Tokio 2020

Atletët bjellorusë që e shikuan Olimpiadën nga larg

Krystsina Tsimanouskaya nuk është olimpistja e vetme që ia ka kthyer shpinën vendit të saj, Bjellorusisë.

Janë edhe dy atletë tjerë të cilët për shkak të kundërshtimeve që kishin ndaj qeverisë, u detyruan të largohen nga vendlindja. Andrei Krauchanka ishte një hero në vendin e tij, në Bjellorusi. Në një farë mënyre ai është akoma hero. Një atlet i dekatlonit, ai fitoi një medalje të argjendtë në Lojërat Olimpike “Pekini 2008”, por vite më vonë e gjeti veten në konflikt të drejtpërdrejtë me qeverinë e vendit.

Ai ishte një nga 400 sportistët që nënshkruan një letër të hapur kundër regjimit të presidentit të Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko. Nënshkruesit kundërshtuan rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale të vendit në vitin 2020 dhe dhunën e shfaqur ndaj protestuesve paqësorë nga forcat e sigurisë së presidentit.

Krauchanka u përjashtua nga ekipi bjellorus menjëherë pas publikimit të letrës. Ai gjithashtu u burgos për dhjetë ditë.

Mst: Shikimi i Lojërave të Tokios nga një distancë e sigurt

Kështu që Krauchanka këtë vit i ka shikuar Lojërat Olimpike nga një distancë e sigurt. Ai, gruaja e tij Yana Maksimava dhe vajza e tyre e vogël, janë vendosur në rajonin industrial Ruhr të Gjermanisë perëndimore. Është një rrugë e gjatë nga shtëpia, por ata thonë se kanë viza dhe janë të vendosur se nuk do të kthehen në vendlindje derisa të ndryshojë diçka thelbësore.

Rasti i sprinteres olimpike të Bjellorusisë, Krystsina Tsimanouskaya, e shqetësoi çiftin. Yana është gjithashtu një atlete, duke garuar me sukses në nivel ndërkombëtar si në pentatlon, ashtu edhe në heptatlon deri në vitin 2017. Ajo nuk arriti të futet në ekipin olimpik për Lojërat e Tokios. Mirëpo, një gjë e tillë ishte e pamundur kur djali i presidentit është kreu i Komitetit Olimpik të Bjellorusisë.

“Unë nuk kam ndërmend të kthehem në Bjellorusi, pas gjithë asaj që ka ndodhur. Unë kam një vajzë të vogël, nuk mund të rrezikoj. Unë jam një nga ata njerëz që nuk mund të hesht”, shpjegoi ajo. “Kur jetoja dhe stërvitesha në Bjellorusi nuk mund t'i shpëtoja situatës”.

Ajo e dinte se nuk mund të bënte asgjë për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë, as në Bjellorusi, e as në organizatat sportive që qeveria i kontrollon. Çifti kishte kohë që po mendonte të largohej nga Bjellorusia. Pastaj, thotë Krauchanka, situata u bë shumë e rëndë për ta përballuar ai dhe gruaja e tij.

“Ne u lodhëm duke pasur frikë gjatë tërë kohës, madje edhe kur ecnim. Ishim të detyruar të kishim kujdes kur hipnim në makinë, kur dilnim nga palestra apo shtëpia. Kjo ishte e tepërt”, tha ai.

Krauchanka thotë se ata më në fund vendosën të largoheshin pasi një shok i ngushtë i tij u arrestua.

“Ne nuk do të heshtim. Dhe në Bjellorusi kushdo që thotë të vërtetën, shtypet dhe burgoset”.

Mst: Duan të garojnë sërish për Bjellorusinë

Maksimava ka vazhduar të shprehë opinionin e saj privatisht, por edhe publikisht, siç bëri këtë javë në “Instagram”. Megjithatë, ajo shpreson të kthehet në garë një ditë, nën flamurin tradicional kuq e bardh të Bjellorusisë. Ajo foli për ëndrrën e saj që një ditë sërish ta përfaqësojë Bjellorusinë, ndoshta në Lojërat Olimpike të Parisit, që mbahen pas tri vjetësh.

“Do të doja shumë të vazhdoja stërvitjen, do të doja të fitoja një medalje në Kampionatin Evropian të atletikës, në heptatlon, në pentatlon, nuk ka rëndësi. Nëse nuk funksionon, jeta do të vazhdojë, unë do të mësoj gjuhën, do të gjej një punë”, tha Maksimava.

Fati i çiftit është një çështje “delikate” me të cilën Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), duhet të merret. Ashtu si rasti i hedhësit të gjyles Raven Saunders - të cilit iu hoqën masat disiplinore për gjestet politike që bëri gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve - funksionarët e IOC-së duhet të gjejnë një qasje që mbron të drejtat themelore që shkojnë me lirinë dhe demokracinë. Kjo gjithashtu do të përcaktojë nëse Krauchanka dhe Maksimava mund të mbeten pjesë e familjes olimpike.