Tech

Edhe Instagrami përfshihet në skandalin rus

Descriptive Text

Rreth 120.000 publikime në Instagram, janë krijuar nga operatorë të identifikuar si rusë.

Mesazhet u panë nga 16 milionë përdorues pas tetorit 2016 dhe nga rreth 4 milionë përdorues përpara kësaj date, ka njoftuar avokati kryesor i Facebookut, Colin Stretch.

Ai paralajmëroi se të dhënat përpara tetorit 2016 ishin të paqarta.

Ato i shtohen 126 milionë përdoruesve të Facebook, që kanë parë në profilin e tyre të lajmeve të krijuara nga shoqëria ruse e Internetit “Research Agency”, e lidhur me shërbimet sekrete ruse, për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Në total, sipas zyrtarit rreth 150 milionë persona janë prekur nga keqinformimi rus në të dyja platformat.

Twitter dhe Google do të marrin pjesë gjithashtu në këtë seancë dëgjimore, përpara senatorëve të indinjuar për atë që ata e konsiderojnë si një përgjigje e vonuar e gjigantëve të internetit, për të luftuar kundër lajmeve të pavërteta dhe personave që veprojnë nga Rusia apo edhe vende të tjera.

Thuajse një vit pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, kompanitë kanë filluar të japin të dhëna për këto fushata me ndikim tek përdoruesit. Twitter dhe Facebook, megjithatë, theksojnë se këto përmbajtje përfaqësonin vetëm një pjesë të vogël të të gjithë përmbajtjeve të publikuara, transmeton KP.