Në kërkim të Arit të vogël

Veton Surroi Veton Surroi 19 maj 2017 08:23

Në këshillat e firmave PR, të relacioneve me publikun, sugjerohet që turi të bëhet katër deri në gjashtë muaj para zgjedhjeve, dhe po të ishte Arieli diku afër këtë do t'ia thoshte Kadri Veselit. Tash Arieli a kolegët e tij kanë shpallur se janë në Fillim të ri. Natyrisht, nuk janë budallenj që të proklamojnë se fundi i këtij fillimi është i njëjtë. Presin që budallenjtë të jemi ne.

1.

Ndoshta pse ishte i vogël nuk e vërejtëm praninë e tij, por nga njëri prej udhëtimeve të Ekipit të Unitetit si anëtar i delegacionit të Kosovës përnjëherë kishim edhe një qytetar izraelit. Thuajse të kishte qenë i trajnuar në treshet e atëhershme të ilegales, as u prezantua e as fliste. Dikush tha se quhej Ari - e kishte shkurt prej Ariel - dhe Hashim Thaçi, kryetar i atëhershëm i PDK-së, tha se vinte si këshilltar i tij.

Këshilla e parë e Arit ishte e dukshme dhe nuk kishte të bënte me negociata, sepse në to, si në çdo negociatë tjetër, Hashim Thaçi ishte krejtësisht i painteresuar, pos po të përmendej eventualisht ndonjë gjykatë e veçantë. Kryetari i PDK-së, me këshillë të Arielit, kishte filluar të ndërronte pamjen e tij të jashtme; në vend të xhaketave të tij të preferuara tash dukej një pallto e shtrenjtë “Ermenegildo Zegna” dhe një shall i kashmirit. Pasoi vizita tek një floktar më i mirë. Dhe vetëm pak ditë më vonë, ndërsa të tjerët merreshin me negociatat me Serbinë, Hashim Thaçi dukej në "turin dëgjimor" - vizitonte spitale, shkolla e fabrika - për të "mbledhur përshtypjet" dhe në bazë të tyre për të dhënë përgjigjet, në një platformë zgjedhore.

Ndërsa aterronte avioni në vendet ku shkonim, celularët e Hashim Thaçit dhe të Arielit merrnin me dhjetëra SMS nga një fushatë zgjedhore, të cilën ata tashmë e kishin filluar ndonëse zgjedhjet ende nuk i kishte shpallur kush.

2.

Zgjedhjet kushtojnë, përfshirë edhe një këshilltar si Ari. Këshillat e tij qenë prej "schoolbook", prej një libri konvencional marketingu politik: krijo imazh personal, bëjë "tur dëgjimor", thuaj se të gjitha këto që i ke dëgjuar do t'i zbatosh si program qeverisës. Mbushe opinionin publik me reklamat tua.

Meqë me Hashim Thaçin kisha krijuar moti bindjen se shpenzimet që i bën ai (dhe familja e tij politike apo jo) i paguaj unë si qytetar, nuk e kisha krejtësisht të qartë se si unë dhe qytetarët e tjerë i paguam shërbimet e Arit të vogël, posaçërisht ngase fushata e partisë së tij ishte dukshëm e shtrenjtë, dhe dukshëm efikase, qoftë në pjesën ku u fituan, qoftë në pjesën ku u vodhën votat.

A do ta paguante Arin (dhe firmën e tij të madhe) sikur bëri me një firmë vendore PR (një grua vulgare dhe një burrë i tërhequr zvarrë nga pretendimi se i përket botës së artit) duke e fryrë faturën e shërbimeve për balonat dhe fishekzjarrët e shpalljes së Pavarësisë, në mënyrë që të mbulohej ndonjë faturë reklame televizive a tjetër?

A do ta paguante me 6 milionë euro që ia dha firmës “Saatchi-Saatchi” të Izraelit, si pagesë formale për reklamën "Young Europeans"?

A do ta paguante, siç pëshpëritej, me punët rreth kontraktimit për Termocentralin e ri?

3.

Disa vjet më vonë këtë dilemë do ta sqarojë, deri diku, Hashim Rexhepi, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Rrëfimin e Hashim Rexhepit e kuptoj kështu. Në një udhëtim në Londër, për të marrë pjesë në mbledhjen e EBRD-it, do të vihet në kurth nga Hashim Thaçi dhe nga ministri i tij Ahmet Shala, dhe në vend të takimit të përbashkët do të mbetet i vetëm me Ariel Raubvogel, (të cilit më në fund do t'ia mësoj emrin). Dhe pastaj, sipas deklarimit të tij në portalin Gazeta Fjala ndodh kjo:

“Pasi morëm nga një pije, ai filloi bisedën. Më tha se Banka Qendrore menaxhon me mbi 1 miliard euro, dhe do të ishte mirë që t’i investoni në bankat që t’i propozoj unë, duke bërë me shenjë se të gjithë do të ndahemi të kënaqur, në kuptim të përfitimeve materiale”.

Hashim Rexhepi refuzoi kërkesën e Arielit dhe një javë më vonë Hashim Thaçi, në prani të dy ministrave të resorëve ekonomikë (Ahmet Shala dhe Besim Beqaj) do t'i thotë se është duke e keqmenaxhuar bankën. Nuk do të kalojë shumë kohë, e në faqe të parë të gazetave dhe në hapje të lajmeve televizive do të shihet Hashim Rexhepi duke dalë nga Banka Qendrore e Kosovës me duart e lidhura në pranga e në përcjellje të policisë. Do të kalojë pak kohë, dhe do të lirohet nga të gjitha akuzat - ato tashmë as që i mban mend kush, mban mend vetëm imazhin e Hashim Rexhepit të prangosur.

Hashim Rexhepin e pasoi në postin e guvernatorit një anëtar i udhëheqjes së PDK-së.

4.

Më ra në mend Arieli para disa muajsh, kur Kadri Veseli e filloi turin e tij dëgjimor. Në këshillat e firmave PR, të relacioneve me publikun, sugjerohet që turi të bëhet katër deri në gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe po të ishte Arieli diku afër këtë do t'ia thoshte Kadri Veselit. Siç do t'i sugjeronte që të fillonte me spote publicitare në Internet e TV - të tregonte se si kryetar i Kuvendit ka lidhshmëri me qytetarët, posaçërisht ata që janë aktivë në diçka. Ai që ka menduar se nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë, me kërkesë të PDK-së, nuk i ka parë shenjat e Arielit.

Nuk di a fshihet diku Ari i vogël dhe ndoshta nuk është aq me rëndësi, sepse do të dalë një i ngjashëm me të.

Me rëndësi është çmimi. Herën e parë që u paraqit, Arit iu dha e drejta të kërkojë që paraja e Bankës Qendrore të Kosovës të menaxhohej si Fond investiv i përbashkët i Ali Babës dhe 40 hajdutëve (nuk di a janë aq në organizatën kriminale të Hashim Thaçit, por tingëllon bukur si rrëfim).

Ne, si qytetarë paguam shumëfishin e honorarit të Arit të vogël. Paguam dhe paguajmë për një autostradë së paku 300 milionë euro më të shtrenjtë se ç'duhet. E shitëm gati falë Distribucionin dhe për pak shkoi edhe PTK-ja. Ia dhamë Z-Mobile-it të drejtën që të jetë shfrytëzues i PTK-së pa një cent dhe tash t'i pagojë 30 milionë euro dëmshpërblim për këtë fakt. Paguam çdo ditë (minimalisht 10 milionë euro në vit) nga paratë tona të drejtën e PDK-së të na fyejë inteligjencën me aparatin e vet propagandistik, me në krye Radiotelevizionin e Kosovës. Dhe, këto janë vetëm kostot me faturë. Ato pa faturë janë shumëfish më të mëdha.

Tash Arieli a kolegët e tij kanë shpallur se janë në Fillim të ri. Natyrisht, nuk janë budallenj që të proklamojnë se fundi i këtij fillimi është i njëjtë. Presin që budallenjtë të jemi ne.

© KOHA Ditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Tjera nga Veton Surroi