Tech

Dhjetë specifikat kryesore të Galaxy S8 dhe S8+

Derisa fansat e Apple-it duhet të presin edhe së paku gjashtë muaj për të pasur në duar pajisjen më të re, iPhone 8, fansat e Androidit i ndajnë vetëm dy javë nga shpalosja zyrtare e dy telefonave më të rinj të Samsungut, Galaxy S8 dhe S8+.

Qe një kohë të gjatë kanë nisur të shpalosen detajet e telefonave të ardhshëm të Samsungut, ndërsa tashmë kanë nisur të publikohen edhe fotografi e video të tyre.

“BGR” ka përmbledhur dhjetë specifikat më të veçanta të pajisjeve të ardhshme të linjës Galaxy S, transmeton Koha.net.

Dizajni

Dy telefonat e rinj të Samsungut do të kenë dizajn elegant dhe impresiv. Butoni kryesor do të zhduket nga pjesa e përparme dhe kornizat do të jenë edhe më të holla. Si rezultat, S8 do të ketë më shumë hapësirë që do të përdoret si ekran i ndjeshëm në prekje.

Madhësitë e ekranit

Përveç faktit që Galaxy S8 dhe Galaxy S8+ do të ketë më shumë hapësirë të ndjeshme në prekje, ata po ashtu do të jenë më të mëdhenj në krahasim me pajisjet rivale. Telefoni më i vogël S8 do të ketë ekran 5.8-inç, që është më i madh se iPhone 7 që ka ekran 4.7-inç dhe S8+ do të ketë ekran masiv 6.2-inç që do të jetë më i madh se iPhone 7 Plus 5.5-inçësh.

Rezolucioni i ekranit

Përpos që tashmë dihet se dizajni do të jetë i mrekullueshëm dhe ekranet do të jenë më të mëdha, Samsungu në pajisjet e reja do të përfshijë rezolucion më të lartë. 2960x2400 janë shifrat e pikselëve që do të jenë në pajisjet e reja të Samsungut.

Ekranet e lakuara në të dy modelet

Samsung Galaxy S8 dhe S8+ do të kenë ekrane Super AMOLED të lakuara në të dy anët.

Skaneri i syve

Një veçori e re do të vijë në linjën Galaxy S8 dhe ajo është skaneri i syrit, që tashmë ishte përfshirë në pajisjen e dështuar Note 7. Përdoruesit e Samsung Galaxy S8 dhe S8+ do të mund të hapin telefonin me vetëm një skanim të shkurtër të syrit.

Kamerat e përditësuara

Linja e kaluar e Galaxy S, ajo Galaxy S7, kishte kamerë të njëjtë në të gjitha modelet dhe ishte ndër kamerat më të mira të përdorura në telefona. Edicioni i sivjetmë i këtyre telefonave do të ketë kamerë edhe më të fortë 12-megapikselëshe Dual. Kamera e përparme do të jetë 8-MP.

Moduli ‘desktop’

Pajisjet e reja të Samsungut do të përfshijnë një superveçori të re, që i mundëson përdoruesve t’i lidhin ato me monitorë dhe të përdorin aplikacionet e Androidit në ekrane të mëdha.

Procesorë të rinj

Galaxy S8 dhe Galaxy S8+ do të jenë pajisjet e para që do të kenë gjeneratën e re të procesorëve 10nm. Modelet S8 do të vijnë me setin e vet Samsungut Exynos 8895, që pritet të sjellë më shumë fuqi dhe efikasitet te telefonat.

Moduli ‘Bishë’

Duke folur për fuqinë, telefonat e rinj të Samsungut do të përfshijnë edhe një modul të ri të veçantë që për një kohë do t’i sjellë performancën në specifikat maksimale kur përdoruesi ka nevojë për to.

Bateri më e mirë

Pritet që S8 dhe S8+ të vijnë me bateri më të forta 3000 dhe 3500mAh, që do të shërbejnë për të mbajtur më shumë telefonat ndezur.