Tokio 2020

McKeon notarja e parë që fiton shtatë medalje në një edicion të Lojërave Olimpike

Descriptive Text

Australianja Emma McKeon është bërë notarja e parë që ka fituar shtatë medalje në një edicion të Lojërave Olimpike, duke fituar dy të arta tjera në “Tokio 2020” të dielën.

McKeon fitoi të artën në 50 metra krol, para se të ndihmonte stafetën e Australisë 4x100 metra stil përzier të ngadhënjente në ditën e fundit të garave të notit në Tokio.

Amerikani Caeleb Dressel, ndërkohë, fitoi të artën po ashtu në 50 metra krol, ndërsa po ashtu ishte vendimtar në stafetën e përzier të meshkujve, duke i mbyllur Lojërat Olimpike në Tokio me pesë të arta.

Notari tjetër amerikan Robert Finke, ka kompletuar dopietën në not në distanca më të gjata, duke fituar të artën në 1500 metra krol, pasi më herët fitoi të artën në 800 metra krol.

Por, australianja McKeon ishte ylli i notit në “Tokio 2020”. Fitoi katër të arta – dy në sprinte individuale e dy në stafeta.

Ajo fitoi të artën në 100 metra krol, para se të ngadhënjente të dielën në 50 metra krol.

Pos katër të artave, ajo fitoi edhe tri të bronzta, dy në stafetë e një në 100 metra delfin.

McKeon i është bashkuar Michael Phelpsit, Mark Spitzit e Matt Biondit si notarët e vetëm që kanë fituar shtatë medalje në një edicion të Lojërave Olimpike. Sportistja e vetme që ka arritur këtë në një sport tjetër, ishte gjimnastja sovjetë Maria Gorokhovskaya në vitin 1952.

Amerikani Michael Phelps mban rekordin në not, me tetë medalje të arta të fituara në “Pekin 2008”. Ai kishte fituar tetë medalje edhe në “Athinë 2004”, gjashtë të arta e dy të argjendta.

“Është nder të përmendem përkrah këtyre emrave, pasi kam punuar aq fortë”, ka thënë McKeon, raporton BBC.

Amerikani 24-vjeçar Dressel ndërkohë në Tokio erdhi për të fituar gjashtë të arta. Mirëpo, i fitoi pesë sosh. Të dielën triumfoi në 50 metra krol bindshëm para Florent Manaudous së Francës e bruno Fratus së Brazilit, që fituan medaljen e argjendtë përkatësisht të bronztë. Më pas ndihmoi stafetën e SHBA-së në stil të përzier që të ngadhënjente para Britanisë së Madhe e Italisë.

“Ishte fantastike, nuk do të ndryshoja asnjë gjë. Është moment i veçantë. Jam krenar për veten”, ka thënë Dressel.

Në Tokio pati gara fascinuese të notit, ku SHBA-ja përfundoi në krye të tabelës së medaljeve me 11 të arta dhe 30 në total. Janë pesë të arta më pak se që i kishte fituar në “Rio 2016” e Londër 2012”, ndërsa rivali tradicional Australia fitoi nëntë të arta, që është shifra më e lartë e saj në Lojërat Olimpike.