qytetari, votuesi i rëndomtë, bombardohet nga interpretimet e qëndrimeve politike, në vend se të ushqehet me fakte të vërtetueshme dhe analiza të qëndrueshme e të argumentuara.

Kur kësaj i shtohet edhe efekti i rrjeteve sociale, ku më nuk dihet se çka është informacion e çka mendim, cili është burim kredibil e çka lajm i rrejshëm, dhe kush qëndron prapa postimit – konkludimi që arrihet është turpërues për mediat dhe gazetarët: Kurrë në histori nuk kemi pasur më shumë media, dhe kurrë më pak informacione të besueshme.

Dhe kjo është arsyeja pse shpejt pas këtyre zgjedhjeve, derisa shoqëria do të bëhet gati të jetojë me pasojat e votës së 11 qershorit, mediat dhe gazetarët do të duhej të shtronin pyetje shumë esenciale rreth së ardhmes së vet dhe rolit në shoqëri.

agronb@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami