OpEd

PDK-ja do edhe kryeministrin, edhe presidentin

Opozita e ndihmoi PDK-në ta rrëzojë Qeverinë atëherë kur PDK-ja deshi dhe jo anasjelltas. Veseli nuk ka vendosur që ta rrëzojë Qeverinë ku është vetë, për t’ia dhënë pushtetin opozitës. Veseli e rrëzoi Qeverinë ku është vetë, për ta hequr nga posti Mustafën dhe për t’u bërë vetë kryeministër, tashmë kur Thaçi ka siguruar postin e presidentit.

TASH RRI SHTREMTË e fol drejt - PDK-ja edhe një herë u tregoi të gjitha partive të tjera se vetëm kur ajo do dhe si ajo do mund të bëhet Qeveria dhe të bjerë Qeveria. Të kujtojmë, të gjitha partitë opozitare u bënë bashkë në VLAN për ta lënë PDK-në në opozitë dhe nuk ia dolën. LVV-ja, AAK-ja e NISMA hodhën gaz lotësjellës e mollotovë, bojkotuan Kuvendin, organizuan protesta me dhjetra mijëra qytetarë, mblodhën 205 mijë nënshkrime, por nuk ia dolën që ta rrëzonin Qeverinë. Qeveria ra kur vendosi që ta rrëzojë atë PDK-ja. Pa votat e PDK-së, opozita nuk do të mundë ta kalonte mocionin e votëbesimit.

Rrjedhimisht i bie që opozita e ndihmoi PDK-në që ta rrëzojë Qeverinë dhe jo anasjelltas. Në qoftë se do të ishte ndryshe, atëherë LVV-ja, AAK-ja dhe NISMA do të mundë të organizonin mocione mosbesimi për Qeverinë që në ditën e parë të punës së saj. Në të njëjtën kohë, nuk po pretendoj që nuk është dashur të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Kjo legjislaturë dhe koalicioni LDKPDK- Lista Serbe që nga fillimi i ka ngjarë atij njeriut, i cili kur zgjohet në mëngjes e urren vetveten e deri në mbrëmje - gjithë botën. Kjo, pra, s’diskutohet. Por ajo për të cilën duhet vrarë mendjen liderët e opozitës, është motivi i PDK-së që pikërisht tash të dalë “në anën e tyre”.

MOTIVI I PDK-së është sa i thjeshtë ashtu edhe legjitim për një parti politike. Kadri Veseli nuk ka vendosur që ta rrëzojë Qeverinë ku është vetë, për t’ia dhënë pushtetin opozitës. Veseli e rrëzoi Qeverinë ku është vetë, për ta hequr nga posti Isa Mustafën dhe për t’u bërë vetë kryeministër. Derisa LDK-ja, për të zezë të veten, e respektoi marrëveshjen e koalicionit LDK-PDK-Lista Serbe dhe e votoi Hashim Thaçin për president, PDK-ja nuk e respektoi marrëveshjen për të mos votuar mocion votëbesimi për Qeverinë. Veselit nuk i është pritur që duke qenë partia fituese e zgjedhjeve, të qëndrojë e dyta në Qeveri, pavarësisht se nga e njëjta marrëveshje qeverie tashmë ishte bërë Thaçi president.

Fundi i fundit, ai mund të thotë se as ka qenë nënshkrues i marrëveshjes tripalëshe qeveritare dhe nuk ka pse domosdoshmërisht as t’i qëndrojë prapa, sado joetike të jetë kjo. Njëkohësisht, Veseli e di se nga thuaja 10 sondazhe - kredibile ose jo – në 9 prej tyre PDK-ja del si partia e parë. Kjo i bie se nëse shkohet në zgjedhje tash, pa koalicione të mundshme, gjasat më të mëdha për t’i fituar zgjedhjet i ka PDK-ja. Me përvojën e kohës së VLAN-it, tashmë është bërë e qartë se është thuaja e pamundshme që partia e cila i fiton zgjedhjet, të pamundësohet ta drejtojë edhe Qeverinë. Këtë po e pranojnë publikisht edhe partitë opozitare. Kështu që kalkulimi i PDK-së është i qartë - ata duan që për herë të parë pas luftës t’i kenë dy postet më të rëndësishme në vend për vete: Kadri Veseli si kryeministër, Hashim Thaçi si president. Ironia këtu është se këtë kalkulim e ka të qartë edhe opozita.

E njëjta opozitë e cila në fillim nuk donte assesi ta lejonte PDK-në të udhëhiqte me Qeverinë - edhe pse ajo i kishte fituar zgjedhjet - tash po ia hap derën Së njëjtës PDK që të mundë të udhëheqë edhe Qeverinë edhe presidencën. Natyrisht, ky kalkulim i PDK-së do të mundë të prishej në qoftë se opozita do të mundë të bashkohej para zgjedhjeve në një bllok opozitar të vetëm, ose nëse LVV-ja do të bënte koalicion me LDK-në, ose AAK/NISMA do të bënin koalicion me LDK-në. Por së paku nga ajo që kanë thënë liderët opozitarë deri më tash, një gjë e këtillë është vështir të ndodhë, duke ia rritur kështu gjasat PDK-së që sërish të mundë të dalë e para.

PËRFUNDIMISHT, DUHET pranuar se nuk është e jashtëzakonshme që qeveritë të bien para përfundimit të mandatit. Gjithashtu, është e drejtë ligjore që qeveritë të votohen me mocione votëbesimi. Çka është pak e çuditshme këtu, është se PDKja për herë të tretë po zgjedhë t’i rrëzojë qeveritë e veta, sidoqoftë ata e kanë kalkuluar vetë këtë. E mira e situatës është se, për dallim nga dy vjetët e kaluar, gjasat janë shumë më të mëdha që të kemi një proces të mirë zgjedhor, me rezultate të cilat do të pranohen nga të gjitha partitë politike. E, pastaj, kush ta meritojë besimin e qytetarëve – të urojmë të punojë më shumë për ata qytetarë dhe më pak për vete. Përfundimisht!