Tech

Grupi i teknologëve të rinj në Lipjan

Ky objekt, i ndërtuar në vitin 1866, radhitet në institucionet më të vjetra të arsimit fillor. Nuk shquhet vetëm për vjetërsinë dhe përcjelljen e gjeneratave të shumta, por sot ajo dallohet për formën e mësimit të lëndës së teknologjisë informative.

Këta nxënës janë grupi i teknologëve të shkollës “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan. Ata, përmes orës dhe mësimit shtesë në lëndën e teknologjisë, kanë arritur të krijojnë gjera të ndryshme.

Arsimtari i lëndës së Teknologjisë Informative, Hajriz Rashiti, është munduar që përmes projekteve të ndryshme të ndryshojë formatin e mësimdhënies së kësaj lënde. Ai tregon se interesimi i nxënësve ka bërë që shkolla të zhvillohet në këtë aspekt, raporton emisioni “SOT” i KTV-së.

Grupi tjetër i djemve ka arritur që përmes një lego roboti të krijojë një projekt tjetër, me të cilin roboti mund të kalojë lirshëm nëpër rrugë, duke ndjekur ngjyrën e gjelbër.

Ndërsa grupi tjetër i vajzave ka arritur që të krijojë një alarm për sigurinë e shtëpisë.

Për të ardhmen e energjisë së ripërtërishme kanë punuar vajzat me disa panele të vogla diellore.

Për të qenë shkolla shembull në rajon e më gjerë, drejtori i shkollës, Jakup Bahtiri, tregon se nxënësit janë shumë të angazhuar në këtë drejtim dhe se deri më tani kanë marrë pjesë në shumë gara brenda dhe jashtë vendit, ku edhe janë shpërblyer.

Shkolla fillore “Vëllezërit Frashëri” ka gjithsej 1490 nxënës, prej tyre një pjesë të angazhuar edhe në grupin e teknologëve, të cilët do të vazhdojnë të jenë aktivë edhe në garat e tjera.