Tech

Iran po e diskuton zhbllokimin e rrjetit Twitter

Ministri i ri i Komunikimit në Iran, Mohamad-Javad Azari Jahromi, ka thënë se po zhvillohen negociata për zhbllokim të rrejtit Twitter, i cili ishte i ndaluar për disa vite, megjithëqë shfrytëzohet nga liderët më të lartë të Iranit.

Ky rrjet ishte bllokuar në vitin 2009, pas shpërthimit të protestave masive kundër rizgjedhjes së presidentit të atëhershëm, Mahmud Ahmadinejad.

Ministri Jahromi tha se Twitter është i gatshëm “për negociata për zgjidhjen e problemeve”.

“Twitter nuk është një ambient jomoral, që duhet të bllokohet”, tha zoti Jahromi, i cili është ministri më i ri i Iranit i të gjitha kohërave, dhe ministri i parë që është i lindur pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Jahromi është 36 vjeçar dhe ishte kritik i cenzurës në Internet në Iran.

Aktualisht, rrjetet sikur Facebook, YouTube dhe Twitter, zyrtarisht janë të ndaluara, megjithqë miliona iranianë i shfrytëzojnë këto rrjete për çdo ditë.