Tokio 2020

Basketbollistet amerikane favorite për medaljen e shtatë rresht olimpike në Tokio

Kanë kaluar gati 30 vjet që kur ekipi i basketbollit të SHBA-së në konkurrencën e femrave humbi një lojë në Lojërat Olimpike, megjithatë amerikanet treguan se mund të ishin pak të prekshme në Tokio pasi u mposhtën një dy ndeshje kontrolluese javën e shkuar në las Vegas.

Pavarësisht humbjeve ndaj një ekipi “All-Star” të ENBA-s dhe Australisë, SHBA-ja është ende një favorit i madh për të fituar për herën e shtatë rresht medaljen e artë. E nëse amerikanet e fitojnë të artën në Tokio, atëherë do të ishte e pesta për lojtaret Sue Bird dhe Diana Taurasi - më së shumti ndonjëherë në historinë e basketbollit të femrave. Mundësia që ekipi të stërvitet për një javë së bashku në Tokio para ndeshjes së parë të turneut olimpik kundër Nigerisë (27 korrik) e ka ndihmuar shumë SHBA-në.

“Unë shoh përparim të madh, unë shoh se ekipi është komponuar dhe përgatitur mirë për turneun olimpik”, tha trajneri Dawn Staley.

Amerikanet nuk kanë hequr dorë nga një garë olimpike që nga viti 1992, duke fituar 49 ndeshje rresht që kur u mundën në gjysmëfinale nga Ekipi i Unifikuar. Nga ekipet që luajnë në Tokio, vetëm Japonia pritëse e ka mposhtur SHBA-në në turneun olimpik, duke bërë që amerikanet të përfundojnë në vendin e dytë në vitin 1976, kur debutoi basketbolli i femrave në Lojërat Olimpike të mbajtura në Montreal. Asnjë skuadër nuk është futur brenda shifrave të vetme të SHBA-së, që kur Rusia humbi në gjysmëfinale të Olimpiadës së Athinës në vitin 2004 - Lojërat Olimpike të para në të cilat luajtën Bird dhe Taurasi. Trajneri Staley beson se në Tokio nuk do të jetë aspak lehtë për ekipin e tij që ta fitojë medaljen e artë. Në fakt, ai thotë se ky turne olimpik do të jetë shumë i fortë dhe për këtë tashmë ka paralajmëruar lojtaret e tij.

Pas SHBA-së që pritet ta fitojë të artën, gara për të arritur medaljen e argjendtë dhe të bronztë është e hapur. Australia, Belgjika, Franca, Kanadaja, Serbia, Spanja dhe Japonia pritëse, të gjitha kanë një shans për t’u ngjitur në podium.

“Të gjitha ekipet janë të forta dhe po e marrin këtë turne me seriozitetin më të madh. Nuk është sikurse më përpara, pasi tani ekipet janë të vendosura për të fituar medalje. Ne e kemi parasysh serinë tonë në Lojërat Olimpike dhe synimi është ta vazhdojmë, por nuk do të jetë aspak lehtë”, tha Staley. “Me rëndësi është se po investohet në basketbollin e femrave dhe do të ketë ndeshje shumë interesante në Japoni”.

Serbia e fitoi medaljen e bronztë në lojërat olimpike “Rio 2016” dhe në Tokio ka marrë shumicën e lojtareve që ishin pjesë e atij ekipi.

“Ne jemi shumë më të pjekur sesa në Rio, dhe ndihemi sikur kjo është një garë që ndoshta mund ta përdorim në avantazhin tonë, sepse ju e dini që shumica e kësaj gjenerate është drejt fundit”, tha kapitenia e ekipit serb, Vonja Vasiq. “Do të jetë e vështirë, sepse mendoj se ky është ndoshta një nga turnetë më të mirë ndonjëherë, pasi vetëm një apo dy skuadra nuk janë pretenduese për medalje”.

Garat e basketbollit në konkurrencën e femrave do të nisin të hënën me ndeshjet e fazës së grupeve. Ekipet janë të ndara në grupe me nga katër skuadra. Turneu olimpik i basketbollit të femrave mbyllet më 8 gusht, në ditën kur mbyllen Lojërat Olimpike, ndërsa një ditë më herët luhet ndeshje për medaljen e bronztë.

Taurasi i mungoi SHBA-së në ndeshjet kontrolluese që i humbi në Las Vegas për shkak të lëndimit të kofshës së këmbës. Megjithatë, ajo mendon se do të jetë gati për ndeshjen e parë, pasi është stërvitur së bashku me ekipin tashmë disa ditë.

“Po, unë shpresoj se do të luaj pasi po ndihem më mirë”, tha Taurasi. “Unë dua të kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur në parket për shkak se dua ta ndihmoj ekipin për të arritur synimin që e kemi së bashku”, u shpreh Taurasi.

Ndërkohë, Nigeria që përballet në duelin e parë me SHBA-në, do të përpiqet të përfundojë një seri pa fitore për ekipet afrikane në Lojërat Olimpike që datojnë që nga Olimpiada e Athinës në vitin 2004. Kombi afrikan pati një fitore karshi pesë humbjeve në Greqi dhe asnjë ekip i këtij kontinenti nuk e ka fituar një ndeshje që nga ajo kohë.

“Ne nuk po kërkojmë vetëm të fitojmë një ndeshje, por duam të marrim një medalje”, tha trajneri i Nigerisë, Otis Hughley Jr.