OpEd

Me të njohshëm

Kurdisja vlen si për pranim në çerdhe, si për zgjedhje të klasës në fillore, si për kalim të lëndëve, si për pranim në të mesmen, si për kapërcim të viteve në këtë të mesme, si për pranim në fakultet, si për kalim të provimeve në këtë fakultet, si për konkurse në punë, si për avancime në këtë punë, si për gjykim, si për trajtim në gjykim, si për pagesë të taksave, si për fitim të tenderëve, si për mjekim e shërim, si për gjithçka. Në të vërtetë, në masë, dhe zgjedhja e varreve rregullohet këndej me kurdisje

-1-

Mendojeni për pak ecjen tonë të 17 vjetëve të fundit. Sa e padrejtë, sa e pabarabartë, sa e mbrapshtë është gjithë kjo ecje. Përjashto incidentet e mira të atykëtushme, ndonjë veçim individual që domosdo është joinstitucional, dhe kupton se rrugëtimi jonë përgjatë post-çlirimit është, në princip, rrugëtimi i ndërtuar mbi konceptin e pabarazisë.

Nuk po flas mbi pabarazinë si rezultat përfundimtar, s’po flas për klasa e shtresa, të pasur e të varfër, urban e rural, po flas për pabarazinë si input; si nismë trajtuese e qytetarëve kosovarë që i prek të gjithë njëtrajtësisht. E sistemeve, në të cilat ne veprojmë në përditshmërinë tonë. E punës, e edukimit, e shëndetësisë, e gjyqësisë – e gjithë jetesës sonë.

Ne, në 17 vjet, kemi ndërtuar një sistem të kurdisur. Një sistem, ku rezultati përfundimtar është veçse i parapërcaktuar. Ku plot bëjnë skenën e aktrimit, pa e ditur këtë gjë, për njërin, për atë që ka “të njohshëm”. Dhe në këtë sistem të kurdisur, vlera e dijes, mundit e përpjekjes është e barabartë me hiçgjë. Të “njohshmit” ja dalin, ditën s’ditën për gjë.

Kurdisja vlen si për pranim në çerdhe, si për zgjedhje të klasës në fillore, si për kalim të lëndëve, si për pranim në të mesmen, si për kapërcim të viteve në këtë të mesme, si për pranim në fakultet, si për kalim të provimeve në këtë fakultet, si për konkurse në punë, si për avancime në këtë punë, si për gjykim, si për trajtim në gjykim, si për pagesë të taksave, si për fitim të tenderëve, si për mjekim e shërim, si për gjithçka. Në të vërtetë, në masë, dhe zgjedhja e varreve rregullohet këndej “me të njohshëm”.

-2-

Futbolli kosovar bën rastin më të ri, natyrisht jo të fundit, të degradimit tonë shoqëror nga kapja e theqafja. Tregon, në thelb, sesa gjithëpërfshirëse është kurdisja jonë. Edhe në sport. Edhe në fushë futbolli pra. Edhe aty, ku deri më tani përfitimi financiar ka qenë krejt i parëndësishëm. Në fund të ditës, renditja e kampionateve të mbyllura kosovare ka qenë punë kënaqësie për sportistët e individët që e duan sportin njëmend. Pra, edhe aty, edhe në këtë dashuri për sport e futboll, kurdisja është bërë normë. Në këtë kurdisje, trajnerë, gjyqtarë e zyrtarë federativë, nën duhmën e rakisë e muhabeteve të kafesë, përcaktojnë fatin e rezultateve të radhës. Futbolli pra është veçse refleksion në një sistem të kurdisur. Është pra njëri nga shumë refleksionet tona në kurdisje.

Merreni, për shembull, fenomenin e konkurseve; për një vend pune pra. Konkurset, në masë të madhe, në sektorin publik natyrisht, bëhen sa për sy e faqe. Në të vërtetë, kurdisja jonë ka bërë që pjesën e konkursit për vend pune ta vendosë si hap të fundit në zinxhirin e pranimit për punë; e duhej të ishte hapi i parë natyrshëm. Pra, pasi të jetë gjetur një kandidat, me i njohshëm natyrisht, pasi të jetë njoftuar me punë, pagë e kushte pune – në raste madje mund dhe të ketë nisur punën – hapet një konkurs. Të tjerët, të shkretë, bëhen në rend për këtë vend pune. Marrin dokumente, letra, rekomandime e përshkrime biografike, me shpresë se do të bindin dikë – pa e ditur se vendi i synuar i punës është kaherë i zënë. Aq shumë është rrënuar besimi në konkurse, saqë sot të rinjtë e të rejat e diplomuara, të dalluara e me aftësi plot, s’konkurrojnë fare.

I kurdisur del të jetë dhe sistemi i prokurimit. Të gjithë tenderët e mëdhenj, paratë e mëdha, janë të paradhëna për biznese të lidhura ngushtë me kapësit në politikë. Kjo paradhënie nis nga përcaktimi i kritereve në tenderim, e deri tek verifikimi i tyre për pjesëmarrësit në tenderim. Sërish, dhe këtu, biznese të tëra mbushin e dorëzojnë dokumente plot për një punë që veçse është dhënë.

Kurdisja jonë krejt e zakonshme në sistemin politik. Të gjitha caktimet në borde, në trupa udhëheqëse të ndërmarrjeve publike – nga PTK-ja, RTK-ja e deri te KEK-u – janë të përcaktuara paraprakisht. Janë pjesë të pandara të pazareve politike; në shërbim të kapësve natyrisht. Dhe, siç edhe ishte dëshmuar në aferën telefonike “Pronto”, caktimi i njerëzve aty, në fjalë të Bahri prokurorit, bëhet “pa kunkuru” hiç. Jo më larg se këtë javë, një ish-depoist i PDK-së ishte bërë diplomat në Çeki; natyrisht pa “kunkuru” edhe ai. E për secilin caktim, për secilën ndarje të ambasadorëve, diplomatëve, drejtorëve të ndërmarrjeve publike, bordeve e posteve të tjera publike, ka një procedurë aplikimi, në të cilën të tjerët rreshtohen sërish për të bërë, pa dije, skenën e kurdisjes.

Të njëjtin parapërcaktim e kemi edhe në sistemin arsimor. Të kurdisura janë dhe kalimet e provimeve, dhe intervenimet për nota, dhe diplomimi i plotëve. Të parapërcaktuara e të kurdisura janë dhe konkurset për mësimdhënës. U rezervohen, sërish, të paditurve të partisë që kanë kaluar gjithë sistemin edukativ nëpërmjet kurdisjes së dijes së tyre – padijes thënë më mirë.

Këta të diplomuar e të punësuar në shëndetësi, për shkak të kurdisjes, marrin në qafë jetë të tëra. Sepse kanë zënë vendet e të diturve, të atyre që megjithatë kanë tharë sytë në mësimnxënie në vazhdimësi. Të shkretit, të dëshpëruar ose janë larguar nga Kosova, ose mbijetojnë me profesione e përpjekje zi e më zi.

Për kurdisjen në sistemin gjyqësor – nga krimet e vogla e deri tek interpretimet Kushtetuese – as që do të flas. Aty perfeksionohet kurdisja e kapësve. Në të njëjtin nivel janë edhe kurdisjet e votave e rezultateve zgjedhore, të vendimeve parlamentare e bindjeve politike.

-3-

Pra, ne, kemi vendosur të jetojmë në një sistem alternativ, të parapërcaktuar, të kurdisur, ku përfitues janë kapësit dhe secili afër tyre. Gara në Kosovë më s’është për dije e vlerë, por për afërsi me kapësit; kush arrin më afër tyre pra. Në këmbim të benefiteve minimale, për punë e mirëqenie standarde, kapësit kërkojnë votë e vazhdim të kapjes.

Kapja, natyrshëm, prodhon institucione të dobëta. Institucionet e dobëta mundësojnë shfaqjen e kurdisjeve. Kurdisja prodhon injorantë, gangsterë e shfrytëzues të mundit të të tjerëve. Nga politika e deri tek futbolli e gjithçka në mes.

Por ky sistem s’mund të jetë i qëndrueshëm. S’mund të prodhojë mirëqenie afatgjate as për përfituesit e kapjes, e edhe më pak për përpjekësit që të zënë një vend nën kapësit. Sepse, në një ditë, kurdisja jonë do të shpërthejë. Do të shpërthejë ne arsimim me analfabetë që s’janë të përdorshëm për asgjë; në shëndetësi me përkujdesje që të vret; apo në gjyqësi që s’arrin të prodhojë asnjë drejtësi.

E qëndrueshme është përpjekja për vlerë. Që të mirët, më të mirët, të marrin vendin për të dhënë e ndarë mirësinë e dijen e tyre tek të tjerët. Një sistem, ku gajlen e vetme për gjetje të punës nuk e ke njohësin, por aftësinë tënde – performancën në intervistë. Në një sistem, ku gajlen e mësimit nuk e ke çmimin e notës, por kohën për lexim të librit. Në një sistem ku drejtësia s’të vjen sepse diku njihesh me prokurorin, por sepse je i drejtë. Me një sistem ku “me të njohshëm” s’vlen hiçgjë.

abdixhiku@facebook.com