Tokio 2020

LO Tokio 2020: A e ka Japonia koronavirusin nën kontroll

Edhe nëntë raste me koronavirus u konfirmuan nga organizatorët e Lojërave Olimpike në Tokio, vetëm tri ditë para nisjes së tyre.

Sipas raportit ditor të organizatorëve, të publikuar të martën në mëngjes, në mesin e rasteve të reja është edhe një atlet.

Komiteti Olimpik i Republikës Çeke konfirmoi se lojtari i volejbollit çek në plazh, Ondrej Perusic, u diagnostikua me koronavirus.

Shifrat e fundit e çojnë në së paku 71 numrin e rasteve që lidhen me Lojërat Olimpike. Së paku katër raste u regjistruan brenda Fshatit Olimpik.

Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020” nisin më 23 korrik dhe përfundojnë më 8 gusht. Disa ditë më pas, më 24 gusht, nisin Lojërat Paralimpike.

Këto kanë qenë të parapara të mbahen vitin e kaluar, por janë shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në përpjekje për të mbajtur situatën nën kontroll, Tokio ka shpallur gjendje emergjente dhe ngjarjet olimpike atje dhe në një rajon tjetër do të mbahen pa spektatorë.

Infeksionet e reja me koronavirus kanë nisur të rriten në gjithë Japoninë qysh në fund të qershorit.

Një ditë më herët, Ministria e Shëndetësisë e Japonisë raportoi për mbi 3,000 raste të reja. Megjithatë, shifra është shumë më e ulët se në muajin maj, kur në disa raste numri ditor ka kaluar 7.000.

Ekspertët kanë thënë se shkalla ditore e infektimit në qytetin nikoqir të Lojërave Olimpike duhet të jetë nën 100, në mënyrë që Lojërat të zhvillohen mënyrë të sigurt.

Organizatorët kanë vendosur të mos i lejojnë tifozët në ngjarjet olimpike në Tokio dhe në zonat përreth.

Prefektura e Fukushimës ka vendosur gjithashtu që t’i ndalojë spektatorët, edhe pse fillimisht ka thënë se do t'i lejojë ata. Rajonet Mijagi dhe Shizuoka do të lejojnë një numër të kufizuar spektatorësh.

Ekzistojnë gjithashtu rregulla të rrepta brenda zonave olimpike, si për garuesit, ashtu edhe për zyrtarët. Atletët, ndërkaq, testohen çdo ditë.

Në dy qytetet më të mëdha të Japonisë, Tokio dhe Osaka, ka nisur një fushatë e vaksinimit masiv kundër koronavirusit, për t’iu kundërvënë numrit në rritje të rasteve.

Deri në fund të javës së kaluar, pak mbi 33 për qind e qytetarëve të Japonisë janë vaksinuar me së paku një dozë, por më pak se 22 për qind janë plotësisht të vaksinuar.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania kanë 40 deri në 50 për qind të popullsisë së tyre të vaksinuar plotësisht, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 53% e njerëzve janë plotësisht të vaksinuar.

Japonia ka filluar vaksinimin e njerëzve në shkurt, më vonë se shumica e vendeve të tjera të zhvilluara.

Për disa muaj, Pfizer/BioNTech ka qenë vaksina e vetme e miratuar në Japoni.

Ky proces ka zgjatur më shumë, sepse Japonia ka dashur t’i testojë vetë vaksinat.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, tha të martën se Lojërat e Tokios do të dërgojnë një mesazh të fuqishëm të “paqes dhe solidaritetit”.

“Ne mund t’i kapërcenim të gjitha këto sfida për Lojërat Olimpike, sepse gjatë tetë vjetëve të kaluar kemi shijuar një partneritet të besueshëm [me Japoninë]. Ne gjithmonë mund të mbështetemi te ju”, tha Bach.

Ai i vlerësoi “përpjekjet heroike” të personelit mjekësor dhe të vullnetarëve në kohë të pandemisë dhe tha se anulimi i Lojërave nuk ka qenë kurrë një opsion për organizatorët. \ REL


Kosova me 11 sportistë në Tokio

Kosova do të përfaqësohet me 11 sportistë në LO Tokio 2020. Pesë prej tyre janë xhudistë dhe tek ata janë shpresat më të mëdha për medalje olimpike.

Xhudistët kanë shkuar të parët në Japoni, ndërkohë të tjerët do të shkojnë sipas orarit të garave që i kanë.

Gjashtë sportistë, përfshirë pesë xhudistët kanë shkuar në Japoni me normë olimpike të fituar, ndërkohë pesë të tjerë me ftesë. I gjashti me normë është mundësi Egzon Shala.

Ekipi olimpik i Kosovës përbëhet nga: Majlinda Kelmendi (xhudo - 52 kg); Distria Krasniqi (xhudo - 48 kg); Nora Gjakova (xhudo - 57 kg); Lorjana Kuka (xhudo -78 kg); Akil Gjakova (xhudo - 73 kg); Egzon Shala (mundje - 125 kg stil i lirë); Donjeta Sadiku (boks - 57 - 60 kg); Drilon Ibrahimi (shenjëtari - 10 m pushkë ajrore); Musa Hajdari (atletikë - 800 m vrapim); Eda Zeqiri (not - 400 m stil i lirë); dhe Olt Kondirolli (not - 100 m stil i lirë).

Kosova tashmë ka një medalje olimpike, të artën të fituar nga xhudistja Majlinda Kelmendi më 2016 në Rio.