Tokio 2020

Greku Tentoglou fiton të artën në kërcim së gjati

Medalja e artë në kërcim së gjati do të shkoj në Greqi. Gara në njërën prej disiplinave të bukura në Lojërat Olimpike Tokio 2020, është mbajtur të hënën, ndërsa është fituar nga greku 23-vjeçar, Miltiadis Tentoglou. Ai ka befasuar Juan Miguel Echevarria të Kubës për ta fituar medaljen e artë, në Stadiumin Olimpik në Tokio.

Tentoglou nuk është shquar me kërcime në raundet e para. Madje kishte disa dështime. Por në raundin e gjashtë arriti kërcimin më të mirë prej 8.41 metra për ta lënë prapa yllin e Kubës.

Në fakt Tentoglou kishte kërcim të njëjtë me kubanin. Por kërcimin e dytë e kishte më të mirë dhe kjo i solli medaljen e artë. Tentoglou kishte kërcimin e dytë më të mirë prej 8.15 metra, ndërsa Echevarria 8.09 metra.

“Çfarë gare e pabesueshme. Çfarë kërcimi i pabesueshëm, kërcimi i fundit. Nuk isha në gjendjen më të mirë në fillim. Por në fund shfaqa atë që duhet për medalje”, ka thënë Tentoglou. “Ia dola të kërcej 8.41 metra dhe kjo ishte e mjaftueshme. Jam shumë me fat. Dua të falënderoj të gjithë përkrahësit e mi në Greqi. Ata janë zgjuar tashmë, duke më përkrahur. Është gjashtë në mëngjes ndoshta. Kështu që i falënderoj”.

Echevarria nuk ka mundur ta bëj kërcimin e fundit për shkak të një lëndimi.

“Medalja e argjendtë nuk është ajo që kam pritur. Por natyrisht është e mirëseardhur”, ka thënë Echevarria.

Për lëndimin e tij, 22-vjeçari ka theksuar: “Ishte shumë e dhimbshme, por do të rikuperohem dhe të shohim nëse do të garoj këtë vit”.

Maykel Masso i Kubës po ashtu është lënduar në raundet e hershme, por ia doli të fitoi bronzin me kërcim prej 8.21 metra, në tentimin e dytë.

“Ishte e pabesueshme. Ishte plotësisht befasi. Jam i befasuar pasi kam pritur që rezultati im të kalohet. Kjo nuk ndodhi dhe jam i lumtur”, ka thënë Masso.