Tokio 2020

Ditë e madhe për Norën e Akilin, vëlla e motër në skenën olimpike

Mund të ndodhë që në të njëjtën kohë të paraqiten në dy tatami në arenën “Nippon Budokan”. Por kanë shpresë se të dy do të zënë vend edhe në podiumin e njëjtë.

Nora e Akil Gjakova do të garojnë të hënën në turneun e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Janë motër e vëlla dhe janë sportistë kulmorë. I takojnë nivelit elitar të xhudos.

“Është ndjenjë e mirë që jemi të dy në Olimpiadë, por është edhe njëfarë presioni për shkak se të dy do të garojmë në ditën e njëjtë. Në momentin kur ndodhin humbje, fitore, të njërit apo tjetrit, e ndjejmë gëzimin apo hidhërimin e njëri-tjetrit. Shpresoj që do të na shkojë me gëzime dhe dytë t'i japim motiv njëri-tjetrit për të shkuar drejt fitoreve”, ka thënë Nora Gjakova për KOHËN, para nisjes për në Japoni.

Kosova tashmë e ka medaljen e artë në “Tokio 2020”, falë Distria Krasniqit. Majlinda Kelmendi u ndal të shtunën në luftën e parë dhe tani pritjet barten te Nora e Akili.

Nora është bartësja e tretë në kategorinë deri 57 kilogramë. Bartëse e parë është kanadezja Jessica Klimkait, ndërsa e dyta japonezja Tsukasa Yoshida. Nora në xhiron e parë është e lirë, ndërsa në të dytën e pret fituesen e duelit mes austriakes Sabrina Filzmoser dhe holandezes Sanne Verhagen.

Për Norën është Olimpiada e dytë. Në “Rio 2016” kishte një lëndim dhe u ndal në luftën e dytë. Tani synon të shkojë shumë më larg te medaljet.

2021-ta tashmë është viti më i suksesshëm në karrierën e Norës. Më 6 qershor fitoi medalje të bronztë botërore, ndërsa më 16 prill të bronztën evropiane. Ishte e para në Grand Slamin e Tbilisit dhe e treta në Mastersin në Doha.

Për herë të parë 28-vjeçarja ka fituar medalje botërore. Ajo ka plot gjashtë medalje evropiane, prej tyre një të artë e një të argjendtë. Të parën, të bronztë, e kishte fituar në Lojërat Evropiane, “Baku 2015”. Ishte medalja e parë e Kosovës në ngjarjet shumësportëshe. Gara e xhudos në Lojërat Evropiane është llogaritur edhe Kampionat Evropian në xhudo. Nora ka edhe shtatë të arta në turnetë Masters, Grand Slam e Grand Prix. Në këto gara i ka edhe katër të argjendta e gjashtë të bronzta. Pra, ka karrierë të madhe.

“Vitin e kam filluar mirë, me medalje. Kam pasur medalje në secilën garë dhe normalisht që shkoj me një motiv shumë më të fortë për të fituar një medalje në Lojërat Olimpike. Tash e kam fituar medaljen që më ka munguar në Kampionat Botëror. Kjo është ajo që gjithmonë më ka bërë të ndihem jo shumë mirë, për arsye se nuk jam ndier shumë e sigurt në gara ku ka pasur pjesëmarrës nga e gjithë bota, përkatësisht në kampionate botërore. Por, medalja në Kampionat Botëror më jep shumë motiv për Lojëra Olimpike”, ka pranuar Nora Gjakova.

Akil Gjakova po ashtu është në momentin më të mirë në karrierë. Ai nuk është bartës në kategorinë deri 73 kilogramë dhe fillon prej raundit të parë. Përballë do ta ketë Ahmed Ayashin të Jemenit.

Akili më 16 prill fitoi titullin e Evropës për suksesin bindshëm më të madh në karrierë. Ai ka fituar edhe shumë gara të xhudos, duke përfshirë Grand Slamin e Parisit, që njihet si gara më e famshme.

Kategoria deri 73 kilogramë, ku garon Akili, vlerësohet prej më të fortave dhe kategori ku secili mund ta mposhtë secilin.

“Për mua ka qenë ëndërr ta fitoj Kampionatin Evropian. Më në fund është bërë realitet, por po e shoh që kapacitetet dhe mundësitë i kam edhe më të mëdha. Kështu që nuk jam i ngopur me kaq. Shpresoj që të vazhdoj edhe më tutje për medalje botërore e po ashtu edhe Olimpike”, ka thënë Akil Gjakova.