OpEd

Serbët në Kosovë mes integrimit dhe legjitimimit të segregacionit

Në një seri dokumentarësh për Kosovën, me një tonë jashtëzakonisht pozitiv, rrjeti televiziv “Al Jazzera Balkans” me admirim e paraqet rininë e Kosovës si vitale, të hapur, inteligjente dhe me frymë ndërmarrëse. Gazetari Goran Miliq impresionohet me njohjen e gjuhës angleze nga të rinjtë. Shumica e tyre thonë ta kenë mësuar në shkollë ose në interakcion me të huajt, që kanë qëndruar në Kosovë me vite në kuadër të misioneve ndërkombëtare.

Por në bisedë me disa të rinj në Mitrovicë tregon se si në atë qytet shqiptarët dhe serbët komunikojnë më së shumti në “punëtoritë” e organizuara nga shoqatat joqeveritare. Në pyetjen se a bëhen bashkë ndonjëherë për të kënduar këngë në gjuhën shqipe dhe serbe një e re përgjigjet: “Jo, por së bashku kemi bërë një këngë në gjuhën angleze!”.

Një herë në një takim në pjesën veriore të Mitrovicës, ku ishin të pranishëm diku rreth 50 persona, kryesisht serbë të Kosovës, pyeta se sa prej tyre dinin shqip. Vetëm një tha se din. Një tjetër pyeti: “E çfarë më duhet?”. Kur i thashë se: “si mendon çfarë të duhet?” u përgjigj: “Më mirë të mësoj gjermanisht?”. Dhe kur e pyeta se “A mendon të shkojë në Gjermani?” u përgjigj se “Jo, por gjermanishtja së paku është gjuhë botërore!”.

Në fakt doli se ai është një nëpunës i administratës lokale dhe se shpesh i ndodh që kur dërgon ndonjë kërkesë për dokumentacion në ndonjë komunë të Kosovës në gjuhën serbe nuk merr përgjigje. Nganjëherë thonë se “gjinden disi duke përdorur google translate”.

Ndërsa në Bruksel para dy vjetësh patën thënë se një prej problemeve edhe në përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash ishte mundësia e pakicës serbe që në të gjitha komunat e Kosovës të mundë të paraqesin kërkesa dhe marrin përgjigje në gjuhën e tyre. Nga administrata e Kosovës nuk mungonte gatishmëria që ta bënin këtë, por mungonin njerëzit që dinin gjuhën serbe.

Vërtetë gjuha shqipe dhe ajo serbe nuk janë gjuhë botërore. Por janë gjithsesi dy gjuhët më të mëdha në atë që quhet Ballkan Perëndimor. Gjuhën Serbe, kroate apo variantin boshnjak e mysliman e flasin apo kuptojnë më shumë se 20 milionë njerëz. Me njohjen e kësaj gjuhe shqiptarët do ta kishin më të lehtë të komunikonin, studionin, punonin me fqinjët e tyre në shumë shtete. Gjuhën shqipe e flasin, po ashtu, rreth 6 milionë njerëz në rajon dh ajo është gjuhë zyrtare, në nivel shtetërorë apo lokal, në 5 shtete.

Njohja e gjuhës serbe nga ana e shqiptarëve të Kosovës dhe e shqipes nga ana e serbëve të Kosovës do t’u ofronte atyre një avantazh të madh në rajon, përfshirë edhe në tregun e punës. Sidomos tash kur po rritet bashkëpunimi dhe shkëmbimi edhe mes Shqipërisë dhe Serbisë. Gjithsesi nuk do të ishte kurrfarë disavantazhi njohja e gjuhës, sidomos tash kur kjo më nuk do të bëhej me imponim dhe nuk do ta kishte për qëllim dëmtimin e gjuhës amtare të personit e as identitetin e tij etnik.

Shembujt e vendeve të zhvilluara të Evropës dëshmojnë se mësimi i njërës gjuhë nuk pengon mësimin e gjuhëve të tjera. Sot të rinjtë në shkolla evropiane, pothuajse standard, mësojnë së paku tri gjuhë. Pa këtë në të ardhmen do të jenë të kufizuar edhe në tregun evropian të punës.

i tolerancës ndëretnike në Kosovë, gjithsesi, është rritur me kalimin e kohës nga lufta. Sikur edhe në shoqëritë e tjera që kanë kaluar përmes luftës me kohë, disi me inercion, kalon edhe periudha e tensioneve ndëretnike. Kjo ndodh me apo pa mbështetje apo udhëheqje politike. Në rastin e Kosovës po ndodh ashtu siç ka ndodhur më parë edhe në Kroaci apo në Bosnje e Hercegovinë. Me një dallim të madh megjithatë. Në Kosovë shqiptarët dhe serbët nuk e kuptojnë gjuhën e njëri-tjetrit. Pra kanë një pengesë të madhe në komunikim. E mundësia e komunikimit të natyrshëm është e domosdoshme që të ndërtohet një bashkëjetesë dhe një integrim i serbëve në shoqërinë kosovare.

Gjuha serbe në Kosovë është zyrtarisht gjuhë zyrtare e shtetit, e barabartë me shqipen. Por në shkolla fëmijët shqiptarë dhe ata serbë nuk e mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit. Ndoshta Kosova është i vetmi shtet, ku fëmijët mësojnë në shkolla më pak gjuhë sesa prindërit e tyre.

Ky është vetëm një shembull i mirë se në Kosovë nuk ka vullnet të sinqertë për integrimin e pakicës serbe dhe këtë e mbështesin edhe Beogradi e për fat të keq edhe Brukseli. Dialogu ka rritur segregacionin etnik edhe më shumë dhe tash po e bën edhe në mënyrë formale. Bile me dialog, duke faktorizuar veriun dhe serbët e veriut, në një mënyrë janë dëmtuar ata serbë që edhe para dialogut të Brukselit kishin nisur të integroheshin në Kosovë dhe ta pranonin realitetin e ri.

Në Bruksel shpesh thonë se “do të ishte mirë sikur serbët dhe shqiptarët e Kosovës të mësonin gjuhën e njëri-tjetrit?” por, po ashtu, shprehen se “E kuptojnë se vendosja e gjuhës si lëndë në shkollë është diçka shumë e ndjeshme për politikanët edhe shqiptarë edhe serbë!”. Si mund të jetë e mundur që vendosja e gjuhës serbe si lëndë në shkollë të jetë “e ndjeshme për politikanët shqiptarë” e shpallja e gjuhës serbe si gjuhë zyrtare e shtetit të mos jetë aq e ndjeshme.

Në këto rrethana mund të thuhet se Kosova nuk ka kapacitete që ta sigurojë përdorimin e gjuhës serbe në mënyrë të barabartë, sepse nuk ka njerëz të mjaftueshëm që e dinë këtë gjuhë. Mjafton të shikohen përkthimet në serbisht që bëhen nëpër web faqet e institucioneve të Kosovës e të shihet se në çfarë niveli të ulët është kjo.

Problem për integrim dhe pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës bëhet kur ky shndërrohet në proces politikë. Niveli i tashëm i normalizimit të raporteve ndoshta do të ishte më i madh sikur të ishte lënë që të ndodhte spontanisht e jo që të jetë i drejtuar politikisht, sepse politikanët kur marrin nën kontroll edhe procesin e pajtimit e politizojnë atë. E kur diçka politizohet atëherë edhe ngadalësohet.

Tash niveli i pajtimit bëhet aq sa është e nevojshme për interesa politike. Nëse është i vogël, rritet pak. Nëse rastësisht ndodh më shpejt, atëherë duke rritur frikën dhe krijuar tensione, ngadalësohet. Kjo shihet sidomos në rastin e serbëve të Kosovës, të cilët mund t’i normalizojnë raportet me fqinjët e tyre shqiptarë dhe të integrohen në Kosovë vetëm aq sa u lejohet nga Beogradi. E kjo nuk është një pozitë e lehtë për njerëzit, të cilët jetojnë në Kosovë e jo në Beograd, që jetojnë me shqiptarët si fqinjë e jo diku ku nuk ka shqiptarë.