Tech

Apple dhe Samsung përballë konkurrencës kineze për smartfonët

Apple dhe Samsung, që do të zbulojnë në të ardhmen smartfonët e rinj, janë gjithmonë në kërkim të formulës magjike për të ruajtur dominimin e tyre përballë konkurrencës kineze, në sfondin e ngadalësimit të tregut.

Beteja është e madhe për Apple, që kërkon të ruajë imazhin e titullarit. Por, grupi amerikan ka pasur vështirësi këto vitet e fundit për të prezantuar funksione të reja revolucionare për “iPhone”, kopja e parë e të cilit daton në qershor 2007 dhe që është shitur në më shumë se 1,2 miliard kopje.

Firma e mollës do të publikojë “iPhone 8” në shtator. Si zakonisht, karakteristikat e aparatit të ri, si dhe data e komercializimit janë bërë objekt i shumë polemikave në shtypin e specializuar, që thekson më tej se ky telefon i ri mund të kushtojë të paktën 1000 dollarë (850 euro).

“Është e dukshme që Apple kërkon të bëjë diçka ndryshe për 10-vjetorin e ‘iPhone’”, thekson analisti, Stephen Baker nga kabineti i NPD Group, transmeton atsh.

Numri një i tregut, koreano-jugori Samsung, do të publikojë gjithashtu të mërkurën “Galaxy Note 8”, një lansim po aq i pritur sa modeli i mëparshëm që u bë objekt i një rikthimi për shkak të rasteve të shpërthimit të baterive.

Sipas zërave të fundit, “iPhone” i ri do të pajiset me një ekran që zë të gjithë sipërfaqen e telefonit, me një vend të caktuar për një aparat fotografik shtesë duke mundësuar njohjen fytyrën në 3D.

“iPhone 8” do të ketë një mbulesë xhami prapa dhe të mundësojë karikimin pa fishë.

“Pritet të ketë një rinovim të rëndësishëm dizajnësh tek Apple”, thekson Avi Greengart, analist tek GlobalData.

“Kjo është një çështje e ndjeshme, kryesisht në Kinë. Njerëzit kërkojnë prodhimin e një aparati që reflekton statusin e tyre social dhe duhet që ai të dallohet nga një telefon kinez Huawei apo Xiaomi, dhe mendoj se ky do të jetë rasti”, vijon ai.

Apple ka humbur terren në Kinë, ku qarkullimi i tij është ulur me 10 për qind në tremujorin e fundit krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

IDC vazhdon të vendosë Samsung dhe Apple në krye, me respektivisht 23,3 për qind dhe 12 për qind të shitjeve, pa shumë ndryshim.