OpEd

Të krijohen kushtet për votim të diasporës

Zgjedhjet e 11 qershorit po afrohen, me zgjedhjet po afrohet edhe ndryshimi i madh në qeverisjen e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe ketë radhë ka dështuar me ose pa qëllim ne ofrimin e mundësisë së votimit të lehtë dhe pa shumë procedura burokratike për qytetarët e Republikës së Kosovës, që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Sipas KQZ-së, vetëm një numër i vogël i aplikacioneve në krahasim me numrin e madh të qytetarëve të interesuar të votojnë nga diaspora kanë ardhur deri më tani në KQZ.

Vota e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë është shumë e rëndësishme për lidhjen mes gjeneratës së re me Kosovën, pastaj angazhimin në jetën politike e zhvillimore të qytetarëve tanë që jetojnë në vende të ndryshme, por edhe njohja e tyre me problemet e ndryshme politike, sociale e zhvillimore të Kosovës.

Politikanët kosovarë, partitë politike, por edhe qytetarët e Kosovës, për çdo ditë proklamojnë interesin e tyre për diasporën, bëjnë thirrje për investime, por një pjesë e tyre duket e painteresuar që t'iu ofrojë edhe mundësinë që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.

Qytetarë të shumët nga vende të ndryshme të botës e kanë pasur të pamundur dy ditët e fundit t’i dërgojnë aplikacionet e tyre për regjistrim për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në e-mailat zyrtarë të ofruar nga KQZ. Sipas përgjigjeve automatike nga e-mailat e ofruar nga KQZ, ata janë stërngarkuar, e si pasojë nuk pranojnë më shumë e-maila nga të interesuarit. Kjo tregon se administrata e KQZ-së nuk është përditësuar duke proceduar e-mailat e ardhur nga diaspora. Kjo ka pamundësuar dërgimin e aplikacioneve të reja në KQZ. Duke pasur parasysh edhe afatin e shkurtër për aplikim, mungesën e organizimit të votimit në diaspor, e tani edhe ky problem krijon një sfidë të madhe për diasporën tonë.

Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje garantohet me ligj, prandaj pamundësimi për të aplikuar e votuar përbën shkelje ligjore. Me këtë neglizhim të qellimshëm ose jo, diasporës po i pamundësohet e drejta e votës. KQZ-ja dhe të gjitha organet relevante duhet që urgjentisht të zgjidhin problemet e të gjitha kërkesave të dërguara përmes postës elektronike ose formave tjera deri më sot, si dhe të lehtësohet procesi i votimit nga jashtë, duke e shikuar edhe mundësinë e zgjatjes së afatit kohor për aplikim, por edhe mundësitë e alternativave tjera.

Votimi i diasporës është tejet i rëndësishëm për qytetarët tanë në diasporë, por edhe për vetë Republikën tonë.

(Autori është drejtor i Departamentit për Diasporën Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës)