Tech

Realizohet bashkëpunimi i parë muzikor mes njeriut dhe inteligjencës artificiale

Albumi i parë muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale tashmë është një realitet, është publikuar më 12 janar 2018 dhe ekspertët mendojnë se teknologjia që është në bazë të kësaj mund të sjellë një stil krejtësisht të ri të përbërjes muzikore.

Albumi, siç thuhet në shkrimin e ANSA-s, që e transmeton ATSH, quhet “Hello World” dhe është realizuar në kuadër të projektit “FlowMachines”, i financuar nga Këshilli Evropian i Kërkimit (ERC).

Ky album është fryt i bashkëpunimit mes 15 artistësh, producentit muzikor Benoit Carre, i njohur me pseudonimin “Skygge”, si dhe i softuerit të krijuar nga pioneri i muzikës kompiuterike, Franois Pachet, ekspert i inteligjencës artificiale dhe drejtor i “Creator Technology Research Lab” të kompanisë së famshme “Spotify”.

Ky sistem parashikon që muzikanti të furnizojë me frymëzim softuerin, duke i paraqitur një seri muzikash. Inteligjenca artificiale analizon muzikën e propozuar në aspektin e ritmit, melodisë dhe harmonisë. Kur kupton stilin e kërkuar, programi e përdor si bazë për një kompozim të ri.

Pachet thekson se me këtë synohet të arrihet një bashkëpunim njeri-makinë duke e krahasuar këtë me çiftin mitik të autorëve muzikantë të pjesës më të madhe të Beatles.

“Një shprehje angleze shumë e famshme është se çdo Lennon ka nevojë për një McCartney dhe kjo është ajo që po zynojmë. Nuk aspirojmë të realizojmë një krijimtari të pavarur sepse për momentin nuk e dimë se si t’i japim kompjuterit kuptimin e diçkaje që e posedon, nëse duam, mund ta quajmë shpirt”.

Nga ana tjetër për Carre, “kjo nuk është një formë e re muzike, por një formë e rë për të krijuar muzikë. Sistemi gjeneron kompozime origjinale të formave të ndryshme, që mund të jenë ritmi, melodia apo pjesë muzikore”.