OpEd

Nuk jam femër kryeministër, jo në emrin tim!

Asnjë ‘lapsus Hotjan’ nuk mund të justifikohet veçmas momentin më të vështirë për ne gratë

Fundi i një pandemie të papërfunduar

Menduam se nga pandemia do të dilnim më të mirë, menduam se armiku i përbashkët do ta bënte më humanë, menduam se kriza ekonomike do na bënte më solidarë, menduam se sapo të dilnim do të përqafonim njëri-tjetrin, edhe ata me të cilët ishim zënë, por diçka nuk ndodhi. U rikthyem mbrapa, madje më mbrapa sesa që ishim.

Jo vetëm demokracia po kalon testet më të vështira në botë, ku tendenca drejt totalitarizmit po aktualizohet çdo ditë, jo vetëm ekonomia po kalon prova të hekurta, por edhe vetë perceptimi ynë si humanë po rrezikohet nga shformimi në një trajtë amorfe, e cila merr formën e çdo ene ku hidhet. Rezistenca ndaj një perceptimi të tillë ditor, i cili mund të ndryshojë nga momenti në moment, një perceptimi pa parime, është ‘must’ për një të ardhme humane.

Do të punojmë për shkollimin e ‘femrave’, tha që në fillim kryeministri i Kosovës në shpalosjen e programit të Qeverisë së tij, e cila vjen mes pandemisë dhe revoltës së qytetarëve përpara Parlamentit. Po dua të besoj se ky term maskilist ishte vetëm një lapsus i profesorit, por edhe si të tillë, nuk do ta kisha pranuar asnjëherë nga diskursi i një akademiku që flet për një Kosovë perëndimore. Unë nuk jam femër kryeministër, nuk jam thjesht gjini seksuale, jam njeri, jam grua, kam dinjitet e në këtë moment ju ma shkelët nga foltorja e Parlamentit në emër të përparimit.

Ndoshta për ju nuk janë të rëndësishme fjalët, por etiketimi femër për vajzat e gratë, në mënyrë të hollë, ndoshta jo të vetëdijshme, e përjashton humanizmin brenda tjetrit, i kthen ato në objekt seksual. Po të shtojmë këtu adoleshencën, moshës së cilës ju iu referuat, etiketimi ndikon direkt në vetëbesim, që te vajzat e kësaj moshe është shumë i ulët. Shumica e burrave i shikojnë gratë si qenie inferiore dhe objekt seksual, si femra. Në mjaft shoqëri, ku përfshihet edhe e jona, lindja e një vajze ende konsiderohet fatkeqësi, ndërsa për djalin kërcet pushka. Mjaft më! Jo në emrin tim!

Në kohën kur OKB ka dhënë alarmin për mbrojtjen e fëmijëve, vajzave dhe grave që po përballen me dhunë fizike e seksuale në shtëpitë e tyre gjatë pandemisë, kur Komiteti për të Drejtat e Grave dhe Barazi Gjinore ka hartuar strategji të posaçme për mbrojtjen e viktimave, kur në Evropë qarkullon reklama me kodin me të cilin viktimat mund të sinjalizojnë abuzimet seksuale nëpër farmaci, kur shkaku i karantinës plot vajza të përdhunuara nuk kanë mundur as të abortojnë, quajtja e nxënëseve dhe studenteve thjesht femra është kthim një shekull mbrapa dhe një goditje e gjithë asaj lëvizjeje që po bëhet për ngritjen e dinjitetit të gruas në mbarë botën.

Asnjë ‘lapsus Hotjan’ nuk mund të justifikohet veçmas momentin më të vështirë për ne gratë.

Hija e pandemisë

“Gjatë përdhunimit shtrëngoja sytë edhe pse ai më bërtiste ta shikoja në fytyrë. Era e alkoolit dhe djersës e kthenin në një bishë të tërbuar. Vazhdoja t’i mbaja sytë mbyllur duke imagjinuar se ai nuk ishte im atë”.

Kjo është vetëm njëra nga deklarimet e një viktime 13-vjeçare pas një terapie të gjatë, e cila edhe pas dhunës përpiqej ta justifikonte të atin abuzues.

Është i njohur fakti se shumica dërrmuese e viktimave seksuale, veçmas në moshë të njomë, kërkojnë të gjejnë arsye te vetja për të justifikuar krimin. Të bindur/a se faji ka qenë te ta/to, ata/ato nuk flasin. I mbajnë dhimbjen dhe turpin brenda vetes. Pasojat e një sjelljeje të tillë, duke marrë parasysh edhe stigmatizimin e shoqërisë, janë të pashlyeshme për tërë jetën.

Rasti i vajzës së Mitrovicës që u abuzua dyfish nga tre djem, që e shantazhonin me publikimin e videos, ishte dëshmi se si stigmatizimi e turpi të shtyjnë ta pranosh sërish abuzimin seksual derisa të bëhet i padurueshëm. Por atëherë ka marrë përmasa të papërmirësueshme. Dhuna do ta transformojë përfundimisht jetën e viktimave, të cilat nuk do ta gjejnë më kurrë besimin te vetja.

Mes viktimave të mitura gjatë pandemisë në Kosovë janë edhe 5 djem. Më i vogli 6 vjeç. Të gjithë janë viktima të mbetura në hije, të përjashtuara nga diskursi politik, i cili nuk do të tërheqë vëmendjen nga lufta brenda llojit. Por më i keq se përjashtimi është dënimi minimal, në rastin më të mirë që u bëhet përdhunuesve. Kjo është fatale për një shoqëri normale.

Të dhënat nga OBSh-ja paralajmërojnë rritje të dhunës seksuale pas karantinës. Humbja e vendeve të punës për gratë, dobësimi i ekonomisë do ta bëjë edhe më të vështirë gjendjen. Në këto kushte duhet së paku të ndihmojmë të thyejmë heshtjen, të simulojmë denoncimin, të dënojmë jo vetëm dhunuesit, por edhe stigmatizimin nga kushdo qoftë.

Si një virus nxit dhunë?

Shkatërrimi i ekonomisë edhe ashtu të dobët të tonën, stresi, ankthi, izolimi, frika, janë të gjithë faktorë që nxisin drejt dhunës. Në këto kushte fëmijët dhe gratë janë më të rrezikuarit. Fakti që vetëm 10 % e tyre denoncojnë dhunën në polici, duhet të na shkundë. Sa viktima të izoluara presin për ndihmë? Çfarë po bëjmë për ato/ata?

243 milionë është numri i vajzave dhe grave të përdhunuara gjatë 12 muajve të fundit. Gjatë pandemisë numri është rritur. Mijëra vajza e gra janë detyruar të lënë shtëpitë shkaku i dhunës, shumë prej tyre kanë përfunduar rrugëve për të siguruar ushqimin e gojës, mijëra të tjera paguajnë në heshtje me trupin e tyre të njomë. Ato nuk protestojnë. Ato nuk aprovojnë. Ato nuk kanë zë. Ato nuk kanë emër. Ato nuk janë femra! Dëgjove kryeministër!

Ky është njëri prej raporteve, të cilit i jam referuar: