OpEd

Të jetosh prej këstit në këst

Mbijetesa e njerëzve me borxh të përhershëm është bërë art më vete. Art që e ka fundosur këtë vend në nivele të thella të varfërisë dhe të moszhvillimit ekonomik. Dhe, të varësisë nga politika

Jeta në Kosovë është jetë me këste. E besoj se do të jenë të rrallë ata që janë të punësuar, e që nuk e kanë së paku një kredi të cilën e marrin te bankat komerciale të Kosovës, që populli i njeh si “fajdexhi me letra”.

Të jetuarit me kredi, nënkupton se përherë do ta bartësh barrën dhe frikën se nuk do të arrish ta paguash këstin e radhës. Në çastin që ia del, ndihesh thuajse ke rilindur. Ky gëzim do të të zgjasë edhe ndonjë ditë. E më pas, sërish do të të kaplojë frika se mos këstin e ardhshëm nuk do ta përmbushësh: për shkak se mund të të vonohet rroga, ose për shkak se ke pasur obligime të tjera të pashmangshme e ke mbetur pa metelik në xhep a në llogari rrjedhëse.

Nuk e di punën e shteteve të rajonit – nëse nuk kanë para në qarkullim njësoj sikur kjo Kosova jonë martire. Por, mbijetesa e njerëzve me borxh të përhershëm është bërë art më vete. Art që e ka fundosur këtë vend në nivele të thella të varfërisë dhe të moszhvillimit ekonomik. Dhe, varësisë nga politika. Sepse ata që kanë punë, mbase edhe ia dalin t’i shlyejnë borxhet. Por të papunët, këstet mund t’i paguajnë veç me jetët e shkreta.

Taktikat e Mustafës

E sikur marrje e kredisë dhe pagesë me këste u duk nisma e kotë e kryeministrit që u nis javën e shkuar në Bruksel për të kërkuar liberalizimin me kusht. Nuk duhej shumë logjikë për të kuptuar se të kërkosh nga 27 shtete që të votojnë individualisht miratimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, me kushtin që ai të hiqej po qe se nuk kalonte demarkacioni me Malin e Zi brenda dy vjetësh, ishte të kërkosh një kredi milionëshe pa hipotekë.

Lëvizja taktike e Mustafës për t’ia prishur planet Veselit, që kishte premtuar publikisht se demarkacioni do të procedohej në Kuvend më 26 prill – ishte në fakt një mundësi e mirë për ekipin e tij të marrë mëditje në Bruksel. Dhe asgjë më tepër. Tashmë disa herë në ditët e fundit është përsëritur se kushtet për liberalizim janë dy – dhe se ai më i rëndësishmi, luftimi i krimit dhe korrupsionit, ishte larg realizimit, me gjithë përrallat që na i thonë politikanët tanë.

I vetëdijshëm se Qeveria mund t’i bjerë që në çastin që demarkacioni nuk kalon, është duke shikuar për mundësitë që ta shtyjë këtë moment për sa më shumë që të mundet. Porse tashmë plasaritjet në koalicion po bëhen përherë e më të dukshme – mbështetur mbi deklaratat e partive që e fajësojnë njëra-tjetrën për këtë apo atë dështim. E posaçërisht mbështetur mbi fushatën që Veseli e ka nisur moti me paratë dhe resurset e Kuvendit, e që mban një emër kredie: “Fillimi i ri”. Thuajse Mr. Kty i ka larë të gjitha këstet e kredisë 20-vjeçare gjatë së cilës, ai me shokët e tij partiako-shikistë na dërrmuan përtokë.

Zgjedhje do të ketë – dhe me gjasë ato do të ndodhin shpejt. Fakti se Gjykata Speciale nuk ia doli ta miratonte rregulloren e vet të punës për shkak se 9 nene janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, i jep një motiv shtesë PDK-së që ta prishë koalicionin sa më shpejt. Gjithsesi para ngritjes së aktakuzave të para nga Gjykata Speciale – sepse ashtu ka më shumë shanse për të fituar, falë gjithë atyre që u ka bërë shërbime dhe u ka dhënë punë me para të shtetit. Dhe gjithashtu falë partive opozitare që me përjashtime të rralla nuk kanë pësuar ndryshim përmbajtjesor as në program politik e as në përbërje njerëzore.

Vetëbesimi joreal i Ramushit

Të tillë e ka partinë Ramush Haradinaj. AAK-ja e tij është më shumë parti regjionale sesa kosovare dhe, sipas statutit të partisë, ai i mban të gjitha dizginat në dorë. Ai vendos se kush mundet, e kush nuk mundet të bëhet anëtar i strukturës udhëheqëse. Ai është vetë partia, sepse pa të, ajo thuajse tretet.

Haradinaj, pas katër muaj qëndrimi në Francë, pasi u arrestua me kërkesë për ekstradim Serbisë, u kthye në Kosovë. Kësaj radhe qe boll i mençur sa për të mos pranuar t’i shtrohej tepihu i kuq në aeroport. Kthimin në Kosovë e organizoi ndryshe. Apo më mirë thënë ia organizuan ndryshe. Mëngjesi agoi me një kiamet fishekzjarrësh e të shtëna armësh, të cilat pos zhurmës shurdhuese, nuk është se u panë dhe shijuan për bukuri. Vazhdoi me sjelljen prej kapadainjsh të ca komandantëve që gëzimin për lirimin e tij e demonstruan duke hyrë me xhipa bash në mes të Panagjyrit, duke i rrezikuar kalimtarët e rastit. Përfundoi me një fjalim prej kryeplaku odash në qendër të Prishtinës – që simbolizoi nisjen e fushatës zgjedhore nga ana e tij.

Dhe përderisa me të drejtë ankohej se institucionet e vendit nuk kishin bërë asgjë për ta marrë në mbrojtje prej sulmit institucional që ia bën Serbia Kosovës edhe nëpërmjet fletarrestimeve ndërkombëtare, megjithatë e përsëriti një fjali që e kishte thënë edhe më herët: se kërkesa për ekstradimin e tij ishte shpallje lufte e Serbisë karshi Kosovës. Pra, po qe se ai do të ekstradohej, Kosova do t’ia niste luftës, me të si shkas.

Shikuar nga prizmi bankar, kjo deklaratë mund të interpretohet ashtu që të kuptohet se Haradinaj i ka dhënë një kredi të madhe Kosovës, dhe se ajo tash duhet t’ia kthejë borxhin me këste e kamatë. Përderisa do të jenë të rrallë ata që do t’ia mohojnë luftën e përnjëmendtë që e ka bërë si dhe humbjen e dy vëllezërve në front, megjithatë jo të gjithë do të pajtohen me një deklaratë të tijën nga 2008-a: “S’kam luftu për nanë e babë, por për krejt Kosovën. Dhe Kosova më ka borxh”. Dhe jo të gjithë pajtohen me akuzën se janë mashtrues e frikacakë ata që nuk e kuptojnë se Serbia i shpall luftë Kosovës për shkak tijin.

Serbia ama bash kurrfarë nevoje nuk ka që t’i shpallë luftë Kosovës, kur krejt çka po do po e realizon me negociatat e Brukselit. Mandej, ata që janë shquar për luftën, ose së paku i kanë marrë meritat për to, kryesisht janë rehatuar mirë financiarisht – pra, pse do të duhej t’i futeshin luftës për Haradinajn. Dhe në fund, nuk e besoj se populli do të çohej ta bënte edhe një luftë (me kusht që NATO-ja do të na shpëtonte sërish), nga frika e kumandantave të rinj që do të vinin në pushtet më pas. Kjo për shkak se populli është ngopur duke u paguar fajde komandantëve dhe të ngjashmëve, për meritat e tyre në luftë. Sepse këto këste duket se nuk kanë fund.

Lirimi i tij nga Franca është lajm i mirë për të, për përkrahësit e tij dhe për Kosovën. Porse nuk është garanci se do të mund të mbledhë më shumë vota sesa në zgjedhjet e shkuara, në veçanti për shkak se nuk cakton vija të kuqe në koalicionet e mundshme për zgjedhjet që po vijnë. Aty ku nuk ka ofertë programi, por vetëm ndërrim emri fushate me figurat e njëjta që vendnumërojnë, nuk ka gjasa për asgjë tjetër, pos për promovim personal në postin e kryeministrit.

Fundi i kredive të përjetshme në Maqedoni?

Pikërisht në kohën kur Prishtina po mbulohej me shpërthimin dyfish më të madh se të mëngjesit (kësaj radhe fishekzjarrët u panë), në Maqedoni po ndodhte desanti “popullor” dhe përpjekja për linçimin e Ziadin Selës në Kuvend.

Tashmë lajmi kishte marrë dhenë se situata në Shkup ishte tejet e tendosur dhe se po rrezikoheshin jetët e deputetëve, posaçërisht të atyre shqiptarë. Përfaqësuesve të po atyre që kur ne e patëm më së rëndi, në pranverë të 1999-s, na dhanë krejt çka patën që ta mbijetonim tmerrin. Shqiptarëve të Maqedonisë, të cilëve kurrë nuk ua kthyem borxhin, për shkak se nuk deshëm. Për më tepër, të cilëve ua komplikuam jetën edhe më shumë me aksionin të pashpjegueshëm absurd të Kumanovës dy vjet më parë.

Për hir të solidarizimit me ta, fishekzjarrët kanë mundur të mos shpërtheheshin të enjten mbrëma – dhe askush nuk do të ishte ndier i prekur me këtë veprim. As kremtuesit e as ata që po vuanin teksa po i përjetonin çastet e tensionit me erë lufte.

Maqedonia, 16 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, që e ndali luftën, dhe për herë të parë në histori të vetën zgjodhi një shqiptar për kryetar Parlamenti. Në kushte kaosi, Talat Xhaferi, e dha betimin në maqedonishte, porse e mbajti fjalimin inaugurues në shqip. Thuajse ky është kësti i fundit që shqiptarët është dashur të paguanin që më në fund edhe shqipja të trajtohet e barabartë në shtetin që gjithmonë është përpjekur t’ua minimizojë ekzistencën.

Mbase krijimi i këtij koalicioni, ku shqiptarët megjithatë ia dolën të bëheshin bashkë për ta hartuar një dokument kërkesash reale për zbatim, do të jetë edhe përmbyllja e një fajdeje të imponuar nga maqedonasit prejse shteti u themelua në kohë të Titos. Çfarëdo kërkese që është nisur nga shqiptarët, ka marrë shumë mund e gjak për t’u realizuar. Dhe kjo, vetëm një pjesë ka arritur të bëhet realitet.

Hapja e shkollave shqipe, valëvitja i flamurit, përdorimi i kufizuar i gjuhës në komunat ku e bëjnë shumicën, regjistrimi i popullsisë, themelimi i universitetit në shqip, punësimi në administratën shtetërore, hapja e mediumeve në shqip..., krejt këto kanë ardhur ngadalë dhe të shtyra si me zor. Thuajse pas secilit këst të paguar, kamatës i është shtuar kamata e re – që ngufat, që të bën të jetosh në ankth se si do ta paguash atë që është në radhë. E së cilës kamatë, për fat të keq, u kanë kontribuuar edhe vetë shqiptarët, duke i mbajtur në pushtet ata, që të enjten mbrëma, sa nuk i mbytën deputetët.

Mbase ka ardhur çasti kur gjërat do të mundë të ndryshojnë për të mirë. Përderisa partitë politike do ta mbajnë frontin unik për ta mbrojtur interesin e kombit të vet, do ta kenë më të lehtë negocimin. Do ta kenë më lehtë që të imponojnë realizimin e të drejtave të shqiptarëve. Më në fund do të kenë ardhur në pozitën e kreditorit, të cilit borxhin duhet kthyer me këste dhe kamatë të majme. Të tillë që do t’ua sigurojë shqiptarëve statusin shtetformues në IRJM-në e mbushur me statuja të importuara në emër të sajimit të historisë së paqenë.

* * *

Të jetosh pa borxhe është situatë ideale, por vështirë e realizueshme. Megjithatë, të gjithë ata që politika i ka mbështetur për muri, do të kënaqeshin me gjendjen ku kredia do të merrej për të jetuar më mirë, e jo për të mbijetuar. Porse kjo situatë kurrë nuk do të vijë vetvetiu. Sepse asgjë nuk vjen nga qielli, pavarësisht se çfarë thotë dogma. Krejt zgjidhjet janë në tokë. Vetëm duhet gjetur.

flaka@koha.net