Tre telefonat e rinj të Huaweit me nga tri kamera

Tre telefonat e rinj të Huaweit me nga tri kamera

31 dhjetor 2017 13:16

Për tre vjetët e fundit, kompania e njohur kineze Huawei ka lansuar serinë e smartfonëve P8, P9 dhe P10 ndërsa tani pritet që kompania të prezantojë edhe anëtarin e ri të familjes – P11. Megjithatë, kjo mund të mos ndodhë. Sipas disa fotografive të publikuara nga Kina, smartfoni nga gjenerata e ardhshme e serisë P mund të quhet P20.

Fotografitë e publikuara zbuluan dizajnin e tre smartfonëve të rinj Huawei P20 – versioni bazik P20, P20 plus dhe P20 Pro, transmeton Koha.net. Duke u bazuar në këto fotografi, duket se të tre smartfonët e rinj do të vijnë me tre kamera në pjesën e pasme të vendosura në pozita të ndryshme.

Sipas raportimeve të mëparshme, kamera e ardhshme e trefishtë e Huaweit do të ketë rezolucion prej 40 megapikselë dhe “5 herë zoom hibrid” – në teori, kjo është një kamerë e jashtëzakonshme por mbetet të shihet nëse mund t’ia kalojë kamerave të teknologjisë së fundit të smartfonëve të tjerë.

Versionet P20 dhe P20 Plus duket se do të kenë dizajnin shumë të ngjashëm, me sensor për gishtërinj të vendosur në pjesën e përparme dhe kamerën e trefishtë të pozicionuar në mënyrë asimetrike në pjesën e pasme (horizontalisht te P20 dhe vertikalisht te P20 Plus). Me shumë gjasë, të dy këto modele do të dallojnë nga madhësia.

Sa i përket Huawei P20 Pro, ky version ka ekran me madhësi dhe raport të ekranit me kornizën e telefonit të ngjashëm sikur iPhone X, si dhe skanerin për gishtërinj në pjesën e pasme nën kamerën e tij të trefishtë, e cila është e vendosur në qendër.

Është thënë që P20 dhe P20 Plus do të vijnë me procesor Kirin 970, ndërsa P20 Pro me procesor më të fuqishëm – Kirin 975, përcjell Koha.net. Të tre smartfonët e rinj pritet të vijnë me 6 GB RAM memorie dhe së pake me 64 GB memorie të brendshme.

Huawei mund t’i lansojë këta smartfonët e rinj në Kongresin Botëror të Celularëve (MWC 2018), e cila do të mbahet nga 26 shkurt deri më 1 mars në vitin e ardhshëm.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme