OpEd

Trumpi dhe Merkeli në urën e Mitrovicës

Përçarja atlantike e zë Kosovën "as me shehër,as me Barilevë"

1.

Imagjino për një moment se presidenti amerikan Trump dhe kancelarja gjermane Merkel takohen në mes të urës së Mitrovicës.

Biseda e tyre përqendrohet te çështjet transatlantike, parësisht te roli i NATO-s dhe mënyra se si t'i intensifikojnë marrëdhëniet SHBA dhe BE. Presidenti Trump përsërit thënien e fushatës se anëtaret evropiane të NATO-s duhet të paguajnë më shumë nga buxheti i tyre për mbrojtje dhe përsërit heshtjen (për dallim prej çdo pararendësi të tij prej Luftës së Dytë Botërore e këtej) ndaj artikullit 5 të Traktatit të NATO-s, që obligon shtetet anëtare ta mbrojnë cilindo prej shteteve që sulmohet. Kancelarja gjermane, tashmë e mësuar me kufizimet në të shprehur të presidentit amerikan, nuk e vazhdon bisedën më gjatë. Ajo të nesërmen deklaron se Evropa nuk mund t'u besojë më aleatëve të vet tradicionalë dhe se "duhet ta marrim me të vërtetë fatin tonë në duart tona".

Ngjarja që ndodhi javën e kaluar, gjatë turneut evropian të presidentit Trump në urën e Mitrovicës, krijon vetëm një hapësirë të madhe druajtjeje për ardhmërinë. Katër muaj të presidencës së Donald Trumpit po mjaftojnë për të krijuar një dimension krejtësisht të panjohur deri më tani, të një Evrope që në çështje politike e të sigurisë do të mbështetet në forcat e veta "e në miqësi të përhershme me SHBA-në dhe me Britaninë e Madhe"; dukej sikur fliste me fjalor kosovar kancelarja gjermane.

2.

Në urën e Mitrovicës fjalët e presidentit dhe të kancelares kanë më shumë peshë specifike se në ndonjë vend tjetër të kontinentit (ndoshta me përjashtim të Ukrainës, por ai është një rrëfim më i madh që vështirë trajtohet në hapësirën e këtij teksti).

Në urën e Mitrovicës, po të shikosh në jug, do ta shohësh pjesën e Republikës së Kosovës, një vendi që ende sfidon gjeografinë me flamujt amerikanë që valëviten gjithandej si shenjë lidhshmërie me shtetin që e çliroi dhe qe vendimtar për t'ia siguruar pavarësinë. Shikimi nga veriu çon në territorin e Republikës së Kosovës që administrohet de facto si zgjatje (e butë) territoriale e Serbisë e si pjesë e kontestimit të pavarësisë së Kosovës, me ndihmë të Rusisë së Vladimir Putinit. Kontestimi rus i Kosovës nuk ka të bëjë me Kosovën - ka të bëjë me Amerikën, gjegjësisht NATO-n. Vladimir Putini, me shumë pak para, me pak armatim e më shumë mjeshtri diplomatike, ka arritur ta kontestojë efektshmërinë e NATO-s e të Perëndimit në Kosovë për 18 vjet me radhë.

Nëse kancelarja gjermane sheh te sytë, fjalët dhe veprat e presidentit amerikan mosinteresimin e tij për një Evropë të bashkuar atlantike, atëherë ai bëhet problem i dyfishtë në urën e Mitrovicës. Një, ngase çdo gjë që është arritur në konsolidimin e shtetësisë kosovare (sado pak të na duket) është bërë falë sigurisë që ia ka dhënë vendit NATO-ja, e në masë të madhe roli udhëheqës amerikan. Dhe dy, nëse edhe në këto kushte të lidershipit amerikan Rusia e Putinit arriti të shënojë gola në Kosovë, çka do të ndodhte pa lidership amerikan?

Një drithërimë e vërtetë duhet të kalojë nëpër trupin e njerëzve mbi urën e Mitrovicës, asaj së vërtetës dhe asaj metaforike, në të cilën jemi që të gjithë ne si qytetarë të Republikës së Kosovës.

3.

Por gjërat janë edhe më të komplikuara, si për të mirë ashtu edhe për të keq.

Së pari, Donald Trumpi nuk është Amerika. Presidenti amerikan në katër muajt e parë të presidencës është ballafaquar me forcën e institucioneve të demokracisë amerikane. Urdhri i tij ekzekutiv për bllokimin e hyrjes në SHBA të qytetarëve të shteteve me shumicë islamike u stopua disa herë nga gjyqësori i disa prej shteteve, me implikim vlefshmërie në nivel federate. Këshilltari i tij për siguri kombëtare, Michael Flynn, u detyrua të jepte dorëheqje pa i bërë 100 ditë në pushtet, për shkak se fshehu kontaktet me Rusinë e Putinit. "Pushteti i katërt", gazetat serioze, si "The New York Times" dhe "Washington Post", janë duke e lozur rolin e vet historik, duke mbikëqyrur një presidencë, e cila çdo ditë prodhon më shumë skandale se ç'mund të treten në barkun e opinionit publik. Institucionet e rendit dhe të ligjit (përfshirë edhe ato të sigurisë kombëtare) janë në përpjekje serioze për të zbuluar nivelin e depërtimit të veprimeve të Rusisë së Putinit në dëmtimin e institucioneve të SHBA-së, përfshirë edhe vetë Presidencën.

Megjithatë, ka arsye të ekzistojë shpresa e çdo evropiani (e shumëfishuar te ne, banorët e urës së Mitrovicës) se forca institucionale amerikane ruan lidhjet transatlantike si vlerë stabiliteti evropian dhe nevojë sigurie kombëtare amerikane.

Së dyti, Angela Merkel nuk është Evropa.

Zonja Merkel është në krye të shtetit më të fortë ekonomikisht në Evropë, por çka është po aq dhe ndoshta më me rëndësi të një demokracie me institucione stabile. Gjermania është boshti i sotëm demokratik evropian, madje aq sa është krejtësisht jorelevante a i fiton zgjedhjet e shtatorit zonja Merkel apo kandidati i opozitës Schultz.

Por kjo nuk është e vërtetë për shtetet e tjera evropiane. Britania e Madhe votoi në referendum kundër BE-së. Franca do të ishte tjetër po të kishte fituar zgjedhjet zonja Le Pen. Polonia e Hungaria tashmë janë nisur në një rrugë që përpiqet të marrë paratë e BE-së, por t'i stopojë në kufi vlerat e demokracisë liberale. Në Bashkimin Evropian shtet anëtar është Sllovakia, njëra prej pesë shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtin Bashkim Evropian, për të cilin Angela Merkel thotë se duhet të marrë punët në duart e veta, 41 për qind e sllovakëve, të pyetur në anketën e IRI-it, u pajtuan me këtë konstatim:

Vladimir Putini është mbrojtës i krishterimit dhe i vlerave tradicionale evropiane në çështje që shkojnë nga mbrojtja e njësisë së familjes te mbrojtja nga kultura islamike dhe të tjera joevropiane.

SHBA-ja ka Trumpin, por ka edhe gjyqësorin e pavarur. Evropa ka Berlinin, por ka edhe Bratislavën.

4.

Kosovën përçarja e dukshme transatlantike e zë në urë, gjegjësisht në një gjendje që në shprehjen tonë popullore quhet "as me shehër,as me Barilevë". Vendi ka nevojë për ndihmën e mëtejme amerikane për ta rrumbullakuar shtetësinë e vet dhe vendi ka nevojë të jetë pjesë e Evropës së Angela Merkelit, asaj të vlerave të demokracisë liberale më së miri të manifestuara në Gjermani. Njëra nuk e zëvendëson tjetrën, çdonjëra është komplementare për tjetrën.

Rrjedhimisht, vendi ka nevojë që politika të formulohet me njohurinë se duhet t’i shfrytëzojë forcën dhe dëshirën amerikane (për aq sa ajo të ekzistojë) në mënyrë që t'i përmbyllë problemet e veta të sigurisë e të sovranitetit që prekin në themelin e shtetësisë. Dhe se duhet të lidhë spirancën e vet të integrimeve me Gjermaninë, duke e transformuar veten në një demokraci liberale funksionale.

Me fjalët e Merkelit, edhe kosovarët - banorët e shtetit të sunduar nga klani “Pronto” me dyer të hapura për rikthimin e politikës së Milosheviqit - duhet ta marrin fatin e vet, evropian, në duart e veta. Natyrisht, në miqësi të përhershme me Amerikën, por si pjesë e një Evrope të bashkuar.