Tokio 2020

Notarët me përvojë dështojnë përballë sfiduesve të rinj

Ndihej si një ndërrim i roleve në pishinën olimpike. Federica Pellegrini, e shtata. Chad le Clos, i pesti. Dhe, Katinka Hosszu, po ashtu e shtata. Tre të mëdhenjtë e notit nuk arritën të përfundojnë në podiumin e medaljeve në “Tokio Aquatics Center” të mërkurën.

Në Olimpiadën e saj të pestë dhe të fundit, 32-vjeçarja Pellegrini kishte shpresuar të fitonte një medalje më shumë në stilin e lirë në 200 metra - një ngjarje që ajo e fitoi në Lojërat Olimpike “Pekini 2008” dhe ende e ka emrin e saj në librin e rekordeve botërore. Por, Pellegrini aspak nuk ishte konkurrencë për të rejat, si Ariarne Titmus e Australisë, e cila fitoi medaljen e artë me një kohë që ishte gati për dy sekonda e gjysmë më e shpejt se italiania.

29-vjeçari, Le Clos e dinte se nuk kishte asnjë shans të vërtetë për të fituar të artën në 200 metra delfin, një garë e dominuar për disa vjet nga rekordmeni botëror i Hungarisë, Kristof Milak. Le Clos nuk arriti ta përballonte Milakun, duke përfunduar më së paku se tre sekonda prapa hungarezit dhe më shumë se gjysmë sekonde larg medaljes së bronztë. Hosszu, një hungareze e quajtur “Zonja e Hekurt” për programin e saj rraskapitës, u përpoq të mbronte titullin e saj në 200 metra stil të përzier në konkurrencën individuale. Në vend të kësaj, ajo përfundoi shumë larg, duke ngecur gati katër sekonda prapa fitueses, japonezes Yui Ohashi, dhe jo shumë më pranë amerikaneve Alex Walsh e Kate Douglass, që fituan medaljen e argjendtë, përkatësisht të bronztë.

“Ndihem mirë, mendoj”, tha Hosszu. “Natyrisht, dhashë gjithçka nga vetja që kisha në pishinë, dhe kjo ishte ajo që kisha sot”.

Pandemia e koronavirusit, e cila bëri që Lojërat Olimpike të shtyhen për një vit, hodhi poshtë regjimin e stërvitjeve të rrepta për të gjithë, ndërsa dëmtoi shumë përgatitjet e hungarezes Hosszu.

“E di që pandemia më hodhi poshtë dhe mendoj se më duhet më shumë kohë për të kuptuar se çfarë duhet të bëj për të qenë më e mirë në konkurrencë”, pranoi Hosszu.

Mirëpo, Hosszu insistoi se ajo nuk ka mbaruar ende. Notarja nga Hungaria planifikon të vazhdojë të notojë dhe do të përpiqet të sigurojë një vend në Lojërat Olimpike, që pas tre vjetësh do të mbahen në Paris.