Slloveni i mirë i Klagenfurtit

Enver Robelli Enver Robelli 20 prill 2017 08:25

Lojze Wieser është një slloven nga Klagenfurti i Austrisë. Boton libra qe 30 vjet. Falë tij lexuesi gjermanofolës mund të njihet me poezitë e Azem Shkrelit dhe të Ali Podrimjes, me kujtimet e Christine von Kohlit për Ballkanin, me mendimet e diplomatit Wolfgang Petritsch për Kosovën. Tani Wieser ka botuar një vepër madhështore: romanin «Flamujt» të Miroslav Kërlezhës. 1800 faqe histori kroate – mes Evropës austro-hungareze dhe Ballkanit.

Qytetet kufitare shpesh kanë toponime të ndryshme. Sa më shumë etni që jetojnë pranë vijave kufitare, aq më shumë emra. Për shembull Klagenfurti: austriakët e quajnë Klagenfurt ose Klagenfurt am Wörthersee, sllovenët thonë se po shkojnë në Celovec apo në Celovec ob Vrbskem jezeru. Klagenfurti gjendet në krahinën austriake të Kärntenit ose – sllovenisht – Koroshka, kroatisht Korushka. Një rajon i përzier etnikisht me austriakë dhe sllovenë, me fshatra që në hyrje kanë vendosur tabela me dy toponime, gjermanisht dhe sllovenisht. Konflikti për tabelat me toponime edhe në sllovenisht ka zgjatur me dekada. Nacionalistët austriakë të partisë FPÖ kundërshtonin praninë publike të një gjuhe sllave në tokën e Austrisë. Këtë marrëzi e kanë kundërshtuar shumë austriakë, ndërsa slloveni Lojze Wieser ka dhënë shembullin se si një qytet kufitar si Klagenfurti mund të shndërrohet në urë që bashkon kultura dhe hap horizonte të reja për mirëkuptim mes popujve.

Para tri dekadave, më 1987, Lozje Wieser themeloi shtëpinë e tij botuese «Wieser Verlag». Atëbotë Evropa gjendej para ndryshimeve të mëdha. Me përjashtim të Ballkanit në Evropën Lindore së shpejti - me rrëzimin e Murit të Berlinit - do të fillonte një epokë e re e lirisë. Në Slloveni opozita demokratike po bëhej gjithnjë e më e zëshme, në Beograd, ndërkaq, jehonte frikshëm zëri i çjerrë i nacionalistëve të prirë nga burokrati komunist Slobodan Milosheviq.

Wieser reagoi me një kundërprogram. Ai solli në Evropë një Ballkan tjetër, letërsi, autorë, ide, mendime alternative, zëra të arsyeshëm. Shtëpia e tij u bë një strehë e ngrohtë edhe për shkrimtarët e Kosovës, të cilët në vitet ’90 mbetën në margjina të shoqërisë, pa punë, përherë në zgrip të ekzistencës, shtegtarë mes diasporës në Evropë dhe vendit të tyre të shtypur nga regjimi serb. Pa Lojze Wieserin dhe pa punën e palodhshme të përkthyesit Hans-Joachim Lanksch sot nuk do të ishin të botuara në gjermanisht poezitë e Ali Podrimjes dhe të Azem Shkrelit. Pa angazhimin e sllovenit austriak nuk do t’i kishim në dorë kujtimet e danezes Christine von Kohl, e cila me dekada shkroi për Ballkanin, duke denoncuar sidomos shtypjen serbe në Kosovë. Kjo damë nga Danimarka e bëri këtë në gjuhën gjermane dhe në mediat gjermane, pastaj si aktiviste për të drejtat e njeriut hapi dyert e shtëpisë së saj në Vjenë për Ibrahim Rugovën, Bujar Bukoshin, Skënder Gashin, Dardan Gashin dhe plot veprimtarë të tjerë politikë nga Kosova.

Wieser ka botuar edhe një libër të diplomatit austriak Wolfgang Petritsch (me bashkautorë Karl Kaser dhe Robert Pichler) mbi mitet, të dhënat dhe faktet mbi konfliktin e Kosovës, duke filluar nga Beteja në Gazimestan (1389) deri te konferenca në Rambouillet (1999), ku Petritsch ishte ndërmjetësues i Bashkimit Evropian në negociatat e dështuara mes Serbisë dhe Kosovës për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin e Kosovës.

Në serinë «Europa erlesen» Wieser ka botuar një vëllim me shkrime letrare, udhëpërshkruese dhe të tjera nga autorë shqiptarë dhe të huaj si Dritëro Agolli, Fatos Arapi, George Gordon Lord Byron, Hugo Adolf Bernatzik, Martin Camaj, Aleks Çaçi, Evlija Çelebi, Gerda Dalipaj, Mary Edith Durham, Gjergj Fishta, Marie Amelie Freiin von Godin, Lindita Arapi, Harry Hamm, Peter Handke, Carola Hoffmeister, Helena dhe Ismail Kadare, Ardian Klosi, Fatos Kogoli, Christine von Kohl, Marusha Krese, Barbara Maier, Kristo Maloki, Kim Mehmeti, Lovro Mihaçeviq, Hilë Mosi, Franz Baron Nopcsa, Ali Podrimja, Lasgush Poradeci, Joseph Roth, Brikena Smajli, Karl Steinmetz, Dierk Stich, Parid Tefereçi, Pashko Vasa, Ekrem Bey Vlora, Ornela Vorpsi, Lojze Wieser, Kate Xukaro, Visar Zhiti dhe të tjerë.

Që nga viti 1987 Lojze Wieser ka botuar 1400 libra; vetëm seria «Europa erlesen» numëron 200 vëllime. Tani, në jubileun e 30-të të themelimit të shtëpisë së tij botuese,Lojze Wieser ka botuar një vepër madhështore: romanin «Flamujt» të Miroslav Kërlezhës. 1800 faqe histori kroate – mes Evropës austro-hungareze dhe Ballkanit. Mes Austro-Hungarisë të cilën intelektualët kryengritës kroatë e quanin «burg të popujve» dhe Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve të dominuar nga serbët. Këtë mbretëri Kërlezha, i cili ishte kundërshtar i pushtetit austro-hungarez, e përshkruante kështu: «Realiteti ynë austro-hungarez u rrokullis i dehur nën fronin e Karagjorgjeviqëve si një shishe e zbrazët birre në bërllok».

Kërlezha ishte humanist socialdemokrat, i cili denoncoi krimet serbe në Kosovë në kohën e Mbretërisë serbe, kroate dhe sllovene. Këto dhe ese të tjera të tij janë përkthyer nga i paharrueshmi Vehap Shita dhe janë botuar nga «Rilindja» në vitet ‘70. Në vitet ’30 Kërlezha ra në konflikt me mikun e tij Josip Broz Titon për shkak të Stalinit, më vonë, në Jugosllavinë socialiste, ushtroi jo pak ndikim ndaj autokratit jugosllav për të mundësuar një klimë më liberale politike dhe kulturore. Dhe këtu pati mjaft sukses. «Si intelektual, artist dhe dijetar universal, vepra e të cilit përmban më shumë se 100 vëllime, ai (Kërlezha) mbase mund të krahasohet vetëm me Goethen», shkruante të shtunën gazeta «Neue Zürcher Zeitung» në një recension lavdërues për romanin «Flamujt» të Kërlezhës. Lavdërimi vlen po aq edhe për Lojze Wieserin, sllovenin e mirë nga Klagenfurti, i cili i ka dhuruar botës perëndimore aq shumë buqeta letrare nga Ballkani.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli