OpEd

Liderët e sotëm të Serbisë po luftojnë për një “të kaluar më të mirë”

Liderët e sotëm të Serbisë kur tash pyeten se “ku ishte Wolker në vitin 1999” do të duhej ta kthenin pyetjen kah vetja: ku ishim ne në atë kohë. Ky reflektim do t’u bënte mirë, do të kuptonin edhe një herë se ku ka çuar politika e Milosheviqit, të cilën e zbatonin në atë kohë dhe kjo do të shërbente si vërejtje që do t’u ndihmonte të shikonin nga e ardhmja. Opsesioni me fajin e fqinjëve vetëm dëshmon se ata ende nuk janë shkëputur sinqerisht nga e kaluara e tyre e errët

Diplomatët perëndimorë po pyeten këto ditë se pse aq shumë energji, kohë dhe kapacitete diplomatike është duke shpenzuar Qeveria e Serbisë në një fushatë kundër një ish-diplomati amerikan, i cili për shumë diplomatë të sotëm nuk është edhe aq i njohur. Nuk e kuptojnë se pse të gjithë përfaqësuesit e Serbisë, kur ky shtet ka aq shumë prioritete të tjera, flasin aq shumë për William Wolkerin, ambasador amerikan i cili në fund të viteve nëntëdhjetë ishte shef i një misioni verifikues ndërkombëtar në Kosovë. Walker është pa dyshim një zë i dobishëm për shqiptarët, por ndikimi i tij i sotëm, qoftë në SHBA apo jashtë këtij shteti, nuk është i tillë që të mundë ta shqetësojë Serbinë. E pse, pra, aq shumë zhurmë bëjnë sot Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq dhe politikanët e tjerë udhëheqës në Serbi.

Arsyeja duket e thjeshtë: ata luftojnë për një të kaluar më të mirë. Atyre personalisht u nevojitet që të zbukurojnë sa më shumë që të jetë e mundur të kaluarën e errët që kanë. Liderët e sotëm të Serbisë kur tash pyeten se “ku ishte Wolker në vitin 1999” do të duhej ta kthenin pyetjen kah vetja: ku ishim ne në atë kohë. Ky reflektim do t’u bënte mirë, do të kuptonin edhe një herë se ku ka çuar politika e Milosheviqit, të cilën e zbatonin në atë kohë, dhe kjo do të shërbente si vërejtje që do të ndihmonte të shikonin nga e ardhmja.

Vuçiq, Daçiq, Nikoliq, Vulin e shumë të tjerë, të cilët sot kanë pushtet pothuajse absolut në Serbi, kanë qenë pjesë e regjimit të Milosheviqit që ka bërë krime në ish-Jugosllavi. Në atë kohë ata ose i kanë arsyetuar ato krime ose i kanë mohuar. Sot së paku mundohen t’i relativizojnë.

Walker i përkujton shumë në atë kohë dhe tash mundohen ta shtrembërojnë aq shumë të kaluarën sa që këtë diplomat në pension, për shkak të një deklarate se ka plan “t’i bashkoj shqiptarët” ta fajësojnë për luftën, krimet, “mashtrimin” për shkak të të cilit ndërhyri NATO-ja. Ky është edhe një nënçmim për bashkësinë ndërkombëtare kur mendohet të bindet bota se një diplomat ka mundur ta manipulojë NATO-n dhe shumë shtete që të ndërhyjnë kundër Serbisë.

Kjo është thjesht një propagandë e Serbisë tash dhe, sipas logjikës së tyre, pasi sot na qenka lobist shqiptar, Walkeri nuk paska qenë para 18 vjetësh i paanshëm si shef i një misionit të OSBE-së. Dhe kjo tash do të merrej hiç më pak se dëshmi se NATO-ja ka gabuar, se Milosheviqi ka pasur të drejtë, dhe se i tërë intervenimi i NATO-s na paska qenë i bazuar në “një gënjeshtër!”

“E vërteta” për Reçakun nga Beogradi është dëgjuar disa herë. Tregimi i tyre është një narrativ i njohur edhe nga pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë. Në tregun Markale në Sarajevë boshnjakët “kanë vrarë qëllimisht njerëzit e vet”, në Vukovar “serbët duarthatë kanë mbrojtur pragun e shtëpive të tyre nga fashistët ustashë kroatë”, ndërsa edhe shqiptarët e Kosovës kanë bërë “inskenime të krimeve për t’i satanizuar serbët dhe për të futur bashkësinë ndërkombëtare në luftë”.

Disi Evropa ka dashur të besojë se pas aq shumë viteve nga lufta, pas aq shumë proceseve gjyqësore, dënimeve dhe verdikteve, Serbia e ka kuptuar dhe e ka pranuar përgjegjësinë e vet për krimet e bëra gjatë periudhës së Slobodan Milosheviqit. Kanë menduar se, duke shkuar në Srebrenicë dhe duke përmirësuar raportet me Kroacinë, duke pranuar dialog me Kosovën, përfundimisht kanë vendosur ta lënë të kaluarën prapa dhe të shohin nga e ardhmja.

Por, shihet se nuk e kanë lehtë dhe sikur nuk e kanë as qëllim. Reçaku ka qenë një krim i tmerrshëm i forcave të Milosheviqit, por jo i vetmi. A mos i ka marrë kufomat e civilëve shqiptarëve të vrarë nëpër Kosovë Walkeri për t’i dërguar me frigoriferë dhe për t’i rivarrosur në varrezat masive nëpër Serbi për të zhdukur gjurmët?!

Serbia, e cila shpesh mbështetet në “të drejtën ndërkombëtare” vazhdon të mos e njohë krimin e Srebrenicës si akt gjenocidi, edhe pse si të tillë këtë vepër e kishin konfirmuar dy gjykata ndërkombëtare - Gjykata e Krimeve të Luftës në Ish-Jugosllavi në Hagë, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, po ashtu në Hagë. Javën që shkoi edhe nga një Komision i Këshillit të Evropës është kërkuar nga pushteti i Serbisë që ta njohë gjenocidin e Srebrenicës edhe formalisht. Por ky mesazh nga Strasburgu nuk kishte hasur në ndonjë jehonë në mediat e Serbisë, të cilat, sipas agjendës së pushtetit, janë të preokupuara me “Shqipërinë e madhe” dhe me “rritjen e neofashizmit në Kroaci”.

Edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar nga vendet që duan t’i bashkohen që të kriminalizojnë, duke e bërë vepër të dënueshme mohimin e gjenocidit. Dhe Serbia këtu ka bërë një akrobacion të vërtetë në propozimligjet e veta. Sipas një njoftimi nga Fondi për të Drejtat Humanitare nga Beogradi, Serbia ka propozuar ndryshime ligjore sipas të cilave do të dënohej edhe me burg mohimi i gjenocidit, por vetëm nëse kjo është konstatuar me vendime fuqiplote të gjykatave të Serbisë ose nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC). Kjo Gjykatë nuk është marrë me krimet në ish-Jugosllavi por me disa krime në Afrikë. Sipas këtij ligji, nëse do të hyjë në fuqi, në Serbi do të mundë të dënohej dikush nëse mohon gjenocidin në Darfur, por jo edhe atë në Srebrenicë. Madje edhe në rastin e Darfurit, presidenti i Serbisë, Nikoliq, ka dekoruar liderin e Sudanit Omar Al- Bashir, edhe pse ky është i akuzuar për gjenocid. Por, për Serbinë ai ka merita për shkak se Sudani nuk e ka njohur Kosovën.

Bashkimi Evropian ka qenë tepër tolerantë ndaj Serbisë, duke besuar se ajo ka hyrë në një rrugë pa kthim nga e ardhmja, duke u shkëputur nga e kaluara. Por, politikanët e së kaluarës që janë në pushtet sot në Serbi gjithnjë e më shpesh na rikujtojnë se nuk kanë ndryshuar aq sa Evropa do të dëshironte të besonte.