OpEd

Boshllëku i drejtësisë për Kosovën tash e 20 vjet

Këtë javë shënohet 20 vjetori i përfundimit të luftës së Kosovës. Ajo që nisi si një shtypje sistematike e shtetit serb çoi në sulme nga një grup shqiptar i armatosur, në një reagim të egër qeveritar dhe në sulme ajrore nga NATO-ja për 78 ditë.

Civilët paguan një çmim të majmë. Në Kosovë, forcat serbe dhe jugosllave u turrën përmes fshatrave për të djegur shtëpi, ekzekutuar burra dhe përdhunuar gra dhe vajza. Rreth 850,000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan dhunshëm.

Raporti kryesor i “Human Rights Watch” për konfliktin zbuloi “një fushatë të koordinuar dhe sistematike për të terrorizuar, vrarë dhe dëbuar shqiptarët etnikë të Kosovës që ishte organizuar nga nivelet më të larta të qeverive të Serbisë dhe Jugosllavisë”. Autoritetet serbe tentuan të fshihnin ato krime duke i zhvendosur me mijëra trupa në Serbi dhe duke i hedhur ato në varreza masive.

Por, këto nuk ishin krimet e vetme të konfliktit. Edhe grupi shqiptar i armatosur, i njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), rrëmbeu dhe vrau civilë serbë, romë e shqiptarë gjatë dhe pas luftës. Forcat e NATO-s përdorën municione shpërthyese (cluster) dhe sulmet e tyre vranë rreth 500 civilë, disa madje në sulme ligjërisht të dyshimta.

Sot, 1,653 persona mbesin të zhdukur nga lufta, 1,092 shqiptarë dhe 562 romë e serbë.

Drejtësia, në përgjithësi, mungon. Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY) akuzoi liderin serb Sllobodan Milosheviq për rolin e tij në Kosovë, por ai vdiq gjatë gjykimit. Gjashtë prej bashkëpunëtorëve të tij të lartë u dënuan për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Kosovë, tre prej të cilëve iu lejua lirim i parakohshëm pasi kishin kryer dy të tretat e dënimit. Një nga të gjashtët, shefi policor Vlastimir Gjorgjeviq, të cilin ICTY-ja e gjeti fajtor për koordinimin e operacionit për largimin e trupave, pritet të lirohet para kohe këtë muaj. 34 OJQ nga Serbia dhe Kosova kanë kundërshtuar këtë derisa nuk i nxjerr informata për lokacionin e personave të zhdukur.

Zyrtarë tjerë të sigurisë të implikuar besueshëm në krime lufte i janë shmangur drejtësisë. Një gjykatë për krime lufte me bazë në Beograd është përqendruar në autorët e vegjël dhe të mesëm të krimeve dhe ka injoruar shumë prej krimeve më serioze në Kosovë, përfshirë edhe largimin e trupave. Bashkimi Evropian, ku Serbia aspiron të anëtarësohet, llogaridhënien në kohë të luftës nuk e ka paraqitur si top-kërkesë.

Në ndërkohë, liderë të lartë të UÇK-së të akuzuar për vrasje dhe transferim të trupave në Shqipëri mbesin në liri, disa prej tyre në poste të larta qeveritare. Një gjykatë e re në Hagë ofron shpresë për drejtësi, dhe mbrojtja e kriminelëve të luftës nga Serbia nuk arsyeton përpjekjet për të rrezikuar këtë mundësi.

Disa njerëz preferojnë kthimin e krahut: lërini plagët të shërohen me kohë. BE-ja është përqendruar në negociata për të normalizuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Sado i rëndësishëm që të jetë dialogu, drejtësia është ilaçi kritik për shëndetin afatgjatë.

Fred Abrahams është Drejtor i Asociuar për Program në Human Rights Watch