Tokio 2020

Koha që sakrifica e madhe e Distrisë të shpaguhet

Një sakrificë të “vogël” e ka bërë Distria Krasniqi të premten. Për të qenë gati për garën që e ka të shtunën, ka hequr dorë nga paraqitja në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike. Ceremonia, përkatësisht “parada e kombeve”, është e lodhshme dhe kjo i duhej më së paku Distrisë para garës që e ka të shtunën në kategorinë deri në 48 kilogramë në xhudo.

Për një pjesë të mirë të sportistëve, edhe atyre kosovarë, pjesëmarrja në ceremoninë hapëse është momenti më i mirë nga Lojërat Olimpike. Por jo edhe për Distrinë. Ajo ka ardhur me mision të qartë – për të fituar medalje për Kosovën. Për të fituar medalje në ngjarjen më të madhe, në vendlindjen e xhudos.

Ka sakrifikuar shumë xhudistja pejane për të ardhur në pozitë që të jetë bartësja e parë në Lojëra Olimpike dhe prej pretendueseve më të mëdha për medalje.

Vlerësohet se 25-vjeçarja e ka konstruktin trupor për kategorinë deri 52 kilogramë. Dhe ajo ka shumë vjet që garon në kategorinë deri 48 kilogramë. Kjo i ka shkaktuar vështirësi të vazhdueshme. Për një sportiste që peshën e zakonshme e ka mbi 52 kilogramë, të garojë në kategorinë deri 48 kilogramë, nuk është e lehtë.

Pasi Majlinda Kelmendi fitoi tituj të Evropës, tituj të botës dhe medaljen e artë olimpike, natyrshëm ishte zgjedhja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë. Edhe Distria ka garuar një kohë në këtë kategori, por për të realizuar ëndrrën olimpike është dashur të zhvendoset në kategorinë deri 48 kilogramë. Në Olimpiadë, nga një shtet lejohet vetëm një xhudist në kategori. Ky rregull do të rriste rrezikun që Distria edhe me suksese të mëdha të mbetej jashtë Olimpiadës. Dhe për këtë ajo ka sakrifikuar vazhdimisht, duke e pasur jo të lehtë për ta mbajtur peshën. Asaj i ka ndodhur që të udhëtojë për në gara dhe të heqë dorë prej tyre në pamundësi për të hequr peshën. I kishte dështuar një udhëtim madje në Kubë, e po ashtu mbeti pa medalje në Lojërat Evropiane në Minsk për këtë arsye. Në Minsk dy vjet më parë ishte favorite e madhe për medalje.

Ndonëse me këtë barrë, Distria ka qenë e pandalshme në dy vjetët e fundit. Pos në Botërorin e fundit, në të cilin mbeti e pesta, ka qenë në podium në të gjitha garat ku mori pjesë.

Këtë vit ka fituar titullin evropian dhe Mastersin, garën ku marrin pjesë vetëm më të mirët. Vjet fitoi medalje të bronztë evropiane dhe shumë të tjera të arta. Edhe më 2019-n e kishte shumë të suksesshme me medaljen e bronztë botërore moment kulmor.

Ajo është ngritur në pozitën e parë të ranglistës botërore dhe kjo ia krijoi mundësinë të jetë bartëse e parë në Lojërat e Tokios.

Çdo gjë më pak se medalje mund të vlerësohet dështim për Distrinë, marrë për bazë rrugëtimin e saj të deritashëm.

“Kam fituar shumë eksperiencë, sidomos në këta dy vjetët e fundit, apo tre, prejse kam dalë në kategorinë e re. Besoj që pas Tokios do ta ndërroj kategorinë dhe nuk do të kem probleme me peshë dhe besoj se do të ndihem shumë më mirë pas Tokios, sesa që jam tash”, ka pranuar Distria në intervistën e fundit para Lojërave të Tokios.

Image

Ajo megjithatë është e gatshme. Është falënderuese që nuk ka pasur lëndime.

“Po e ndiej veten shumë gati dhe shumë të përgatitur. Kemi bërë përgatitje të mira dhe gjithçka ka shkuar siç duhet. Falë Zotit nuk kam lëndime, puna po shkon mirë. Kështu që, normal që po shkoj atje për t'u kthyer me medalje dhe shpresoj të ndodhë ashtu. Besoj që nëse është dita ime, nëse jam e qetë, nëse ndihem sikur jam ndier në të gjitha garat që i kam pasur në të kaluarën, atëherë çdo gjë do të shkojë mirë. Janë kundërshtaret e njëjta si në çdo garë, vetëm emri është ndryshe, pra Olimpiadë, kështu që besoj se do të ndihem si në garat e kaluara që i kam pasur. Nëse do të ndihem mirë, atëherë do të marr medalje”, është e bindur Distria.

Ajo e ka të qartë se çka kërkohet për sukses në skenën më të madhe. Ishte partnere e sparingut për Majlindën e Norën në Rio 2016.

“Më ka ndihmuar shumë që kam shkuar në Rio dhe i kam parë se si janë garat. Para se të shkoj në Rio kam menduar që Olimpiada është një garë shumë, ashtu e paprekshme dhe mezi kam pritur të shoh se çfarë po ndodh atje. Kam menduar që njerëzit atje 'fluturojnë', por kur kam shkuar e kam parë që është njëjtë, janë të njëjtit garues, salla e ngrohjes është njëjtë, garat janë të njëjta. Kështu që më ka ndihmuar shumë që kam shkuar në sparing për Majlindën dhe Norën. Tash ndihem gati dhe e di çfarë më pret”.

Distria e sheh Olimpiadën si çdo garë tjetër të madhe. Dhe kjo mund të jetë një mënyrë për ta hequr presionin. Ajo e ka parashikuar avancimin deri në gjysmëfinale, që është parashikim real nëse merret për bazë cilësia që ka pejanja e fuqishme.

“Në gjysmëfinale mundem të ndeshem me mongolen nga e cila kam pësuar humbje në garën e kaluar. Por, kam qenë në formë të mirë dhe besoj që në Olimpiadë nuk do të shkoj ashtu siç ka shkuar në garën e kaluar. Kam marrë eksperiencë të mirë dhe e di që përsëri mundet të jetë kundërshtarja që e kam mendjen tash tek ajo. Nëse fitoj në gjysmëfinale atëherë në finale nuk e di çfarë ndodh, le të vijë kush të vijë”.

Një fillim i pritur i Distrisë – me medalje – do t’ia jepte të mbarën Kosovës në pjesëmarrjen e dytë në ngjarjen globale. Dhe medalje të tjera do të mund të vinin në ditët e ardhshme.