OpEd

Mbi rritjen ekonomike

Një vështrim mbi trendët ekonomikë të viteve të fundit dhe rrugën që duhet ndjekur para

-1-

“Kosova me rritjen më të madhe ekonomike në rajon” është thënia më e përdorur ekonomike në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë e këndej. Nuk ndryshon as në këtë qeveri. Në të vërtetë, argumenti i vetëm ekonomik është ky: ne paskemi rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe me këtë, viola, ekonomia jonë është në mbarësi. Këtë argumentim, si papagaj, s’përtojnë ta përdorin gjithsecili – morën vesh, s’morën vesh gjë prej ekonomie.

Të njëjtën deklaratë, të njëjtin qëndrim, e kishin dhe dy qeveritë paraprake të pas-Pavarësisë. Ç’është e vërteta, Kosova rritjen më të madhe ekonomike në rajon e kishte edhe në Qeverinë Thaçi I, edhe në atë II. Kjo rritje “më e madhe” ishte shndërruar edhe atëherë si platformë e garancisë për mirëqenie, ani pse e njëjta garanci shpërtheu me ikje masive nga vendi për shkak të skamjes e papunësisë.

Do të mjaftonte një kërkim i thjeshtë në platformën e të dhënave të Bankës Botërore (në DataBank), për të krahasuar rritjen ekonomike nëpër vendet e rajonit – dhe me këtë, edhe për të kuptuar se rritja jonë ekonomike ka qenë pothuajse gjithherë më e larta në Ballkan. Në vitin 2009, 2011, 2012, 2013, 2015 e 2016 ne kishim rritjen më të lartë ekonomike në krahasim me Serbinë, Maqedoninë, Bosnjën, Malin e Zi e Shqipërinë. Pra, në 9 vitet e fundit Kosova kishte rritjen më të lartë ekonomike në 6 vite. Gjatë 2 viteve të tjera ishte në vendin e dytë, një herë në të tretin.

Pra, Kosova është kampion i pakonkurrencë sa i përket rritjes ekonomike vjetore në krahasim me rajon; dhe ky fakt, sivjet, s’bën ndonjë risi. Ka qenë gjithherë që nga viti 2009 e këndej. Por, sërish, siç ka qenë në vitin 2009, e 2011, e 12 e 13, e 15 e 16 e edhe sot, ekonomia e Kosovës është më e varfëra, me më së shumti papunësi e më së paku investime të jashtme. Pra rritja më e madhe në rajon, nuk reflekton domosdo shpërthim.

Kjo, për dy arsye. E para, sepse Kosova ka bazën më të ulët ekonomike në rajon, rrjedhimisht çdo rritje me veten nuk është ku me ditë çfarë arritjeje. E dyta, sepse, për të arritur standardet e ekonomive rajonale, për të adresuar problemet e papunësisë e të varfërisë, Kosovës i duhet dyfishi i rritjes së tanishme; normë që s’arrijmë ta shënojmë asnjëherë.

-2-

Promovuesit e zhvillimit ekonomik, po që se duan argumente, mund të shikojnë te krahasimet me ecjet paraprake. Pra, të bëjnë krahasime me qeveritë e mëparshme. Kështu, sërish sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, gjatë “Qeverisë Thaçi I”, rritja ekonomike, në mesatare, ka qenë 3.1%. Gjatë “Qeverisë Thaçi II”, rritja ekonomike ka qenë, në mesatare, rreth 3.6%. Në “Qeverinë Mustafa”, rritja ekonomike, në mesatare është 3.9%. Pra, ka, në mesatare, rritje ekonomike pak më të lartë sesa dy mandatet paraprake. Ky argumentim mund edhe të kishte kuptim – po të ketë kush të bëjë argumentime të tilla gjithsesi.

Por sërish, edhe rritja prej 4% është e pamjaftueshme. Është pra sa gjysma e të domosdoshmes sonë. E normës që jep garanci për vende të reja të punës, për investime private e mirëqenie sociale.

Natyrisht, për të qenë korrekt, e dëshirueshmja është një gjë, e mundshmja është tjetër. Ndjekja e ritmit prej 8% është punë larg nga e lehta. Dhe, mbi të gjitha, është e papritshme që brenda një mandati qeverisës të arrihej një mesatare e tillë. Por është shumë e pritshme që të ndërtohej një bazë për një rritje të tillë. Pra, të ketë politika që garantojnë rritje të parvjetshme. Pra 4% në vitin e parë, 5% në të dytin, 6% në të tretin, e ndoshta, me punë shumë 7-8% në të fundin.

Parashikimet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, fatkeqësisht, nuk japin ndonjë trend të tillë. Në të vërtetë, sipas FMN-së, rritja ekonomike në Kosovë gjatë tri viteve të ardhshme pritet të rrumbullakohet rreth 3.8, 3.9 e 4%. Pra, do të ketë një ritëm të njëjtë. Dhe ritmi i njëjtë, siç kam thënë gjithherë, nënkupton se Kosovës i duhen 32 vite kështu, për të arritur hiç më shumë se Kroacinë.

-3-

Prandaj na duhet ndryshim në parashikim. Që e ardhmja të mos rrumbullakohet rreth 4% siç është tani, por në numra shumë më premtues. Dhe arritja e këtyre numrave premtues mund të bëhet me nisjen e menjëhershme të projekteve të mëdha kapitale në vend. Pra, me nisjen e ndërtimit të termocentralit të ri, “Kosova C”, me rinisjen e investimeve në “Brezovicë”, me strukturimin e shitjen e PTK-së, e me shumë mend e pak fat (fat për shkak të trendëve në bursë) dhe nisjen e revitalizimit të “Trepçës”. Nisja e menjëhershme e projekteve si këto, natyrisht se do të transformonte peizazhin ekonomik të vendit tonë.

Projekte të mëdha, natyrisht, s’japin bazë të përhershme. Ato janë të ngadalshme, marrin kohë, dhe mbi të gjitha nuk nisin zbutjen e punësimit në terma kohorë që kanë rëndësi për këtë gjeneratë. Për këtë, ne duhet drejtuar në sektorë të bizneseve të mesme e të vogla, të degëve që po arrijnë të punësojnë shpejt e të eksportojnë mirë. Sot degë të tilla janë të natyrës së teknologjisë informative. Kosova është bërë vend i rëndësishëm i “onshore” kontratave, nisur nga dizajnimet e thjeshta të ueb faqeve, tek qendrat e thirrjeve telefonike e deri tek programimet e komplikuara të të rinjve e të rejave kosovare.

Industri të tjera në fushën e bujqësisë, të degëve shumë të ngushta – jo domosdo grurë e misër e bukë siç janë mësuar tradicionalët – që na japin përparësi krahasuese fillimisht me rajon e më tutje edhe në Evropë Juglindore, mund të bëjnë një bazë të shëndoshë të gjithëpërfshirjes rajonale në vend. Për këtë, natyrisht se duhet arritur standardet e kualitetit, sanitarisë e certifikimit – diçka ende e largët për ne.

Këto, e industri të tjera plot, që natyrshëm mund të marrin hov, kanë një asistencë të mirë në kohë të sotshme, koston e kapitalit. Për secilin që përcjell trendët e normave të interesit, është fare lehtë e kuptueshme se ata, në një lëvizje krejt të shpejtë nga viti 2014 e këndej, janë përafruar me normat rajonale. Pra, kostoja e kapitalit është shumë më e favorshme sot sesa që ishte vite më parë – dhe kjo duhet shfrytëzuar sa më parë. Jo për konsum, as për pushime deti, e edhe më pak për investime në apartamente e kapital të vdekur, por për krijim – për biznes e vlerë të shtuar.

Mbi të gjitha, Kosovës i duhet ndërhyrje në anën e ofertës së fuqisë punëtore. Aty ku arsimimi në vend të aftësimit është dominues. Ndonëse efektet e një transformimi të tillë janë të largëta e të ngadalta, i njëjti mbetet i pazëvendësueshëm – aftësimi s’është më nevojë, por domosdoshmëri.

Politika si këto, bashkë me forcimin e institucioneve, heqjen e korrupsionit, drejtimin e gjykatave e çrrënjosjen e plotë të pabarazisë trajtuese në Kosovë, mund të japin bazën për të cilën kemi kaq nevojë. Mund të japin atë rritjen ekonomike prej 7-8% në vit, që përshpejton gjithë rrugëtimin tonë rrënjësisht.

abdixhiku@facebook.com