Panairi zgjedhor

Drenusha Zajmi-Hoxha Drenusha Zajmi-Hoxha 01 qershor 2017 08:34

Lajm i mirë. Po fillon Panairi më i madh kosovar, plot me tezga për shitblerje mallrash politike, vendore. Gjithë kjo llojllojshmëri shpirtrash, fytyrash e prapanicash, (jo)karakteresh, marionetash, pakurrizorësh dhe një kiamet votash që presin për t’u shitblerë sa më volitshëm.

Ky Panair, që organizohet çdo katër vjet e besa edhe më shpesh, i ka edhe sektorët e vet të ndarë. Aq i vizituar që është. Ndaj, që të mos hutohet askush, kemi sektorin e injorantëve, sektorin e karkalecave, sektorin e tallava-intelektualëve, sektorin e mallrave me afat të skaduar, atyre për një përdorim, sektorin e mallrave të reja të papërpunuara dhe atyre të përpunuara me kujdes të veçantë.

Kemi edhe sektorin e maskave, fytyrave, dyfytyrave dhe pafytyrave. Po ashtu, ndaras janë edhe sektori i papagajve dhe krijesa pa tru, që hapin gojën si me playback për të transmetuar fjalët e të tjerëve.

Shitblerja nëpër sektorë

Në sektorin e injorantëve ka gjithmonë shumë kallaballëk, meqë çmimet e shitblerjes janë më të larta dhe fikse. Nuk ka shumë dallime faturash, për shembull një fytyrë kushton sa një prapanicë dhe anasjelltas. Tezga është aq e madhe sa zë pothuajse gjysmën e Panairit. Bashkë me mallrat e gjalla, aty ka edhe mobilie politike, të cilat shpesh vijnë falas bashkë me mallin. Për shembull, një injorant vjen bashkë me kolltukun falas me garanci katërvjeçare. Tjetri vjen bashkë me karrigen, tjetri me zyrën e besa disa edhe me shtratin. Mesele punë.

Lum kush ka para për këtë sektor. Çdo gjë vjen me garanci dhe mbrojtje nga çdo dëmtim i mundshëm. Tani, në këto kohëra të avancuara, në momentin që blini në këtë tezgë, ju bëheni automatikisht pjesë e rrjetit të tij, të ndërtuar kujdesshëm nëntokë dhe mbi tokë. Hajde popull! Kemi hajna, kemi kriminelë, kemi çka të duash! Ngutu se po shiten! Ngjitur me sektorin e parë blihen tallava- intelektualët. Disa sish, të bindur për “vlerat” e veta, nuk shiten kollaj. Bashkë me ta zakonisht tregtohet edhe për titujt shkencorë, postet nëpër fakultete, dhjetëra vende pune për familjarë dhe, çka është më e bukura, këta pastaj tregtojnë tutje me diploma e tituj për tallava-intelektualë të tjerë.

Ky sektor pra është i rëndësishëm, meqë bashkë me të parin ia vënë themelet e ardhmërisë shtetit më të arsimuar në rajon, këtij tonit. Vendi i parë nga fundi, për mashallah! Tutje vjen sektori i karkalecave politikë. Aty çmimet janë shumë më lirë dhe mallrat blihen më lehtë, meqë janë kryesisht shpirtra të mërzitur, të zhgënjyer, të dështuar ose të dëshpëruar. Këto mallra zakonisht janë gjithmonë të pakënaqura dhe përsëriten në secilin Panair, herë duke u blerë e herë duke u shitur. Këto pafytyra zakonisht dëgjohen tek flasin sot pro dhe nesër kundër. Sot janë miq, nesër armiq. Janë shumë të mirë si statistë, zakonisht kur jepen shfaqjet e inskenuara ose me aktorë plot maska. Shërbejnë si duartrokitje ose... prit të kujtohem: Në fakt nuk i shërbejnë askujt për asgjë.

Është interesante edhe tezga e mallrave vendore me afat të skaduar. Këtu gjeni nga ata shpirtra e fytyra që janë shitur e stërshitur qindra herë dhe përsëri zënë vend në tezgë si veteranë pakurrizorë. Ama është e pamundur t’i largosh nga panairet që vijnë. Ata përsëri e përsëri kurulldisen, të bindur se bota nuk ecën dot pa ta. Ndonëse gjithmonë të heshtur, sepse nuk i pyet e as s’i dëgjon kush, këto jokaraktere vazhdojmë t’i shohim e përjetojmë si ferrat në sy qe më shumë se 17 vjet. Janë jashtëzakonisht mallra të pashëndetshme, zakonisht u shkaktojnë dhimbje koke dhe një lloj sikleti të pashpjegueshëm. Panairi është çdoherë e më i pasur. Viteve të fundit janë shtuar edhe disa tezga të tjera. Fillimisht, ajo e mallrave të papërpunuara dhe që kapërdihen vështirë, ngaqë kanë naivitet dhe budallallëk të bollshëm.

E bukura është se këto krijesa vërtet mendojnë se mund ta përdorin mendimin e lirë dhe lëvizjen e pakufizuar aty ku janë.. Natyrisht, kjo është vetëm një tezgë kanalizimi deri te tjetra, aty ku i kemi ato mallra që veçse janë përpunuar në tërësi. Eh, këto janë mallra goxha të rrezikshme, meqë janë tharm i idiotllëkut dhe eliksir i injorancës. Kanë aftësi të jashtëzakonshme, po e zëmë, shohin si shqiponjë larg deri tek origjina e tjetrit, por kanë defekte shikimi afër, për baltën nën opinga. Këta shërbejnë për shembull nëse e keni siklet t’i thoni dikujt diçka, ose doni t’ia bëni varrin dikujt. Hiç nuk përtojnë.

Sigurisht se edhe mallrat pa tru gjenden po në këtë tezgë, bashkë me papagajtë e mërzitshëm që dërdëllisin blla-blla-blla tekstin e dikujt tjetër. Këto mallra u sugjerohen vetëm njerëzve me lukth të fortë. Përndryshe ngjallin të përziera, vjellje dhe gërditje të madhe. Tezga e shpirtrave pa fytyrë, me dy ose me shumë fytyra, me maska e pakaraktere, është më e pavizituara. Kjo, sepse ata vetëshiten lirë. Ju sillen këmbëve si minj të frikësuar. Ose thjesht, ju buzëqeshin për t’ju shkaktuar më vonë lot e sëkëlldi. Këta shiten edhe me shumicë, ngaqë janë në numër të madh dhe vazhdimisht shumohen si rriqrat e rrezikshme. Krejt imunë ndaj ndjenjave njerëzore, shfaqen lirshëm në Panairin zgjedhor, ku më së paku keni çfarë për të zgjedhur. Dhe të fundit, por jo edhe për nga rëndësia, janë mallrat për një përdorim.

Ups, jam gabim! Në fakt janë të fundit edhe për nga rëndësia. Këto janë fytyra që shërbejnë si të pasme ose anasjelltas. Përdoren për arsye të shpejta, interesa të ngushta dhe xhepa të gjerë. Zakonisht karakterizohen me disa ngjashmëri: Pothuajse secili mall mendon se do bëjë ndryshimin në kualitetin e mallrave të tjerë; tjetra, secili punon me shumë zell në kriposjen e mendjeve tona për një ardhmëri të ndritshme; secili mendon se populli ka amnezi totale dhe deri sot nuk ka parë asgjë, askënd dhe nuk ka qenë askund dhe secili prej këtyre mallrave, pas një përdorimi, riciklohet sërish duke shpresuar në përdorime të tjera. Po nejse, këto mallra, përveç vetes, të tjerëve nuk u sjellin gjë.

Pos neveri, mundim dhe depresion. Ka dhe një risi. Tezga e mallrave të paprovuara e të papërdorura asnjëherë. Kërkojnë interesimin tuaj qe sa vjet, por ju kaloni krejt indiferentë nga frika e shijes që do ta provoni. Nuk keni faj se jeni djegur nga malli fals. Ju pëlqen më shumë një dreq që e njihni, se e reja që e shihni. Keni kujdes! Po qe se nuk i provoni me kohë këto, edhe mund t’ju ikin nga duart. Në anën tjetër, po qe se i provoni, kini kujdes me sasinë, mos t’ju ngelin në fyt.

Ekzorcizmi

E pra njerëz, zgjedhja nuk është aq e lehtë. Sidomos kur jeni në sulm të vazhdueshëm nga mediat e portalet e verdha, të cilat ju “informojnë” për secilin “rival” thua ti se po shohim boks. Titujt si “Filani sot vizitoi kopshtin e fëmijëve dhe shpërndau 100 lodra kineze”, “Filanja vizitoi spitalin dhe mbajti një foshnjë të sapolindur në duar”, “Filani premtoi se shteti do të bëjë më shumë për fëmijët e braktisur, ata të sëmurë, ata të pastrehë, ata të pashkollë” , janë titujt që ju ëmbëlsojnë zemrat dhe shpirtin, saqë vota juaj ju duket pak.

Po të mundnit, bashkë me të do t’ua dhuronit edhe nga një bonbonierë me zemra. Ec e mos beso në këto përralla mizash! Po sa rruga po fillon, e prishet e ndreqet këto ditë, po sa vizita nëpër shkolla, spitale, biznese, shitore, e ku ta di. Sa fasada lyhet, sa kulmi riparohet, sa defekti rregullohet. Po sa premtime për ngritje pagash, dreka për mësueset, darka për punëtorët, lule për arsimtarët, premtime për minatorët. Sa mirëkuptim për personat me aftësi të kufizuara, pensionistët, invalidët e luftës e veteranët e vërtetë.

Gjithë kjo dashuri, mirëkuptim, dashamirësi e buzëqeshje , gjithë kjo mirësi e paskaj dhe vullnet i pakufishëm për punë. Po shkrihem e tëra nën mornicat patriotike. Tani që edhe pranvera është në zenitin e saj, gjërat edhe mund t’ju duken krejt lehtë me ngjyra, të bukura, rozë. E tekefundit edhe mos e pafshi të ardhmen tuaja nga pak të ngjyrosur, së paku do t’ju duket se krijesat e Panairit po skuqen karshi jush. Dhe mos prisni nga vetja se për të parë brenda shpirtit të tyre keni nevojë te jeni super-specialist. Në fakt për t’u bërë puna si duhet, ju duhet të jeni ekzorcist. E hajde popull! Thirri mendjes nëse e ke! Mos harro se në shtëpinë tënde sundimtari duhet të jesh ti, por ti këtë akoma nuk po e di.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Drenusha Zajmi-Hoxha