Tech

Senati Amerikan kërkon të pyesë Zuckerbergun, ai humb 58 mld dollarë në një javë

Udhëheqësit e Komitetit të Tregtisë në Senat i bënë thirrje gjatë së premtes shefit ekzekutiv të “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, të dëshmojë përpara panelit të tyre pas polemikave që kanë shkaktuar raportet se, “Cambridge Analytica” e lidhur me Trumpin kishte shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme të dhënat e mbi 50 milionë përdoruesve të rrjetit social.

Kreu i Komitetit, John Thune, një republikan nga Dakota e Jugut, si dhe anëtari Bill Nelson, një demokrat nga Florida, thanë se janë ngritur shumë pikëpyetje mbi përgjegjësitë dhe detyrimet e “Facebook”-ut, ndaj dhe ka ardhur koha të dëgjohet diçka nga shefi ekzekutiv i këtij rrjeti social, transmeton tch.

“Besojmë se dëshmia e Zuckerbergut është e nevojshme për të siguruar një kuptueshmëri më të qartë mbi planet sesi kompania planifikon të rikthejë besimin e humbur, të mbrojë të dhënat e përdoruesve dhe t’i japë fund një serie shqetësuese të përgjigjeve të vonuara ndaj problemeve serioze”, thanë dy senatorët në një deklaratë të përbashkët.

“Ne i vlerësojmë përpjekjet që Facebook dhe punonjësit e tij kanë bërë deri tani për të ndihmuar Komitetin tonë, ndaj dhe do të punojmë me ta për të gjetur një datë të përshtatshme në mënyrë që Zuckerberg të dëshmojë në javët në vijim”, vijon më tej deklarata.

Zuckerberg është thirrur gjithashtu për një seancë dëgjimore edhe nga Komiteti i Energjisë dhe Tregtisë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Por, sa ka ndikuar kjo periudhë e turbullt rreth rrjetit social më të përdorur në rang global?

Facebook ka mbyllur javën me një rënie prej 58 miliardë dollarësh të aksioneve të tij, që pas shpërthimit të skandalit historik të shkeljes së të dhënave të përdoruesve. Themeluesi i tij, Mark Zuckerberg pranoi fajin dhe kërkoi ndjesë për skandalin që preku rreth 50 mln përdorues.

Ndjesa, gjithsesi nuk i frenoi investitorët nga shitja e aksioneve të tyre në rrjetin social. Shkelja e privatësisë u mbiquajt si një moment “ndriçimi” për përdoruesit, duke shkaktuar edhe një trend të fundit në rrjetet sociale nën “hashtagun” #deletefacebook (fshini Facebook-un).

Titujt negativë që pushtuan mediet kryesore botërore detyruan disa prej autorëve të fushatave publicitare që të thonë se “tashmë është mjaft”. Aksionet e kompanisë kanë rënë nga 176.8 dollarë që ishin ditën e hënë, në rreth 159.3 dollarë mesnatën e së premtes.