OpEd

Absurdet e Kosovës

Shyqyr që janë xhudistet kosovare e që ndonjëherë na e sjellin ndonjë gëzim, e na e thyejnë monotoninë politike që na e ka topitur trurin, që shumë shpesh nuk dimë as çfarë të mendojmë. Distria Krasniqi e Nora Gjakova u shpallën kampione të Shpërblimit të Madh (Grand Prix) në Antalia – pra edhe dy të arta për sportin më të shpërblyer kosovar në histori. Dhe kjo ndodh në javën kur e kuptuam me fakte se ndeshjet e futbollit në Kosovë kurdisen.

Gjithashtu ndodh në javën kur Kuvendi nuk mblidhet për shkak të gjykimit të Haradinajt në Francë; kur Mustafa kërkon nga Evropa të “na e falë” kushtin e demarkacionit për liberalizim; kur Thaçi e tërheq ligjin e ushtrisë, por nuk jep dorëheqje, dhe kur cimeri i Astrit Deharit vdes në paraburgim.

Qirkuzi, sërish

Java e shkuar na e solli një zbulim të ri të Qirkuzit: mbajtjen e mbledhjeve raportuese të ministrave pa prezencën e gazetarëve. Raportuan nja dy a tre ministra dhe vendosën t’i mbajnë mbledhjet pa prezencë të publikut, thuajse kush e di çfarë sekretesh kanë pasur për t’i zbuluar aty.

Atë që në fakt e bënë edhe deputetët, edhe ministrat përkatës ishte ta dëshmonin atë që e bënë më së miri – të mos jenë fare transparentë. Dhe të sillen thuajse nuk kanë kurrfarë përgjegjësie ndaj atyre që i kanë sjellë në ato vende nëpërmjet votës. Thuajse punët e shtetit janë punë veç e një grupi të kufizuar njerëzish dhe se populli do të duhej të vazhdonte të shikonte seri, për shkak se “nuk ka kompetenca” për asgjë.

Sikur kjo të mos mjaftonte, Kryesia e Kuvendit u mblodh gjatë javës dhe vendosi që të mos mbahej mbledhja plenare të enjten, ngase në Francë po mbahej gjykimi për ekstradimin ose jo në Serbi të Ramush Haradinajt. Me gjithë përkrahjen dhe simpatinë që mund ta kemi për Haradinajn, për Kosovën do të ishte shumë më mirë nëse deputetët do t’i “përvilnin mëngët” e të punonin diçka, në vend se të solidarizoheshin me “bojkotimin” e qëllimshëm të seancës në shenjë proteste. Gjykatës në Francë aq ia bën po qe se ne protestojmë ose jo – ata thonë veprojmë në bazë të ligjit, e ju ankohuni sa të doni. Pra, edhe deputetët do të bënin më mirë po qe se do ta zbatonin Kushtetutën dhe ligjet që vetë i miratojnë – do të ishin shumë më të dobishëm. E edhe ne do të ankoheshim më pak.

Plumbi qorr

E padobishme u tregua edhe kërkesa të cilën kryeministri Mustafa ia kishte nisur BE-së para disa ditësh, e të cilën e kuptuam gjatë javës që shkoi. Kërkesa u nis si të ishte një plumb qorr – mos pahiri po qëllon në cak, dhe BE-ja po zbutet e po na e heq kriterin të cilin vetë e kemi pranuar.

Në situatën kur më në fund ekzekutivi doli për të pranuar se nuk i ka votat për ta kaluar demarkacionin, Mustafa provoi me këtë manovër të dështuar ende pa e nisur – se BE-ja me gjithë burokracinë e komplikuar që ka, institucionet i ka serioze, për dallim nga ne. Se a i merr përherë vendimet e duhura dhe parimore apo jo, është temë e një debati tjetër.

Sidoqoftë, BE-ja u përgjigj shpejt dhe shprehimisht u tha institucioneve të Kosovës se demarkacioni me Malin e Zi dhe lufta efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për BE-në janë kritere të pandashme, pa përmbushjen e të cilave Kosova nuk do të mundë të bëhet pjesë e zonës Schengen.

E me gjithë këtë deklaratë, u dëgjua edhe zëri i ministres për Integrime, që nuk përtoi të përsëriste rrëfimin tashmë bajat të koalicionit qeverisës që mundohet t’ia hedhë fajin opozitës për dështimin e liberalizimit të vizave të premtuar qe shtatë vjet. Tha se kushti i vetëm që duhet plotësuar për vizat është demarkacioni – me gjasë duke e ditur edhe vetë se këtë që po e thoshte nuk është e vërtetë. Madje, edhe nëse miratohet demarkacioni, nuk ka garanci të plotë se do të na miratohet liberalizimi i vizave.

E kur jemi te demarkacioni – çështja e cila u bë absurde që në çastin kur u pranua si kusht për liberalizimin – e përjetoi edhe një moment historik: deklaratën e kryetarit të shtetit, sipas të cili, nuk është vetëm opozita ajo që duhet fajësuar për mosratifikimin e kësaj marrëveshjeje, ngase shumicën në Kuvend e ka koalicioni qeverisës.

Absurde të dëgjohen fjalët nga ai që e ka krijuar këtë koalicion dhe që ka qenë shef i partisë me më së shumti deputetë në koalicion në kohën kur demarkacioni ka dalë në Kuvend. Mbasi i paska pasur numrat që nga fillimi, pse ky rrëfim nuk u mbyll qe gati dy vjet, por ende po tjerret me demagogji të nduarnduarshme?

Shala dhe bishti

Absurde dhe demagogjike qe edhe nisma e Thaçit e para një muaji, për ta transformuar FSK-në me ligj, me gjithë vërejtjet që vinin nga NATO-ja se kjo punë duhej të bëhej me Kushtetutë. Nëse ka besuar se në këtë formë do t’u bënte trysni të huajve dhe se kështu do të fuqizohej në “heroin” pa të cilin asnjë vendim më i madh në Kosovë nuk bën, zhvillimet brenda muajit e dëshmuan se ky vetes ia shënoi një autogol të madh sa s’dihet. Aq sa u detyrua ta tërheqë ligjin me një letër që ia kishte nisur dje kryetarit të Kuvendit, dhe për pasojë të përjetonte që opozita t’ia kthente “komplimentin” të cilin ia kishte shqiptuar pas protestës së fundit të madhe të mbajtur në Prishtinë.

Sido që të jetë, veprimi, në këtë çast, kokëfortë i Thaçit për ta transformuar FSK-në në ushtri me ligj mbante në vete shumë rreziqe, të cilat do të kishin pasoja afatgjata për Kosovën. E para, nëse ka dashur t’i qasej ligjit për transformim, këtë ka mundur ta kishte bërë shumë vjet më herët, kur ishte në krye të Qeverisë. Nuk e bëri. Më pas, transformimi i FSK-së tash, në çastin kur ka prezencë të rëndësishme të forcave të NATO-s, do të mundë të interpretohej edhe si ftesë për largimin e këtyre forcave prej këtu.

E nuk duhet harruar se anëtare të NATO-s janë edhe katër shtete që nuk na e kanë njohur Pavarësinë – pra një komplikim shtesë i panevojshëm. E fundit, nuk e di nëse e ka analizuar se çfarë pasojash do të mundë të sillte në raport me Rezolutën 1244 dhe fuqinë që do t’ia jepte Serbisë që të inicionte procedurë për ndryshimin e saj në dëm të Kosovës. Pa harruar se, pavarësisht dëshirës sonë për ta injoruar ekzistencën e kësaj rezolute, ajo është gjallë falë Fusnotës së famshme të cilën e kanë pranuar ky dhe Edita Tahiri, dhe falë misionit të UNMIK-ut, që është ende këndej pari, e të cilin madje një kohë e ka financuar edhe Qeveria e tij.

Me një milion problemet që i kemi, është absurde në këtë çast të insistohet në transformimin e FSK-së në një ushtri me jo më shumë se 5 mijë ushtarë, që pa forcat e NATO-s këtu nuk mund të jenë garanci për mbrojtjen e Kosovës pa asnjë organizim civil a rezervë ushtarak, në rast të ndonjë sulmi të një ushtrie më të madhe.

Ç’administrimi i drejtësisë

E një nga problemet më serioze me të cilat ballafaqohet Kosova është administrimi i drejtësisë. Lëre që nuk kemi asnjë rast të zëshëm të dënimeve për krim të organizuar e korrupsion, por kemi me mijëra raste që presin për të ardhur në rend të shqyrtimit nëpër gjykata. E, kemi edhe raste ku hetimet nuk përfundojnë, e edhe raste kur në burg vdesin të paraburgosurit.

Nga fillim i javës, Shërbimi Korrektues i Kosovës e njoftoi opinionin se në Burgun e Lipjanit kishte vdekur N.M.

Shpejt u kuptua se bëhej fjalë për Naser Makollin, që kishte ndarë qelinë me Astrit Deharin në Prizren, dhe i pari që e kishte gjetur atë me shishen e mjaltit në gojë. Sipas zyrtarëve të VV-së dhe vetë avokatit të familjes Dehari, Makolli kishte qenë njëri nga dëshmitarët kyç në atë që pritej se do të ishte hetim i pavarur që do të duhej të ndodhte në javët në vijim.

Makolli, i cili sipas familjes nuk ka pasur probleme shëndetësore, zyrtarisht thuhej të ishte ankuar javëve të fundit. Ishte transferuar në QKUK për ekzaminim dhe prej aty ishte kthyer në burg me terapi për enterokolit bakterial. Në ditën kritike, gjendja i ishte përkeqësuar në mëngjes, dhe kishte vdekur pasdite, ende pa mbërritur në Shërbimin Emergjent të Lipjanit.

Dhe pa hyrë fare në analizën nëse enterokoliti vërtet ka mundur ta mbyste, janë disa elemente që dëshmojnë se edhe ky, sikurse rasti i Deharit, është menaxhuar shumë keq nga autoritetet përkatëse.

Fillimisht lajmërimi për vdekjen e cila kishte ndodhur pasdite, është komunikuar në mbrëmje, pas orarit të punës. E dyta, në kumtesë është thënë se i ndjeri është trajtuar në Emergjencën e Lipjanit, ku edhe ka vdekur, lajm i cili u demantua menjëherë nga përgjegjësi në Lipjan, i cili deklaroi se ekipi mjekësor në Lipjan vetëm e ka konstatuar vdekjen e tij në veturën në të cilën po bartej. E treta, u tha se ka lënguar nga enterokoliti bakterial, mirëpo analizat që i ishin bërë para se të vdiste dolën sterile – pra pa baktere. E katërta, për ta demantuar këtë analizë, u tha se analizat nuk paragjykojnë nëse ka pasur sëmundje ose jo – se infeksioni do të kishte mundur të ishte viral. Por në këtë rast, harrojnë të përmendin një detaj: ku ka virus, ai përhapet. Për pasojë do të duhej të kishte ende pacientë me të njëjtin lëngim nga i njëjti vend – e kjo gjë nuk është raportuar.

Autopsia do të marrë dy javë për ta konstatuar arsyen e vdekjes. Porse është tepër dramatike të shihet se si dy të burgosur që kanë ndarë qelinë në një burg tjetër, të vdesin që të dy në rrethana të pasqaruara, e ku njëri ka mundur të shërbente si dëshmitar. Mund të jetë rastësi, e punë fatesh që lidhen, porse nga ana tjetër mund të jetë edhe indikative për fshehjen e një rrëfimi tjetër, që nuk po del mbi sipërfaqe, për shkak se ekspertët ndërkombëtarë të caktuar nga familja ende nuk janë angazhuar për ta kryer detyrën e paracaktuar. Se cilat janë arsyet e zvarritjes nuk dihen, porse kulminacion do të ishte po qe se edhe ndonjëri nga “kolegët” e Deharit në Prizren të pësonte ndonjë fatkeqësi apo sëmurje. Atëherë do të ishin shumë rastësi të grumbulluara me një vend.

* * *

Po të kishte etikë e sinqeritet, Thaçi do të duhej të ishte dorëhequr dje, që në çastin kur e ka nisur letrën te Veseli. Sepse qe ai që “nuk e votoi” ligjin për të cilin bëri shumë zhurmë. Shkuarja e tij do të ishte nisja e frymëmarrjes, sado të kufizuar, të këtij populli që nuk e di kah e ka kokën e kah trupin.

Sepse jeton në një vend ku absurdi e luan rolin kryesor. Sa më absurde situatat, aq më normale jeta. Sepse jemi mësuar me të keqen, aq sa thuajse po i frikësohemi që e mira do të na e marrë jetën. Sepse ndryshe nuk ka si shpjegohet amullia në të cilën kemi rënë. Apo edhe ajo është vetëm edhe një absurd yni, i përditshëm.

flaka@koha.net