Tokio 2020

Nxënësit do t’i zëvendësojnë tifozët në Lojërat Paralimpike

Planet janë në fuqi për të lejuar dhjetëra e mijëra fëmijë të shkollës që të marrin pjesë në Lojërat Paralimpike “Tokio 2020”, pavarësisht se varianti delta i koronavirusit po përhapet në mesin e adoleshentëve dhe atyre më të vegjël që nuk janë të vaksinuar. Lojërat Paralimpike, zyrtarisht do të hapen të martën dhe do të zgjasin deri më 5 shtator.

Të gjithë tifozët e tjerë janë të ndaluar ta përcjellin këtë ngjarje siç ishin për Lojërat Olimpike të Tokios. Rreth 4.400 sportistë nga 160 vende dhe territore pritet të marrin pjesë në Lojërat Paralimpike.

Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, ka thënë se ajo po bën presion për të lejuar fëmijët e shkollave të marrin pjesë në ngjarjet e Lojërave Paralimpike, përderisa prindërit dhe shkollat po e përkrahin këtë ide. Raportohet se numri i nxënësve të shkollave që pritet të përfshihen në këtë ngjarje është midis 130 dhe 140 mijë. Tokio është nën një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të situatës me virusin deri më 12 shtator. Rreth 40 për qind e popullatës së Japonisë është plotësisht e vaksinuar. Tokio raportoi 5.074 raste të reja me koronavirus të shtunën. Kjo shënoi herën e parë që kryeqyteti japonez regjistroi më shumë se 5000 raste për katër ditë rresht. Rastet e reja ditore janë rritur ndjeshëm në Tokio, qëkur u mbajt ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” më datën 23 korrik. Tokio raportoi 4392 raste të reja të dielën. Japonia ka thënë se rreth 15.500 vdekje në vend kanë ardhur nga COVID-19. Kapaciteti spitalor në Tokio është bërë aq i ngushtë sa që ata që nuk konsiderohen mjaft të sëmurë për shtrimin në spital po marrin furnizime të oksigjenit në shtëpi ose në objekte të improvizuara të krijuara për rastet urgjente. Komiteti organizativ i Tokios dhe Komiteti Paralimpik Ndërkombëtar (IPC), gjithashtu, mbështesin planin për tifozët nxënës. Ata argumentojnë se është e rëndësishme që nxënësit t’i shikojnë sportistët me aftësi të kufizuara, gjë që mund të ndryshojë qëndrimet në një shoqëri relativisht konservatore si Japonia.

“Ky brez është ai që do ta mbajë shoqërinë tonë në të ardhmen, dhe ne jemi absolutisht të kënaqur që na është ofruar një mundësi e tillë”, tha të dielën zëdhënësi i komitetit organizativ të Tokios, Masa Takaya.

Në një intervistë disa ditë më parë, presidenti i IPC-së, Andrew Parsons, tha se ai e mbështet planin - me një paralajmërim.

“Ne e miratojmë nismën, sepse besojmë se është një element i rëndësishëm i trashëgimisë duke i sjellë fëmijët e shkollës në lojëra”, tha Parsons. “Por sigurisht, është e domosdoshme që këta fëmijë duhet të vijnë në lojëra në mënyrë të sigurt”.

Kundërshtimi vjen nga këshilltari kryesor i shëndetit në Qeverinë japoneze, doktori Shigeru Omi që tha se në një seancë parlamentare insistoi se situata aktuale me COVID-19 “në krahasim me para Olimpiadës është dukshëm më e keqe”. Ai kategorikisht është kundër idesë që nxënësit të jenë spektatorë të Lojërave Paralimpike.

“Nëse mendoni se çfarë do të thotë të lejosh auditorin, vendimi është mjaft i qartë”, shtoi Omi.

Omi tha se shkalla e lartë e testeve pozitive të Tokios që tejkalon 20 për qind, sugjeron që infeksionet janë më të përhapura sesa numri i rasteve të raportuara ditore. Në Shizuoka, që gjendet rreth 160 kilometra në jugperëndim të Tokios, të gjitha 93 shkollat ​​kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre të planifikuar në Lojërat Paralimpike për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që u fut në fuqi në zonë duke filluar nga 20 gushti.