E marta e tregut, rast që nuk duhet lëshuar

Flaka Surroi Flaka Surroi 16 maj 2017 07:54

Nëse e duan PDK-në jashtë pushtetit, opozita duhet të bashkohet në koalicion. Ky do t’i mblidhte shumë nga ata 100 mijë votues të rinj, që me votuesit e tyre të devotshëm do të mundë ta qitnin PDK-në në opozitë. Duke e lënë atë në koalicione me një grumbull partish të vogla dhe me Lista Srpskan. Më kyçja: do të kishin shumë më tepër mundësi për ta mbrojtur votën

Dhe ndodhi ajo që e kishim paralajmëruar që nga Dita Ndërkombëtare e Tualetit, 19 nëntori i para tre vjetësh. Një koalicion i panatyrshëm, i krijuar “për nevojën e mbajtjes së stabilitetit në vend”, për promovimin e Kadri Veselit dhe zgjedhjen e Hashim Thaçit kryetar, do të binte në çastin që PDK-ja do të vlerësonte se ka ardhur koha.

E koha erdhi mu në çastin kur nga Haga u lajmërua zonja Trendafilova, për të treguar se brenda pak kohësh kryeprokurori i Gjykatës Speciale, që nuk punëson kosovarë, do të ishte i gatshëm t’i ngrinte aktakuzat e para ndaj të dyshuarve për krime të luftës.

Me skenar e regji të përkryer, u mblodhën nënshkrimet. U procedua kërkesa në Kryesi të Kuvendit. U caktua seanca e jashtëzakonshme. Mustafa u përpoq të fitonte kohë me procedimin ose jo të ligjit për demarkacionin; nuk i piu ujë, dhe e përgatiti një fjalim të gjatë dhe të përvuajtur – ku veten e paraqiti viktimë. Kuvendi u mblodh. U dëgjuan mbi 40 fjalime të kota, që të vetmen gjë që e zbuluan ishte animoziteti i ndërsjellë i të “dashuruarve të deridjeshëm” që nuk lanë gjë pa thënë për njëri-tjetrin. Në fakt, ua zbuluan fytyrat e vërteta. Ua zbuluan mungesën e sinqeritetit dhe ua zbuluan forcën motorike që i ka tërhequr këta dy vjet e gjysmë bashkëjetese artificiale: interesin.

Autopuçi

Kryetarit nuk iu deshën më shumë se dy orë për ta shpërndarë Kuvendin. Nuk iu deshën më shumë se 50 minuta për ta vendosur ditën e zgjedhjeve – sepse e gjitha tashmë shkonte sipas skenarit të shkruar deri në detaje. Vendimet e fjalimet tashmë prisnin nëpër sirtarë, për të dalë mbi sipërfaqe në çastin kur do të ndodhte puçi.

Sepse nuk mund të quhet ndryshe veprimi i PDK-së. Besa edhe mundet: autopuç. Se krejt kritikat që ia shqiptonin Mustafës, në fakt ia shqiptonin edhe vetes, meqë ata kanë qenë pjesë fondamentale e këtij ekzekutivi. Por jo që mërziteshin shumë për këtë punë. Sepse si demagogë të rryer që janë, përherë do ta gjejnë dikë për ta fajësuar për dështimet e veta. E kësaj radhe ky nder i takoi Isa Mustafës, vullnetarisht.

Populli ka ditur diçka kur e ka zbuluar të famshmen: “Kush ia hap gropën tjetrit, bie në të vetë”. Mustafa e prishi VLAN-in para tre vjetësh dhe e shkeli vullnetin e votuesve të vet. U bë mashë e PDK-së dhe së bashku me partinë e tij (me ca përjashtime) u hodh si leckë, pasi më nuk kishte për çfarë t’i shërbente partneres së koalicionit. Ashtu siç ia kishte bërë ai VLAN-it, ia bëri PDK-ja atij. Shumë tipike për neve shqiptarët.

Dhe shumë naive për partinë më të vjetër kosovare. Që në esencë ka mbetur e vjetër edhe në përbërje, por edhe në mentalitet. Aq sa formën e vetme të protestës që e shfaqi ishte një komunikatë në të cilën thuhej se LDK-ja nuk do ta njihte Thaçin për kryetar. Ani që votat e LDK-së ia dhanë atij mandatin pesëvjeçar. Për këtë arsye nuk shkuan në mbledhje tek ai, për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve. E mbasi qenka kështu, a do të thotë kjo se LDK-ja nuk do të duhej të merrte pjesë në zgjedhje, meqë Thaçi i ka shpallur ato? Apo krejt do të kufizohet në epitetin e ri të Thaçit: “i ashtuquajturi kryetar”.

Garimi individual i partive bën fituese PDK-në

Dhe meqë zgjedhjet e parakohshme i kanë afatet krejt të shkurtuara, nuk ishte çudi të kenë nisur pazaret parazgjedhore qysh në ditën e ardhshme pas rënies së Qeverisë. Ia nisi me një aderim të zhurmshëm dhe shumë të kritikuar, dhe vazhdoi me fjalë kuluaresh se kush me kë do të lidhej për të krijuar lista të përbashkëta dhe koalicione parazgjedhore që duhet të përkufizohen deri më datën 16 maj.

Përderisa PDK-ja me krenari mund të propagandojë se është partia më e madhe dhe më e fuqishme që do t’i sjellë këtij vendi një “fillim të ri” (nuk kam dëgjuar për fillime të vjetra, po këta që e kanë krijuar sloganin ndoshta po duan të na tregojnë diçka, e ne ende nuk e kemi marrë vesh), LDK-ja u hodh në defansivë. Se ofensivë nuk mund t’i thuhet një veprimi ku gjithë kohën arsyetohen se ata kanë qenë të mirë, po ja që PDK-ja është e keqe dhe ua ka rrëzuar kryeministrin për shkak të sukseseve që ky i ka shënuar. Po meqë paska qenë e keqe, pse, në rend të parë, u bë bashkë e mira me të keqen? Dhe mos të thonë se këtë e kanë bërë për të mirën e vendit – për shkak se ajo që kanë bërë ka qenë mu e kundërta.

Se sa janë të vërteta sondazhet që i shohim gjithkah nëpër media elektronike – atë kurrë nuk mund ta di, përderisa ky vend nuk e ka një institucion të hairit dhe kredibil që mund të nxjerrë këso rezultatesh. Porse nga ajo që po shoh, do të mund t’ia qëlloja se po qe se shkojnë si parti individuale në këto zgjedhje, PDK-ja do të dilte e para, përcjellë nga VV-ja e më pas edhe nga LDK-ja. Kjo në praktikë do të thoshte se edhe posti i kryeparlamentarit, e edhe ai i kryeministrit, do t’i takonin PDK-së, si partisë fituese pa shumicë absolute.

Në këtë konstelacion sërish do të mundë ta kishim një koalicion Guns & Roses – sepse vijat e kuqe të LDK-së do të zhdukeshin posa do t’u ofrohej mundësia e sërishme e bashkëqeverisjes. Si herën e shkuar. Dhe sërish do të zinin thua në gurin e njëjtë. Kjo për shkak se kjo parti, kështu çfarë është, e pareformuar që nga vdekja e Rugovës (e besa edhe para vdekjes së tij) mund të besojë se nuk ka ndryshe si të mbahet e gjallë në skenën politike të Kosovës.

Nëse LDK-ja ende beson se kandidati i tyre për kryeministër do të ishte Mustafa, dhe se me të do t’i fitojë zgjedhjet, gabim e ka. Shumë gabim bile. Sepse Mustafa e humbi kredibilitetin që në çastin kur e pranoi koalicionin më 2014-n, dhe kur mori mbi supet e veta “sanimin” e krejt gabimeve politike të paraardhësit të tij, Thaçit.

Kohë e shkurtër për blic-krig

Si me ia bâ pra?

Nëse opozita përnjëmend do që ta rrëzojë PDK-në nga pushteti, këtë mund të bëjë vetëm si opozitë e bashkuar. Dallimi nga zgjedhjet e kaluara është se marrëveshja do të arrihej para zgjedhjeve. Pra, do të përpilohej një program politik i përbashkët; do të përzgjidhej një kandidat unik për kryeministër, që nuk do të ishte Isa Mustafa, dhe do të ndaheshin resorët me kohë. Madje do të zvogëloheshin, pavarësisht pretendentëve për postet ministrore.

Arsye për t’u bërë bashkë kanë LDK-ja e AKR-ja – si viktimat e drejtpërdrejta të PDK-së që i përdori e i hodhi kur nuk iu deshën më. Alternativa, e cila nuk ka fuqi që vetëm ta kalojë pragun zgjedhor. VV-ja, e cila ka arsye hidhërimi me Mustafën dhe këshilltarët e tij, por e cila nëse shkon vetëm mbetet vetëm, dhe e cila e di që po u lidh me AAK-Nismën, do të ketë probleme bajraktarizmi. Arsye për t’u bërë bashkë me këtë grup ka edhe koalicioni parazgjedhor AAK-NISMA – ngase edhe AAK-ja ka pësuar jo pak poshtërime nga Thaçi, kurse NISMA u bë fraksion i PDK-së për shkak të përçarjeve të brendshme.

Kështu, ky koalicion i gjerë do t’i mblidhte, nëse jo të gjithë, atëherë shumë nga ata 100 mijë votues të rinj që i kanë mbushur 18-20 vjet që nga zgjedhjet e shkuara. Plus votuesit e tyre të devotshëm, të cilët do të mundë ta qitnin PDK-në në opozitë, duke e lënë atë në koalicione me një grumbull partish të vogla dhe me Lista Srpskan, tashmë parti e regjistruar. Dhe, më kyçja, do të kishin shumë më tepër mundësi për ta mbrojtur votën.

Nga ana tjetër, do të mundë të jetë në lojë edhe një kombinim tjetër: ai i krahut të luftës PDK-AAK-NISMA në të cilin mbase do të insistonin të huajt, ashtu që të sigurohej stabiliteti, në kohën kur të nisin aktakuzat kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Specialja. Porse, me numrat e këtyre dy partive më të vogla vështirë se do të mundë të fitonin pa i pasur pas vetes edhe krejt minoritetet dhe pa i hyrë një aranzhimi të ri, ku PDK-ja do ta rrëzonte vetveten sërish, posa do ta vlerësonte se Qeveria u ka shërbyer interesave të veta.

Për më tepër, po të kishin pak pragmatizëm, dhe po qe se do t’ia donin të mirën këtij vendi, opozita e bashkuar (hipotetike) do të duhej të ishte e hapur që vendet ministrore t’ua ofronte njerëzve apartiakë – pra atyre që do ta merrnin detyrën për ndryshime rrënjësore në krejt sistemet e kolapsuara që i ka lënë pas sundimi i keq i PDK-së në gjithë këta vjet. Për më tepër, po qe se do të ngadhënjente, postin e ministrit të Brendshëm do të duhej t’ia jepte Vetëvendosjes. E besa edhe atë të Drejtësisë.

* * *

Logjika bardhezi e thotë kështu.

Porse është një fakt i pamohueshëm se ky vend nuk do të ndryshojë përderisa në krye të vendit do të jetë PDK-ja, e cila e ka fundosur Kosovën këtu ku është. Nuk do të ndryshojë ama hiç, po qe se dy nga postet kryesore, kryeministri dhe kryetari, të jenë nga po kjo parti dhe përderisa struktura e tyre nepotiste dhe rrjeti i merimangës që e kanë thurur në të gjitha instancat të mos shkapërderdhet.

Ky vend nuk do të ndryshojë as në rast se ekzekutivin do ta udhëhiqte ndonjëri përfaqësues i LDK-së së amortizuar dhe amorfe. Bagazhi i gabimeve nga e kaluara është shumë i madh, dhe vështirë i kapërdishëm për këdo që do të dalë të votojë. Dhe më shumë ka gjasa që t’i kthejë prapa votuesit, sesa t’i tërheqë për ta dhënë votën.

Kosova ka nevojë për njerëz të rinj që mund të udhëheqin. Edhe nëse janë të papërvojë në pozita udhëheqëse – për shkak se këta me shumë përvojë do të na çmendin kolektivisht. Dhe do të na çojnë në fund të pusit, nëse tashmë nuk kemi rënë aty.

E marta është ditë tregu në Prishtinë. Është edhe afati i fundit kur duhet të zyrtarizohen koalicionet parazgjedhore. Mbase është koha e fundit që të eliminohen sedrat, inatet, antipatitë – që krahas sundimit katastrofal të PDK-së i kanë shkaktuar shumë dëm këtij vendi. Është e qartë se ata që kanë dështuar duhet t’u hapin rrugë të rinjve, e ata të mbesin në prapavijë.

Kosova na ka mësuar prej kohësh se martesat prej dashurisë janë iluzion dhe se ato që “dhezin” janë ato të interesit. Ama kësaj radhe në vend të interesit personal do të duhej qitur interesin e Kosovës në rend të parë.

Mbase kësaj radhe pazari do të jetë i begatshëm. Për Kosovën.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Tjera nga Flaka Surroi