Tech

Interesim i shtuar në Shqipëri për ndërtimin e parqeve fotovoltaike

Descriptive Text

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) njofton se investitorë të brendshëm e të huaj po rrisin interesin për ndërtimin e parqeve fotovoltaike që prodhojnë energji përmes shfrytëzimit të energjisë diellore.

Vetëm për periudhën prill-korrik të këtij viti pranë këtij dikasteri janë paraqitur 8 projekt kërkesa, për prodhimin e energjisë nga dielli. Vlera më e madhe i përket projektit të paraqitur nga bashkimi i 3 operatorëve, për ndërtimin e një parku fotovoltaike me sipërfaqe 10 ha në Bashkinë e Divjakës, ku kapaciteti i instaluar do të jetë 5 MW, ndërsa vlera e investimit rreth 3.9 milionë euro.

Ndërkohë, pjesa tjetër e projekteve të paraqitur avarion me financime nga 1.7 në 2.7 milionë euro, sipas sipërfaqes dhe kapacitetit prodhues.

Prodhimi i energjisë së rinovueshme është një ndër objektivat kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, lidhur kjo edhe me faktin që në Shqipëri nuk ka ende një park të mirëfilltë fotovoltaik funksional.

Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është kërkuar me ngulm nga ekspertët, duke e cilësuar si mundësi jo vetëm për prodhimin e energjisë, por edhe si nxitje për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit.

Sipas tyre, diversifikimi i prodhimit të energjisë, do ti shërbejë qëllimit të kursimit dhe efiçiencës së energjisë. Objektivi kryesor është që deri në vitin 2018 të rritet me 9%, në shkallë vendi kursimi i energjisë.

Ekspertët e fushës shprehen se, objektivi kombëtar i kursimit të energjisë duhet të arrihet nëpërmjet shërbimeve energjetike që synojnë rritjen e efiçiencës së energjisë nëpër sektorë të veçantë të ekonomisë kombëtare, përfshirë sektorët rezidencialë dhe shërbimeve, sektorin e transportit dhe masa të tjera si ato ndër-sektoriale dhe horizontale.

Sipas tyre, të gjitha institucionet dhe entitetet publike, përfshirë këtu edhe shoqëritë pronë publike duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për përmirësimin e efiçiencës së energjisë, duke u fokusuar në masat me kosto efektive, që sjellin kursim më të madh në një periudhë të shkurtër kohe. Me ligjin e ri, edhe bashkia do të detyrohet që çdo leje ndërtimi për një ndërtesë të re dhe/ose për rinovimin e plotë të një ekzistueseje ta miratojë vetëm nëse një certifikatë e performancës energjetike e lëshuar nga personi kompetent do të tregojë se përmbush kërkesat minimale të performancës energjetike.

Ligji i ri për energjinë e rinovueshme, hartuar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, është në përputhje me standardet evropiane dhe mbështet investimet në këtë sektor.

“Metodologjia bazohet në çmimin e tregut të organizuar të energjisë elektrike ose deri nё krijimin e tij, në çmime të krahasueshme të tregjeve të organizuara të vendeve fqinje, plus një bonus tё caktuar pёr promovimin e këtyre burimeve, i cili merr në konsideratë një kthim të arsyeshëm të vlerës së investimeve”, citon ligji.

Ndërkohë MIE, bën të ditur se për sa i takon sektorit energjetik, biznesi po adreson aplikime të shumta edhe për ndërtimin hidrocentraleve.

Image