OpEd

Alternativa e dialogut është po ashtu dialogu

Sa herë që dikush kritikon dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, edhe kur e bën këtë me argumente dhe përgjegjësi, has në reagimin absurd: E cila do të ishte alternative e dialogut? E shpesh edhe me ofendimin se “ata që janë kundër dialogut janë për luftë!”. Por ky dialog, që pak gjë ka ndryshuar, ka alternativë. Alternativa është po ashtu një dialog, por i mirëfilltë, i përgjegjshëm, transparent dhe i barabartë, i cili vërtet do t’i kishte prioritet qytetarët e jo fatin personal të disa politikanëve në Prishtinë apo Beograd

Ka kohë që nuk ka lëvizje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, apo siç e quan BE-ja mes “Beogradit dhe Prishtinës”. Ky dialog ishte ndalur praktikisht shumë ditë para se Kuvendi i Kosovës të merrte vendimin për pezullimin e tij për shkak të arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë. Madje edhe disa diplomat në Bruksel nganjëherë shprehin mendimin se arrestimi i Haradinajt nuk është arsye kryesore pse Kuvendi i Kosovës mori një vendim të tillë, por më shumë se ai vendim i Kuvendit edhe ashtu nuk ndryshoi një situatë e cila ishte krijuar për shkak të zgjedhjeve në Serbi dhe për shkak se priten edhe zgjedhje të hershme në Kosovë, dhe në rrethana të tilla dialogu nuk do të sillte asnjë rezultat, pasi që palët nuk kanë gatishmëri as të zbatojnë atë për çfarë janë marrë vesh e lëre më që të arrijnë marrëveshje të reja.

Disa vite kaluan prej kur kishte nisur ky dialog dhe tash kemi të tria palët që janë të pakënaqura. Nuk është e kënaqur BE-ja me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash. Nuk është e kënaqur Kosova, e cila fajin për moszbatimin e marrëveshjeve e sheh te Beogradit dhe serbët e Kosovës. Nuk është e kënaqur as Serbia, e cila çdo ditë ankohet se Prishtina nuk po e zbaton pjesën kryesore të marrëveshjeve, krijimin e asaj që Serbia dhe serbët e quajnë “Bashkësi të komunave serbe”. Nuk janë të kënaqur as qytetarët e Kosovës, të cilët mendojnë se me këtë dialog Kosova në masë të madhe ka hequr dorë nga, së paku simbolika shtetërore, ndërsa edhe në Serbi ka të tillë që mendojnë se Serbia ka pranuar realitetin në terren dhe se Kosova nuk është pjesë e Serbisë.

E në BE jo rrallë, kur të gjithë janë të pakënaqur, mundohen këtë ta interpretojnë si dëshmi të paanshmërisë së tyre. Pra, nëse as serbët e as shqiptarët nuk janë të kënaqur, atëherë kjo do të thotë se puna është bërë mirë, në mënyrë neutrale dhe të paanshme.

Ka pasur disa probleme që në nisje të këtij dialogu në Bruksel dhe qasje të gabuara, të cilat vetëm sa janë shtuar gjatë rrjedhës së tij disavjeçare. Gabimi i parë ka qenë qasja e BE-së që manipulimin ta shfrytëzojë si vegël për arritje të përparimit në dialog. Kjo është bërë përmes qasjes “secila palë vendos vetë se çfarë do t’u thotë qytetarëve të vet për dialogun”. Dhe kjo ka bërë që palët, sapo të dalin nga dhoma ku zhvillohen takimet, japin interpretime jo vetëm të ndryshme por shpesh edhe të kundërta rreth asaj që janë marrë vesh. Dhe BE-ja, duke iu përmbajtur qëndrimit të vet se “palët vetë vendosin çfarë do t’u thonë qytetarëve të tyre” nuk sqaron asgjë. Kjo na ka sjellë në situatën në të cilën, për shembull, nuk e dimë me saktësi se a ka dhënë apo jo Prishtina garanci se njësitë speciale të Kosovës nuk mund të shkojnë në veri, a ka dhënë apo jo garanci se FSK-ja nuk do të shkojë në veri. Pala e Beogradit thotë se po, ndërsa ajo e Prishtinës jo. Ndërsa në Bruksel, vetëm jozyrtarisht, sqarojnë se puna është “pak më e komplikuar”, por nuk japin zyrtarisht asnjë sqarim apo ndonjë dokument të nënshkruar përmes të cilit do dëshmohej se cila është e vërteta. E nga vërteta asnjëra palë nuk do të duhej të kishte frikë. Fundi i fundit, nëse dialogu është për qytetarët, atëherë a do të duhej apo jo qytetarët ta dinë të vërtetën. Ky është vetëm një ilustrim për mungesën e transparencës që i ka shndërruar në gënjeshtarë pjesëmarrësit në dialog dhe ilustrime të tjera ka shumë.

Gabim tjetër në qasje ishte personalizimi i dialogut. Në fillim ishin Hashim Thaçi dhe Boris Tadiq. “Me Thaçin e fortë në Prishtinë dhe Tadiqin e fortë në Beograd mund të bëjmë mrekulli”, thoshte një zyrtar i lartë i BE-së kur u nis dialogu. Por sot Tadiq jo vetëm se nuk është më i fortë në Serbi, por ai as nuk figuron fare më në skenën politike të këtij shteti. E sa është i fortë Thaçi në Kosovë mbetet të shihet. Në Bruksel ende nuk janë të sigurt se a është moszbatimi i marrëveshjes për “Zajednicën” rezultat i zvogëlimit të fuqisë së Thaçit në Kosovë apo mungesë e vullnetit të tij që ta bëj këtë. Tash ky dialog nga Beogradi sheh si faktorë personal Aleksandar Vuçiqin.

Nga ana e BE-së, në fillim dialogu personalizohej me Baroneshën Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe bashkëpunëtorin e saj të ngushtë Robert Cooper. Politikanët e Kosovës, sa herë që tërhiqnin vërejtjen se po bëjnë shumë lëshime në dialog, na thoshin se “kanë garanci për paketa shpërblimesh për Kosovën”. Kur pyesnin se nga kush kanë garanci, ata përmendnin Baroneshën Ashton dhe zotin Cooper. Sa vlejnë sot garancitë e tyre mjafton të kujtojmë se ata nuk janë më fare zyrtarë të BE-së dhe së shpejti nuk do të jenë më as qytetarë të thjeshtë të Bashkimit Evropian.

Sa herë që dikush kritikon dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, edhe kur e bën këtë me argumente dhe përgjegjësi, has në reagimin absurd: E cila do të ishte alternative e dialogut? E shpesh edhe me ofendimin se “ata që janë kundër dialogut janë për luftë!”. Por ky dialog, që pak gjë ka ndryshuar, ka alternativë. Alternativa është po ashtu një dialog, por i mirëfilltë, i përgjegjshëm, transparent dhe i barabartë i cili vërtet do t’i kishte prioritet qytetarët e jo fatin personal të disa politikanëve në Prishtinë apo Beograd.

Një dialog i mirëfilltë, në interes të qytetarëve të Kosovës, të shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve, nga i cili qytetarët saktësisht do të dinin se cilat do të ishin rezultatet dhe si do të reflektonin ato në jetën e tyre të përditshme, do të ishte alternativë e këtij dialogut të deritashëm. Një dialog në të cilin do të dihej saktësisht se në cilën anë të tryezës janë serbët e Kosovës dhe përfaqësuesit të tyre do të ishte më i duhur sesa ky i cili ka krijuar absurde dhe ka rritur dhe legjitimuar segregacionin në baza etnike në Kosovë. Një dialog përmes së cilit BE-ja do të ndihmonte Kosovën dhe Serbinë që vërtet të normalizojnë raportet, pa shantazhe dhe kërcënime, e jo dialogu në të cilin kërkohet që Kosova të sillet sikur të mos e ketë shpallur fare pavarësinë e vet. Të kritikohen ata që kërkojnë një dialog të mirëfilltë si nxitës të konfliktit është jo vetëm e tepruar, por edhe e dëmshme.