“Çka duhet bërë nëse presidenti është një gënjeshtar?”

Agron Bajrami Agron Bajrami 09 prill 2017 08:00

Ekziston një bindje, e krijuar me vite dhe e ngulitur tashmë në mendjen e pothuaj çdo kosovari, se pjesë e punës së politikanit është edhe gënjeshtra. Pjesë legjitime, madje. Thjesht, duket sikur shoqëria jonë e pranon si “normal” faktin se ai i cili do të arrijë majat e pushtetit, paraprakisht duhet të lirohet prej të gjitha skrupullave etike e morale, dhe të hyjë në aleancë me mashtrimin, manipulimin, korrupsionin dhe gënjeshtrat.

Sigurisht, ky perversitet shoqëror nuk është gjetje lokale. Prej se ekziston politika, ajo ka ecur dorë për dore me gënjeshtrën dhe mashtrimin. Historia e njerëzimit është përplot me shembuj që e dëshmojnë këtë – prej letrave të Ciceros e deri te “Princi” i Makiavellit. Të mos flasim për politikën e kohëve moderne, ku presioni për të fituar zgjedhjet, bashkë me resurset e shtuara teknologjike, ka shumëfishuar përdorimin e gënjeshtrës nga politikanët dhe liderët madje edhe në vendet ma demokratike.

Shembulli më i freskët është ai i presidentit të ri amerikan, Donald Trump, i cili prej se ka marrë detyrën vazhdimisht sulmohet nga mediat, por edhe nga politikanët e tjerë në SHBA, për deklarime të rreme dhe manipulim me fakte. Njëri prej kritikëve më të zëshëm të Trumpit është ish-kandidati demokrat, Bernie Sanders, i cili në vazhdimësi e akuzon presidentin se është gënjeshtar.

“Çka duhet të bëjë një senator i Shteteve të Bashkuara, apo cilido qytetar, nëse presidenti është një gënjeshtar? A është injorimi i këtij realiteti në të mirë të popullit amerikan? A e përkeqësojmë më shumë një situatë të keqe duke mos e respektuar presidentin e Shteteve të Bashkuara? Apo e kemi një obligim që të themi se ai është gënjeshtar për të mbrojtur pozitën e Amerikës në botë dhe besimin e popullit në institucionet tona?” – pyet senatori Sanders.

Debate rreth vërtetësisë së pohimeve të politikanëve janë iniciuar edhe në Evropë. Në Britani, një debat i tillë është ndezur pas referendumit për daljen nga BE-ja dhe tani demaskohen gënjeshtrat që ishin thënë nga përkrahësit e Brexitit, të cilët kryesisht pretendonin rrejshëm se shuma marramendëse të parave do të kursehen nga Britania nëse vendos të dalë nga BE-ja. Në Francë, në kuadër të fushatës zgjedhore, tashmë po shtrohen pyetjet rreth kredibilitetit të premtimeve zgjedhore.

Kështu, konkludimi i natyrshëm është ai i fillimit - se gënjeshtra është pjesë e pashmangshme e politikës dhe, rrjedhimisht, si kosovarët ashtu edhe i gjithë njerëzimi duhet të pajtohen me këtë si pjesë e realiteteve të pandryshueshme të jetës.

Por nuk është kështu!

Sepse, në një demokraci funksionale ku sundon ligji dhe shoqëria është e lirë për të diskutuar çështjet me interes të përbashkët, njohuria se politikanët shpeshherë dalin të jenë gënjeshtarë nuk nënkupton edhe tolerimin e një praktike të tillë. Për këtë arsye, njerëzit si Bernie Sanders insistojnë që secili ka të drejtë, por edhe obligim që ta kontestojë zyrtarin e shtetit kur gënjen. Edhe presidentin. Sidomos presidentin.

Ky shembull duhet ndjekur edhe nga Kosova. Për të ndërtuar një shtet demokratik duhet instaluar përgjegjësinë publike edhe për fjalën e thënë nga të gjithë zyrtarët e shtetit, por edhe nga presidenti. Sidomos presidenti.

Sepse kur gënjen kreu i shtetit, nuk është se dëmtohet vetëm kredibiliteti i tij personal, por vihet në pikëpyetje kredibiliteti i të gjithë shtetit.

Andaj, edhe nëse deri tani është toleruar politika e gënjeshtrës, është koha e fundit që gënjeshtrat të mos injorohen. Ndryshe, shteti që po ndërtojmë do të jetë një i – thënë gegnisht - rrenave.

agronb@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami