OpEd

Ka ardhur koha që PDK-ja të shkojë në opozitë

Pa kaluar në një catharsis të thellë, një pastrim, një distancim dhe ndëshkim për individë e veprime brenda PDK-së, s’mund të flitet për “fillim të ri”. Kjo vështirë të ndodhë me një PDK që vazhdon të jetë në pushtet. Çfarëdo eksperimenti që bëhet me përbërës të njëjtë s’ka se si të ketë rezultate ndryshe. Për këto arsye “fillimi i ri” më tepër i ngjan një “hajgareje të vjetër”. Gjithsesi, të hidhur!

PARTISË DEMOKRATIKE të Kosovës i janë pjekur kushtet që të dalë në opozitë, pas zgjedhjeve të ardhshme. Për të mirën e Kosovës, gjithsesi, por edhe për të mirën e vetë PDK-së.

Kjo parti është në pushtet që nga koha e luftës në Kosovë. Teknikisht, nuk ka qenë në pushtet vetëm 3 vjet sa ka zgjatur koalicioni LDK-AAK, por ky mandat qeverisës atëbotë ishte vënë krejtësisht në hije të Ekipit të Unitetit në procesin e bisedimeve të Vjenës, kohë kur nuk kishte pushtet e opozitë reale në vend.

Asnjëherë nuk kam qenë ithtar i përgjithësimeve, vlerësimeve bardhezi, shablloneve, meqë vlerësoj se thuaja gjithmonë përgjithësimet nuk janë të sakta, për më tepër, përgjithësisht janë të padrejta.

Kështu që, në fillim duhet thënë se në PDK ka individë të mirë e punëtorë, ka pasur e ka ministra të suksesshëm, ka njerëz që përpiqen të punojnë hakikat për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Por zaten, si çdo ujë që nuk lëviz e fillon të kundërmojë, mjerisht kjo moslëvizje e PDK-së ka filluar të kundërmojë, e me të edhe vetë Kosova.

ËSHTË BUKUR E thjeshtë: Nëse Kosova sot është vendi me papunësinë më të lartë në Evropë, me gjithë vështirësitë që mund të kenë qenë në kontekstin kosovar, përgjegjësia kryesore i bie PDK-së.

Nëse Kosova sot renditet lart në ranglistat e perceptimit të korrupsionit, përgjegjësia kryesore i bie PDK-së.

Nëse Kosova sot është vendi i vetëm në Evropë pa liberalizim vizash, përgjegjësia kryesore i bie PDK-së.

Nëse Kosova sot ende nuk e ka të rrumbullakuar procesin e pavarësisë, përgjegjësia kryesore i bie PDK-së.

Nëse Kosova sot ka implikime të drejtpërdrejta politike nga qeveria e Beogradit, përgjegjësia kryesore i bie PDK-së.

Nëse Kosova sot ka shëndetësinë ndër më të dobëtat në Evropë, përgjegjësia kryesore i bie PDK-së.

Nëse nxënësit e Kosovës renditen nga fundi i vlerësimit të PISA-s, përgjegjësia kryesore i bie PDK-së.

Dhe – po e vëreni - po e vë theksin te nocioni “kryesor”, pasi që vlerësoj se ka edhe të tjerë përgjegjës për këto që u përmendën. Se nëse gjëra të mira i kanë ndodhur Kosovës për këta 18 vjet, e pajtohem se i kanë ndodhur edhe shumë gjëra tepër të mira, edhe për të mirat meritën kryesore mund ta marrë PDK-ja.

Mirëpo, a është Kosova mirë?

Konsideroj se enumeracioni i mësipërm i rekordeve të zeza e përkufizon përgjigjen e saktë. Edhe kuadrot më të mira e më përfaqësuese të PDK-së domosdo që pajtohen se – jo, Kosova nuk është mirë.

A do të bëhet domosdo më mirë nëse PDK-ja shkon në opozitë? Sinqerisht, as këtë nuk mund ta thotë dikush me siguri.

Por, ne me PDK-në e pamë se sa po mundemi. E nuk po mundemi shumë.

Kështu që PDK-ja, me një mandat të mirëfilltë në opozitë, do të mundë së pari të reflektonte dhe të niste reforma thelbësore brenda vetvetes, për të mirën e vetes e për të mirën e Kosovës.

NJËJTË SIÇ SHIHET PDK-ja nga një pjesë e shoqërisë si kapëse e disa institucioneve të shtetit, ashtu duket e kapur edhe PDK-ja nga individë të caktuar brenda vetes.

Derisa disa nga ministrat kryesisht janë mbajtur mirë dhe ka jo shumë kritika për ta, njësoj nuk mund të thuhet për një pjesë të deputetëve, një pjesë të kryetarëve të komunave, një pjesë të zëvendësministrave.

Ironia më e madhe këtu është se individët që i mbajnë ose kanë mbajtur këto poste institucionale nga PDK-ja kanë qenë njëkohësisht shpesh edhe mbledhësit më të mëdhenj të votave për partinë. Dhe, si të tillë, ata edhe kanë shantazhuar, kanë kërkuar që të kenë ndikim, herë formal e herë joformal, edhe në strukturat e partisë e edhe në strukturat qeverisëse. Siç dihet, në mesin e tyre ka të dënuar për vrasje e zhvatje, ka të akuzuar për falsifikime vendimesh gjyqësore e pronash, të akuzuar për afera korruptuese, të dyshuar për përfitime pozitash e pronash në mënyrë të paligjshme, ka të dyshuar për falsifikime diplomash e të tjera të ngjashme.

SARKASTIKE, thënë së buti, mund të duket përpjekja e kryetarit të ri, Kadri Veseli, që të nisë një “fillim të ri”. Por, si mund të ketë një parti fillim të ri, nëse për 18 vjet ka qenë në pushtet, nëse Kosova është në stadin e saj jo të kënaqshëm të lirisë e zhvillimit, nëse është e kapur nga individë e struktura brenda vetes?!

Veseli s’ka se si të flasë për fillim të ri, në qoftë se nuk ia pranon së pari vetes e edhe qytetarëve të vendit se cilat kanë qenë të metat e dëmet e shkaktuara vendit nga pararendësi i tij, Hashim Thaçi. Se nëse, sipas Veselit, gjithçka do të ishte në rregull me qeverisjen e deritashme të PDK-së, atëherë do të duhej të ishte “vazhdojmë” dhe jo “fillim i ri”.

Për të pasur fillim të ri duhet të ketë bilanc të rezultateve të vjetra. E rezultatet e vjetra lënë shumë për të dëshiruar. Pa kaluar në një catharsis të thellë, një pastrim, një distancim dhe ndëshkim për individë e veprime brenda PDK-së, s’mund të flitet për “fillim të ri”. Kjo vështirë të ndodhë me një PDK që vazhdon të jetë në pushtet. Çfarëdo eksperimenti që bëhet me përbërës të njëjtë s’ka se si të ketë rezultate ndryshe.

Për këto arsye “fillimi i ri” më tepër i ngjan një “hajgareje të vjetër”. Gjithsesi, të hidhur!

SIDOQOFTË, NË demokraci dalja e dikujt në opozitë ose ardhja e dikujt tjetër në pushtet, ndonëse mund të ndihmojë, nuk mund të ndodhë as me anë të analizave politike, as me dashamirësinë a dashakeqësinë e dikujt.

Pushteti dhe opozita në demokraci do të duhej të ishin vullnet i qytetarëve. E ky vullnet i qytetarëve nganjëherë mund të matet edhe si votë për, ashtu edhe si votë kundër.

Për shembull, edhe në zgjedhjet e kaluara PDK-ja me koalicionin e saj parazgjedhor ka fituar 30 për qind të votave, që në të njëjtën kohë i bie se 70 për qind të qytetarëve kanë qenë për subjektet e tjera politike.

Pra, vullneti i qytetarëve ka qenë aty, por partitë e tjera politike, të ndara, nuk ia kanë dalë që ta mbledhin brenda vetes këtë vullnet dhe PDK-ja ka dalë fituese.

Kështu që, nëse krejt subjektet e tjera politike e thonë se është koha që PDK-ja të dalë në opozitë, atëherë do të duhej të gjenin forma që të koalicionojnë, në mënyrë që të renditen të parat në zgjedhje.

Nëse ato gjejnë arsye të ndryshme për të mos e bërë frontin e përbashkët të ndryshimit, atëherë as kritikat e tyre për PDK-në dhe mundësimin e rotacionit demokratik të pushtetit s’kanë se si të merren shumë seriozisht.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk